Ballina Arti Ish-oficeri i lartë i Sigurimit të Shtetit: Ai që qante me “Oiii”...

Ish-oficeri i lartë i Sigurimit të Shtetit: Ai që qante me “Oiii” mbi varrin e Ahmet Zogut dhe ishte veshur me frak në dasmën e Lekës ishte agjent i yni…

45
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -

Ish oficeri i lartë i Zbulimit (ish-Sigurimit të Shtetit) Hasan Luçi, në vijim të intervistave të ditëve të fundit në Dita, këtë herë ndalet tek një nga personazhet më të rëndësishëm, Andon Konomit nga Zheji i Gjirokastrës, i cili veproi si agjent i Sigurimit të Shtetit në stafin më të ngushtë të Ahmet Zogut. Është ai personazhi i famshëm që vajti me frak në dasmën e Leka Zogut në Madrid në vitin 1975. Lexoni më poshtë rrëfimin e Hasan Luçit, njeriut që bashkëpunoi ngushtësisht me agjentin që mbante pseudonimin Viroi dhe më pas u mbiquajt Arbërori…

Nga Hasan Luçi

Rrjedhat e punës zbuluese gjatë jetës më bënë të njihem me Andon Konomin nga Zheji i Zagories, në fillim me dosjen e tij, si i arratisur, pastaj në rrethana të veçanta në Bruksel e Paris për shumë vite.

Për të kisha lexuar edhe në shtypin e mërgatës politike, ku ai ishte bërë shumë i njohur, së pari, për nderin e të qënit shqiptar dhe së dyti, si ortodoksi i parë dhe i vetëm në KQ të Legalitetit, pra si një ministër zogist në mërgim. U interesova për të përmes disa miqsh të mi të mërgatës ekonomike e kosovarë si dhe me bashkëpuntorë të zbulimit shqiptar në radhët e asaj mërgate politike. Të gjithë këta që e njihnin direkt a tërthorazi flisnin mirë për të si njeri i kulturuar dhe veçanërisht si nacionalist (kupto shqiptar atdhetarë dhe kundër shovenëve fqinjë), duke dhënë hollësi të qëndrimeve të tij publike në Greqi, Belgjikë, Paris e gjetkë.

Ata shtonin se ai i njihte shumë nga krerët e të arratisurve, një pjesë të njohur qysh në Tiranë gjatë Luftës së Dytë Botërore, me të cilët takohej në mërgim, kishte  letërkëmbime të shpeshta me ta,  qanin hallet e kohës në mërgim apo flisnin e vepronin kundër pushtetit popullor nën vartësinë e shërbimeve sekrete të vendeve perëndimore antikomuniste gjatë “Luftës së Ftohtë”. Ai ishte bërë një nga shqiptarët e arratisur shumë i njohur me banim në Belgjikë, ku ishin grumbulluar rreth 2500 të arratisur, të vajtur nga Greqia, Jugosllavia, Italia etj. Këto njohuri ishin të mjaftueshme dhe ia vlente për t’u takuar me të dhe parandjehej qartë se ai do të bashkëpunonte me zbulimin tonë për mbrojtjen e Atdheut e të popullit nga armiqtë e shumtë të kombit tonë, mbi interesat ideologjike e partiake të kohës, çka ishte një gur prove për atdhetarët e vërrtetë edhe në mërgim.

Pasi bëra propozimin për ta tërhequr në bashkëpunim dhe m’u miratua, gjatë një shërbimi në panairin e Brukselit në 1959, zbuluesi Dilaver Pinderi me shërbim në ambasadën tonë në Paris dhe Myslim Sinojmeri, me të cilin shkuam atje nga Tirana, e takuan dhe e tërhoqën në bashkëpunim, pasi mua nuk m’a dhanë mundësinë, edhe drejtori në Tiranë, pasi isha ende i ri për një veprim me atë person më të madh e përvojë, megjithëse kisha kryer fakultetin e zbulimit dhe kisha fituar përvojë qysh nga viti 1955. Në këtë veprim i çova edhe një letër nga djali i tij Stefani, që kryente studimet në Tiranë për inxhinjeri, çka e preku shumë e lotoi. Ai e priti me shumë gëzim veprimin tonë dhe ra dakort të jipte ndihmesën e tij, sipas mundësive reale që kishte në radhët e mërgatës së qyqeve.

