Ballina Lajme nacionale Jep dorëheqje ministri në Qeverinë ‘Haradinaj’

Jep dorëheqje ministri në Qeverinë ‘Haradinaj’

32
SHPËRNDAJE

Kadri Veseli ka liruar dej nga detyra të gjithë të emëruarit politikë nga kjo parti që janë të akuzuar për korrupsion dhe nepotizëm.

Pas këtij vendimi, sot ka dhënë dorëheqje ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj.

Këtë ai e ka bërë të ditur përmes një konference për media të mbajtur gjatë ditës së sotme.

Vendimi i tij vjen pas vendimit të Veselit për t’i liruar nga detyra të gjithë funksionarët e kësaj partie me aktakuza.

“Në mëngjes kam paraqitur dorëheqjen time të kryeministrit Haradinaj. Është angazhim i përbashkët i strukturave udhëheqëse të PDK-së ku jam edhe unë vetë. Në rastin tim unë jam plotësisht i bindur në pafajësinë time. Vepra për të cilën po gjykohem nuk ka asnjë element të veprës së korrupsionit”, ka thënë Beqaj.

Beqaj gjatë kësaj konference ka thënë se ai do të vazhdojë të jetë edhe më tutje pjesë e PDK-së dhe gjithashtu sipas tij vendimet e PDK-së duhet të jetësohen deri në fund.

Ja fjalimi i plotë i Besim Beqajt:

Përshëndetje të nderuar,

Si rezultat i diskutimeve të përbashkëta në lidhje me veprimet që duhet ndërmarrë për të argumentuar vizionin e Partisë Demokratike të Kosovës, ju kam ftuar të ju njoftoj se sot në mëngjes kam paraqitur dorëheqjen time tek Kryeministri i
Qeverisë.

Fillimisht dëshiroj të reflektoj shkurtimisht në lidhje me Vendimin e Partisë Demokratike të Kosovës. Konsideroj që ky është angazhim i përbashkët i të gjithë strukturave udhëheqëse të PDK-së, pjesë e së cilës jam edhe vetë, që të eliminohen paragjykimet dhe akuzat me pretendime, në lidhje me proceset gjyqësore të zyrtarëve të PDK-së.

Në rastin tim, unë jam plotësisht i bindur se këto akuza janë të pa bazuara në fakte dhe argumente ligjore dhe që drejtësia do ta vërtetoj këtë. Është parim bazë i drejtësisë që çdo kush është i pafajshëm përderisa të mos provohet e kundërta, e ftoj secilin që ta respektoj këtë parim. Unë besoj që drejtësia do ta vërtetojë pafajësinë time duke u bazuar në prova dhe fakte të argumentuara.

Vepra për të cilën gjykohem-“Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës”, nuk ka asnjë element të veprës së korrupsionit. Ashtu siç e ka vërejtur edhe publiku i gjerë, aktakuza për të cilën unë përballem ka një mal të metash dhe që në fillim është aplikuar drejtësi selektive. Për detajet do të flasim në Gjykatë dhe ju ftoj ta përcjellni me vëmendje të plotë këtë proces dhe mund ta siguroj secilin se në rast të një procesi të drejtë gjyqësor, objektiv, të paanshëm, unë do të lirohem nga aktakuza. Andaj, ky nuk është vendi ku duhet te diskutojmë për përmbajtjen e aktakuzës, por vetëm në Gjykatë.

Gjatë angazhimit tim publik dhe privat jam udhëhequr nga dy parime themelore, zbatimi i ligjeve dhe profesionalizimit.

Jam shumë krenar për projektet e mëdha të cilat i kam realizuar: përafrimi i agjendës me BE-në, jetësimi i prioriteteve për zhvillim ekonomik duke u mbështetur në stabilitetin makro fiskal, si dhe duke vendosur në qendër të vëmendjes së politikë-bërjes inovacionin dhe ndërmarrësinë – për të krijuar vende të reja të punës për të rinjtë tonë.

Gjatë mandatit tim në Ministrinë e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, kam arritur të themeloj dhe funksionalizoj një institucion i cili mbetet i hapur për bashkëpunim ndërkombëtarë me partnerët tonë, si dhe bashkëpunim vendor me sektorin privat, shoqërinë civile dhe mediat. Kemi arritur të (1) hartojmë legjislacion dhe politika strategjike për të vendosur në pah inovacionin dhe ndërmarrësinë; (2) ndërtojmë infrastrukturën e nevojshme ku ndërmarrësit e rinj mund ta jetësojnë ëndrrën e tyre për ndërmarrësi dhe inovacion; 3) krijojmë instrumentet financiare përmes fondit të inovacionit, i cili ka përkrahur shumë të rinjtë dhe të reja.

Ju siguroj të gjithëve, që kjo sfidë do të kalohet shumë shpejtë dhe të dal e vërteta e pakontestueshme.

I bindur që ky proces së shpejti do të marrë një epilog dhe për secilën akuzë do të faktohet së unë nuk kam bërë shkelje të ligjit.

Për fund, dua të falënderoj të gjithë bashkëpunëtorët brenda dhe jashtë Institucioneve që kam udhëhequr, në veçanti juve përfaqësues të mediave për bashkëpunimin e gjatë dhe të suksesshëm që kemi pasur.

Ju faleminderit.

-----