
Tjetër barazim në kampionat për Juventusin. Kampionët e Italisë nuk shkuan me shumë se rezultati 1-1 në fushën e Beneventos së Pippo Inzaghit. Të dy golat u shënuan në pjesën e parë.
Alvaro Morata kaloi ekipin e Andrea Pirlos në avantazh në mesin e fraksionit të parë.
Asist i Federico Chiesa dhe diagonale e saktë e sulmuesit spanjoll, i cili dribloi një mbrojtës më parë.
Goli i tretë në kampionat për Moratën, teksa vendasit gjetën golin e barazimit në minutat shtesë të pjesës së parë. Goditje fantastike e mbrojtësit Letizia dhe topi në rrjetë.
Juventusi tentoi fitoren në pjesën e dytë, por bardhezinjtë vuajnë kur Cristiano Ronaldo mungon.
Përfundimisht 1-1 dhe “Zonjë” në kuotën e 17 pikëve, tre më pak se Milani i vendit të parë që nesër pret Fiorentinën në “San Siro”.