***

U takuam për herë të parë së bashku në fund viti të 1961 në Paris, në kushte ilegaliteti, pak kohë mbasi nisa punën në përfaqësinë tonë atje. Me gjithë moshën time të re dhe moshën e pjekur të atij, u bëmë shpejt miq, pasi në këtë mes luajti rol të mirë edhe njohja e tij me barinj të fshatit tim në Çajup dhe njohja ime me shumë zagoritë në gjimnazin e Gjirokastrës, veç traditave, zakoneve e historisë së përbashkët në Labëri.

U interesova për jetën e tij në Greqi, ku u arratis për arsye të disa grindjeve në punë, me disa persona që nuk e donin, sidomos një me pozitë, dhe e akuzonin për disa qëndrime gjatë LANÇ-it në Tiranë, ku në fakt ndihmoi luftëtarët e lirisë, dhe e transferuan nga Tirana në Lezhë, ku qëndroi pak kohë dhe nga frika ia mbathi në arrati në Greqi kur shkoi në shtëpi në Zhej. Qysh në hapat e parë, hetuesit grekë të kufirit e të spiunazhit e kishin pritur me këmbë të para, pasi e dyshonin si të dërguar nga Sigurimi, pasi arsyet e arratisjes së tij duke lënë familjen në vend (nënën e gruan me tre fëmijë) nuk ua mbushnin syrin.

“E kuptova shpejt, thoshte Andoni, se djalli nuk e beson të varfërin, që ia kishte mbathur nga frika e arrestimit për disa grindje banale e personale me dikë të pushtetshëm. Më në fund më kërkuan të nënshkruaja deklaratën se qënkesha Vorio Epirot (kupto grek, si e kërkon ideja e madhe shovene greke). Mua m’u errën sytë se nuk e prisja kaq hapur që të më kërkonin të shisja Shqipërinë, pa kujt pa le, atyre që kanë shkretuar jugun e Shqipërisë sa e sa herë dhe mbajnë të pushtuar Çamërinë e troje të tjera shqiptare. Ua përsërita disa herë se unë jam arratisur për arsye private, personale, pata frikë mos më futnin në burg, dua të shpëtoj kokën dhe nuk kam ikur të bëhem Vorio Epirot se unë jam ortodoks, por jam shqiptar, e kam nder të jem shqiptar dhe kështu do të vdes qoftë nga ju qoftë nga perëndia. Mos nënshkrimi i kësaj deklarate më kushtoi shtrenjtë se vuajta disa vite në kampet më famëkeqe greke dhe sidomos në ishullin Siros, më i keqi, ku ishin izoluar komunistët grekë më të rrezikshëm, pasi më zhdëpën mirë e mirë  dhe ja ku i kam shënjat e torturave. Si shpëtova nuk e di se na mbanin në sy të diellit, bashkë me gjarpërinjtë, duke bërë punë, pa ujë, me ushqim të keq, ku vetëm kufomat e njerëzve shtohehin shpejt. Kështu shovenët grekë kërkonin jetën time, por unë më mirë të vdisja shqiptar se grek zuzar.

Zoti më shpëtoi, se pata ca dhjamë, megjithse u bëra turbekuloz”!

Ai pati guxim për t’u përballur me çdo shoven e tradhtar apo injorant në këto çështje thelbësore. Ai qe një orator i lindur dhe për të drejtën vinte përpara këdo. Ai përdorte me zgjuarësi të rrallë faktet dhe shpesh i zinte ngushtë edhe “baballarët e kombit” në arrati, të  cilët thoshnin se “po të mos e njihje Andonin, ky është komunist puro”! Në fakt i sillte vërdallë me fjalët e tyre se ua dinte edhe bëmat me pushtuesit e në jetën e tyre private.

