Ballina Lajme nacionale Ja sa vendvotime janë rinumëruar deri më tani

Ja sa vendvotime janë rinumëruar deri më tani

11
SHPËRNDAJE

Rinumërohen 390 vendvotime.

Procesi i rinumërimit të votave po shkon drejt fundit. Deri në përfundim të së hënës, sipas Komisionit Qendror Zgjedhor janë rinumëruar 73.72 për qind e vendvotimeve të planifikuara. Ndërkohë, nesër pritet të fillojë procesi i numërimit të votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta, raporton Express.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhor, Valmir Elezi i ka thënë Gazetës Express se deri të hënën janë rinumëruar 390 vendvotime.

Rinumërimi i të gjitha vendvotimeve të planifikuara pritet të përfundojë nesër, derisa po këtë ditë do të fillojë procesi i numërimit të votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta.

“Deri në përfundim të ditës së hënë janë rinumëruar 390 vendvotime apo 73.72% nga 530 sa janë planifikuar”, ka thënë Elezi.

Ndryshe, zgjedhjet e 6 tetorit u zhvilluan në 38 komuna në 895 qendra të votimit me 2,547 vendvotime. Nga 25 subjekte politike garuan 1,067 kandidatë për deputetë. Në zgjedhje morën pjesë 44 për qind e qytetarëve me të drejtë vote, derisa 29 persona u arrestuan për shkelje gjatë procesit zgjedhor.

Bazuar në rezultatin e deritashëm të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje del të jetë fituese e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit. Pas VV’së, me numër më të madh të votave renditen Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare erdhën pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit të Kosovës, pas ftesës nga Gjykata Speciale në Hagë për intervistim.

Presidenti i Kosovës, pas shpërbërjes së Kuvendit në gusht, shpalli zgjedhjet për datën 6 tetor.

-----