Ballina LifeBizare Ka vetëm 5 euro në bankë, por i famshmi Ronaldinjo jeton mes...

Ka vetëm 5 euro në bankë, por i famshmi Ronaldinjo jeton mes luksit

39
SHPËRNDAJE

U martua me dy gra, i konfiskuan pasaportën, teksa deklaronte se kishte vetëm 5 euro në llogarinë e tij bankare, ndërkohë që i vëllai bastisi dyqanin e klubit të Flamengos. Pavarësisht këtyre peripecive, ylli brazilian Ronaldinjo është akoma duke shijuar jetën në stilin e tij unik.

Zyrtarisht njoftoi tërheqjen nga futbolli në fillim të vitit të kaluar, por megjithatë konsiderohet si një nga lojtarët më të talentuar të shekullit XXI. Natyrisht, edhe jeta e Dinjos në fushë ka qenë gjithmonë burim magjepsjeje dhe shpesh admirimi, teksa ajo jashtë saj vijon të jetë nën lupën e medias.

Martesa e tij e dyfishtë bëri që legjenda braziliane të cilësohet si seksist nga disa e hero nga të tjerë, por jeta private nuk e pengoi të shndërrohej në imazh të Botërorit të zhvilluar në Rusi gjatë verës së vitit 2018. Nuk mjaftuan skandalet seksuale, pasi Dinjo përkrahu në zgjedhjet presidenciale në Brazil Zhair Bolsarion, por edhe ky vendim nuk ia uli popullaritetin.

E vetmja që e braktisi ishte Barcelona, klubi që u distancua nga Rivaldo dhe Ronaldinjo në këtë version të pazakontë si imazhe politike. Skandal pas skandali dhe ish-sulmuesi i Milanit u gjobit me 1.5 milionë euro, pasi në vitin 2015 kishte ndërtuar pa leje teksa gjykata vendosi t’i hiqte edhe pasaportën. Kur autoritetet u munduan të arkëtonin masën e gjobës, në llogarinë bankare të Ronaldinjos gjendeshin vetëm pesë euro.

Lajmi i tronditi të gjithë, aq më tepër që 38-vjeçari vijon të jetë një imazh për kolosë si “Pepsi” dhe “Nike”. Prishila Koelho, njëra prej dy grave, hoqi dorë nga studimet dhe profesioni i saj për të jetuar me të, por më pas u largua prej legjendës, duke ngritur padi për dhunë fizike gjatë kohëzgjatjes së raportit mes tyre (2012-’18).

Pasi nuk u arrit një akord privat, gjykata vendosi ta gjobiste Dinjon me 222.000 euro, teksa i ndaloi të shiste ndonjë nga 59 vilat që zotëron nëpër atdhe. Pavarësisht morisë së problemeve, Dinjo është zgjedhur ambasador i “Teqball” (pingpong me këmbë mbi një tavolinë të harkuar), megjithëse vështirë të imagjinohet se si do ta kryejë këtë funksion nëpër botë pa pasur pasaportën, e cila vijon të jetë e bllokuar nga autoritetet braziliane.

Kohët e fundit Ronaldinjo ka shprehur interes për një karrierë si drejtor sportiv dhe ka shumë gjasa që ofertat të vërshojnë në drejtim të tij, pasi vijon të jetë një magnet interesi, sidomos financiar, nga shumë kompani.

Pjesë e një brezi legjendar kampionësh në Brazil, por edhe jashtë atdheut të tij, Dinjo vijon të jetojë i shpenguar në Rio De Zhanejro dhe është një figurë e zakonshme e festave të mëdha dhe e jetës së natës. Ai vazhdon të jetë i veçantë në stilin e tij të jetës, siç ishte në atë të lojës, e ndërsa “Instagrami” e paguan 120 mijë euro për postim, vështirë të kuptohet se si llogaria e tij vijon të jetë thuajse bosh…!Panoramasport