Ballina Lajme nacionale Ja kandidatët më të votuar të LDK’së në Prishtinë

Ja kandidatët më të votuar të LDK’së në Prishtinë

81
SHPËRNDAJE

Këta janë kandidatët më të votuar të LDK’së në Prishtinë, Vjosa e Lumiri të parët.

Gazeta Express ka siguruar listën e 10 kandidatëve më të votuarve të LDK’së në Prishtinë. Vjosa Osmani ka marrë më së shumti vota, e menjëherë pas saj është Lumir Abdixhiku.

Rezultatet preliminare të zgjedhjeve parlamentare e vendosin Lidhjën Demokratike të Kosovës në vendin e dytë në Prishtinë.

Dikur bastioni i LDK’së, kryeqyteti i Kosovës, është marrë nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila mori rreth 4700 vota më shumë LDK’ja. Kaq vota ishte diferenca mes dy partive edhe në nivel të vendit.

LDK’ja ka marrë 32.636 vota në Prishtinë e më e votuara është kandidatja për kryeministre e partisë, Vjosa Osmani. Ajo ka marrë 25.869 vota.

Pas saj është Lumir Abdixhiku, i cili në listë mbante numrin 4, e në Prishtinë është votuar nga 10.035 qytetarë.

I treti më i votuar është anëtari i kryesisë së LDK’së, Kujtim Shala, i cili në listë ishte menjëherë pas Osmanit. Shala ka marrë 7.991 vota në kryeqytet.

Pas tij vjen Avdullah Hoti me 5.510 vota dhe ish-kandidati i LDK’së për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi.

Zëdhënësi i LDK’së, njëherësh anëtari i kryesisë e kryetar i degës së katërt të LDK’së, Besian Mustafa, ka marrë 5.511 vota. Ai ka garuar për herë të parë për deputet.

Pas Mustafës, renditet deputet i shumë legjislaturave, Anton Quni, të cilin e kanë votuar 4.463 qytetarë në Prishtinë.

I teti në listën e më të votuarve të LDK’së është ish-kryetari i Prishtinës, Ismet Beqiri, i cili është kryetar i degës së parë të LDK’së. Beqiri ka marrë 3.082 vota.

Dhjetshën e LDK’së në kryeqytet e përmbyllin kandidati Florian Dushi me 2.367 vota dhe ish-deputetja e legjislaturës së kaluar, Doruntinë Maloku me 2.214 vota.

LDK ka fituar 32.50 për qind të votave në Prishtinën që e ka udhëhequr për 13 vjet, ndërsa e para ka dalë LVV me 37.23 për qind.