Ja si i këndonte një “miku” të tij: “Na thuaj Haki Rushiti: / Amerika si të priti / Ç’u dhuroi, ç’u gostiti ?! / Me dollarë ju velesiti / Prandaj s’duhet të mërziti !/ Fitoni me ata dollarë / Ndaj miqtë i harruat fare / Se u mbushët plot me pare / Në Amerikën bujare / Kokë e botës nacionale”.

Ndërsa për veten e vet këndoi : “Mëma që më bëri mua / Si gjithë nënat në dynja / Seç më rriti e u mundua / Më duket së bëri gjuna”!

Kur shkruante kështu për veten e tij, mendoni ç’qyfyre bënte me Ali Këlcyrën, Hasan Dostin, Nuçi Kotën, Vasil Germenjin, Ismail Vërlacin, Dervish Dumën, Faik Bykmirin, Geraldinën, zonjën Zavalani, Leka Zogun etj. kurse me legalistët në Belgjikë e Francë ishte edhe më i thekur sa shkuleshin në gaz.

Ne i vumë pseudonimin “Viroi”, atij lumit të vogël në Gjirokastrën që ai e deshio pa masë. Më pas, duke parë atdhetarizmin e tij të zjarrtë, i vumë pseudonimin “Arbërori”. Janë dy emra simbolikë që flasin shumë për personalitetin e këtij atdhetari të zjarrtë.

***

Në tetor 1975 princi Leka Zogu, i vetëshpallur në prill 1961, u martua, me miratim të kryesisë së Legalitetit e të Abaz Kupit. Dasma u bë me bujë të madhe në Madrid të Spanjës, me pjesëmarrje të përfaqësuesve diplomatikë perëndimorë, mbretër në fuqi e në mërgim, veç të arratisurve legalistë, kosovarë e nga diaspora ekonomike.

Po në këtë dasmë bëri bujë “mbretërori hamall”, Andon Konomi, të cilin e kishim veshur me frak, papijon, borsalinë e dorashka, dy-tre unaza floriri në duar, ora që vezullonte dhe këpucë të zeza me llustër.

Trup mesatar i shëndoshë, ai sillej andej këndej në sallon, duke përshëndetur me buza gaz e shkelje syri të njohurit e të panjohur. Shumë kureshtarë  pyesnin: po kush qenka ky, zotëri, më shiku këtu?

Leka i buzëqeshte Andon Konomit se ishte mik i parapëlqyer i të atit për humorin e mënçurinë. Edhe mbretëresha Geraldinë e simpatizonte goxha zotin Konomi.

Pastaj Leka – për të cilin Andoni më thoshte shpesh që ky “nga trupi është si mal, po nga mëndja është në hall” – iku në Rodezi e Afrikën e Jugut, ku e gjetën demokratët tanë në vitet ’90…

***

Me shkathtësinë e tij në biseda e qëndrime a në fjalime, Andon Konomi (alias Viroi) hiqej si pasues i mbretit, por në fakt ai lidhi miqësi edhe të reja me të gjitha rrymat politike në mërgim, sidomos me krerët e tyre, pa dallim dhe notonte për bukuri duke i ngopur me lugë të zbrazët se zotëronte taktikë afrimi, sqarimi e bindjeje, që i bënte për vete duke i hutuar me humor, me shpoti, duke i bërë gaz i botës, duke mos përjashtuar vetveten! Kështu qenë bërë të arratisurit e mërgimtarët në punë të vështira e të rënda, punë të zeza, të kohës në kampet e punës a të internimit faktik, si ata ish bashkëpuntorë të fashizmit si dhe të tjerët që ishin gënjyer nga propaganda mashtruese e “botës së lirë”.

