Ballina Lajme nacionale Ja pse e bojkotuan Haziri e Veliu mbledhjen e Kryesisë

Ja pse e bojkotuan Haziri e Veliu mbledhjen e Kryesisë

117
SHPËRNDAJE

Pse e bojkotuan Haziri e Veliu mbledhjen e Kryesisë, flasin nga LDK-ja.

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri dhe kreu i Podujevës, Agim Veliu, nuk kanë marrë pjesë sot në mbledhjen e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kjo pasi që ata duket se janë hidhëruar me faktin se Vjosa Osmani pritet të nominohet për kryeministre nga kjo parti.

Për mospjesëmarrjen e tyre në mbledhjen e Kryesisë ka folur pas takimit, zëdhënësi i LDK’së, Besian Mustafa.

Ai ka thënë se nuk është i sigurt rreth arsyeve për të cilat Haziri dhe Veliu kanë vendosur që të mos marrin pjesë në mbledhjen e sotme.

“Nuk jam i sigurt”, është shprehur shkurt Mustafa.

Ndër të tjera zëdhënësi i LDK’së, Besian Mustafa, pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së LDK’së, ka thënë se të hënën do të përmbyllen diskutimet rreth asaj se kush do të jetë i nominuar i kësaj partie për postin e kryeministrit.

Ai gjithashtu ka thënë se në Këshillin e Përgjithshëm të LDK’së, do të diskutohet edhe për çështjen e koalicionin me Lëvizjen Vetëvendosje, duke shtuar se sot e kanë rikonfirmuar edhe një herë qëndrimin që nuk do të ketë koalicion me PDK’në.

“Në takimin e sotëm të kryesisë së re u pajtuam në disa çështje. E para rikonfirmuam kryesinë e re, që do t’i propozohet Këshillit të Përgjithshëm. U rikonfirmuar qëndrimi që s’do të kemi koalicion me PDK’në. Në takimin e radhës të Këshillit të LDK’së do të diskutohet edhe për koalicionin me LVV”në”, ka thënë Mustafa, raporton Gazeta Express.

Ndër të tjera ai ka thënë se sot janë hapur diskutimet për atë se kush do të jetë mandatar për postin e kryeministrit.

“Në takimin e radhës të Këshillit të Përgjithshëm do të konfirmohet qëndrimi i partisë, që posti i kryeministrit i takon LDK’së si dhe në takimin e radhës të kryesisë që do të mbahet të hënën në mëngjes, do të diskutohet edhe për mandatarin tonë për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme. Janë hapur diskutimet, por do të përmbyllet ky diskutim të hënën”, ka thënë Mustafa.