Ballina Lajme nacionale Isa Mustafa i’a shpalos ambasadorit Kosnett programin qeverisës të LDK-së pas zgjedhjeve

Isa Mustafa i’a shpalos ambasadorit Kosnett programin qeverisës të LDK-së pas zgjedhjeve

9
SHPËRNDAJE

Isa Mustafa u zgjedh për herë të tretë kryetar i LDK-së në Kuvendin e IX Zgjedhor. Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka pritur sot në takim ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett.

Përmes një njoftimi për media, LDK ka bërë të ditur se në këtë takim u diskutuan tema të rëndësishme për vendin, me theks të veçantë zgjedhjet e brendshme të LDK-së dhe situata aktuale politike.

“Kryetari Mustafa e njoftoi Ambasadorin Kosnett për ecurinë e procesit zgjedhor të LDK-së dhe theksoi se Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson që vendi duhet të shkojë në zgjedhje të përgjithshme sa më parë. LDK-ja ka përgatitur programin qeverisës për qeverinë e re ku prioritet do të jenë luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar, përmbyllja e dialogut me Serbinë, përshpejtimi i proceseve integruese në strukturat euroatlantike, zhbllokimi i potencialit ekonomik përmes përkrahjes së sektorit privat, etj.

Ndërsa, Ambasadori Kosnett theksoi se është e rëndësishme që Kosova të ruajë fokusin e vet në fuqizimin e sundimit të ligjit, kthimit në tryezën e bisedimeve me Serbinë, për të arritur normalizim dhe për të krijuar mundësi të cilat lejojnë qytetarëve të Kosovës të kontribuojnë në prosperitetin e Kosovës”, thuhet në njoftim.

Të pranishëm në këtë takim ishin edhe Agim Veliu, Lutfi Haziri, Vjosa Osmani, Vlora Dumoshi dhe Besian Mustafa.