Vetë Andoni e quante veten “ministri hamall i oborrit të Zogut” se vërtet punonte si punëtor transporti në një fabrikë birre, një punë e rëndë, ku shëndeti i tij u rëndua më keq, se ai nuk i servilosej askujt për t’i dhënë lëmoshë, përkundrazi qeraste si fisnik e bujar. Ai bënte një jetë të rregullt larg veseve të këqia dhe për këtë nderohej e respektohej nga shqiptarët, kosovarët e shumtë në Belgjikë dhe të huajtë, përfshi vendës, që bënin qyfyre në një kafene afër banesës në Bruksel. Ai nuk u bë problem as për organet policore, ku kaloi shumë vite. Ishte bërë shumë i njohur në kafenenë e lagjes si shqiptari gazmor, i pashëm e serioz, duke rrëkëllyer krikot e birrës me ta. Ai ishte punëtor, i ndershëm dhe i shoqërueshëm me cilindo, por kur e shkelnin në kallo ua rregullonte qejfin publikisht sidomos agjentëve të spiunazheve të huaja kur e ngacmonin dhe ua nxinte jetën se ua përplaste në fytyrë, pra i ruheshin nuhatjes së tij.

***

Andon Konomi kishte dashuri të madhe për familjen, ai përlotej sa herë flisnim për ta, sidomos për vajzat e gruan, mbi të cilat arratisja e tij rëndoi më shumë. Për ta ngushëlluar sado pak ne mbështetëm djalin e tij të mbaronte studimet e të punonte pa u shqetsuar si edhe vajzat e gruan në koperativë.

Punova shumë vite me të se ishte një bashkëpunëtor shëmbullor në punën e zbulimit dhe në jëtë, e dërgoja me shërbime tek lidhjet e tij në Londër, Romë, Madrid, etj.veç letërshkëmbimit dhe ishte prodhues të dhënash të sakta e të rëndësishme, shfrytëzonte edhe ish diversantët që njohu sidomos ata që patën vepruar a vepronin ende nga Greqia e Jugosllavia etj.

Por shëndeti i tij sa vinte përkeqësohej, prandaj kërkova kthimin e tij në familje, pasi ai ishte zëvendësuar me bashkëpuntorë të rinj, për të jetuar e çmallur me familjen, duke jetuar faqebardhë në vendlindje. Zbulimi e rehabilitoi dhe u njoftuan organet përkatëse në Gjirokastër e Zagori se iu njoh veprimtaria e tij atdhetare shumëvjeçare në mbrojtje të Atdheut. Ai u legalizua pranë familjes e popullit. Ai u prit si bir i denjë i Zagories e vendlindjes së tij Zhej.

Nuk do ta harroj kurrë darkën në Zhej me familjen e tij e miqtë në një kohë kur na zuri një furtunë bore. Vajtja ime, biseda e shkurtër që bëra, dhe bisedat e ngrohta përmalluese me Andonin me humor të rrallë, e besuan më qartë se ai i kishte shërbyer mirë Atdheut, pasi kishte edhe mosbesues ndaj tij. Po ai nuk po çmallej ende me familjen dhe e brente ndërgjegjja se i braktisi shumë vite në fatin e tyre. Ai besonte  se koha i shëron plagët, dhe  megjithëse i sëmurë përpiqej të jetonte jetën në familje, që e donte aq shumë.

***

Shuarja e jetës së tij para kohe, ishte e rëndë jo vetëm për familjen e miqtë e tij, por në mënyrë të veçantë edhe për mikun e luftës së përbashkët në mërgim Isuf Mullain, si shkruan ky në kujtimet e tij, dhe për mua që e kishim mik për koke dhe një atdhetar të rrallë në çdo veprimtari zbuluese e jete. Ai ishte i brumit rilindas të kombit tonë. Edhe me djalin e tij Stefanin ruajta miqësinë deri sa ndërroi jetë.

Këtë shkrim dua ta mbyll me këto vargje që Andon Konomi i shkroi vetes se kishte talent dhe la mjaft poezi:

“Një shqiponjë si ai / Lind pa tjetër n’Zagori/ Trimëri e mënçuri / Zot në atdhetari / I urtë në gojtari / Vendit i mungon tani / Provuam një mërgim / Me mundim e hidhërim / Po patëm dhe përfitim / Qemë të fortë në durim / Për nder të Atdheut tim / Shqiponjën Andon Konomi / Ta kujtoni sa të rroni / Dhe brezave u thoni!”.

Ky artikull në tërësi u botua disa vite më parë në gazetën e shoqatës Zagoria, përmes mikut tim të mënçur Trifon Carka.

---- ----
----
----- ----
-----