Ballina Lajme nacionale INVESTIMET KAPITALE: Rreth 40 institucione nuk kanë harxhuar asnjë denar!

INVESTIMET KAPITALE: Rreth 40 institucione nuk kanë harxhuar asnjë denar!

15
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -

Nga fillimi i vitit deri tani (tremujori i parë i vitit), rreth 40 institucione nuk kanë harxhuar asnjë denar për shërbime dhe blerjen e pajisjeve të ndryshme. Njëherësh, të dhënat zyrtare tregojnë se në tremujorin e parë, janë harxhuar vetëm 15 për qind të mjeteve të planifikuara për investime kapitale, që është më pak ose njëjtë me vitet edhe para pandemisë

Fisnik PASHOLLI

Shkup, 5 prill – Realizimi më i dobët i investimeve kapitale në fillim të vitit të kaluar ka vijuar edhe sivjet, ngjashëm madje me vitet e mëparshme. Në dekadën e kaluar, edhe pa krizën e shkaktuar nga pandemia – vjet dhe sivjet, investimet kapitale rrallë kanë arritur realizimin prej 80 për qind, mjetet janë shkurtuar me rebalancet e ndryshme, ndërsa shpesh kanë fituar një tempo më të shpejtë të realizimit në tremujorin e fundit të vitit për të ndrequr rezultatet e dobëta deri në muajin shator. Për sivjet, investimet kapitale janë planifikuar me 23 miliardë denarë apo afër 400 milionë euro, që është për 20 për qind më shumë se vitin paraprak, si investime në rrugë e hekurudha, energji e shërbime, për përmirësimin e kushteve shëndetësore, arsimore dhe sociale, në bujqësi dhe mjedisin jetësor, shkruan gazeta KOHA.

FILLIM I DOBËT I INVESTIMEVE KAPITALE

Megjithatë, autoritetet së fundmi kanë pranuar se një nga shkaqet e realizimit të dobët të tyre është edhe kërkesa më e madhe e institucioneve të ndryshme për mjete nga arka e shtetit në raport me atë që mund ta realizojnë konkretisht në praktikë. Të dhënat e fundit të treguesve fiskal sërish konfirmojnë startin e dobët të investimeve kapitale këtë vit, apo ngjashëm me vitet e kaluara. Nga fillimi i vitit deri tani (tremujori i parë i vitit), rreth 40 institucione nuk kanë harxhuar asnjë denar për shërbime dhe blerjen e pajisjeve të ndryshme. Njëherësh, të dhënat zyrtare tregojnë se në tremujorin e parë, janë harxhuar vetëm 15 për qind të mjeteve të planifikuara. Për të avancuar realizimin e investimeve kapitale, në Buxhetin e shtetit për vitin 2021 është parashikuar edhe mekanizmi funksional për përmirësimin e realizimit, apo për orientimin e mjeteve ndaj projekteve me realizim më të madh. Apo me fjalë të tjera, krijohet mekanizmi për “ndëshkim dhe shpërblim” të shfrytëzuesve të buxhetit përmes rishpërndarjes së mjeteve buxhetore gjatë vitit buxhetor, në nivel tremujor – nga ata me realizim të dobët tek ata me realizim më të lartë të shpenzimeve kapitale.

Për këtë qëllim, mjetet ndahen ndaj shfrytëzuesve buxhetor përgjatë një viti në nivel tremujor, nga ato me realizim të dobët deri tek ato me realizimin më të madh të shpenzimeve kapitale. Mekanizmi i njohur si “EFKAP” posedon targete të sakta të realizimit prej 15, 40, 65 apo 100 për qind në tremujorin e parë, të dytë, të tretë dhe të katërt. Në rast se në tremujorin e ardhshëm, atyre shfrytëzuesve buxhetor që ju janë marrë mjetet dhe do të kenë realizim më të mirë, të njëjtat do t’ju kthehen.

Nga Ministria e Financave thonë se pritet që me konceptin e “SMART financave”, të tejkalohen problemet me realizimin me sukses të investimeve kapitale. Kohë më parë, ministri i Financave, Fatmir Besimi, paralajmëroi miratimin e Metodologjisë për vlerësimin e efekteve të projekteve të investimeve në rritjen ekonomike, themelimin e Njësisë për monitorimin e investimeve publike në Ministrinë e Financave, fillimin me punë të Komitetit nacional për investime me të cilin do të kryesojë kryeministri dhe ku do marrin pjesë edhe ministritë resoriale për përkrahje të realizimit të investimeve që nëse ka nevojë – do të bashkërendoje dhe bashkëveprojë për investimet kapitale, si dhe vendosjen e Metodologjisë për vlerësimin e realizimit të investimeve kapitale përmes “Smart Key Performance Indicators”.

MUNGON PLANIFIKIMI I KUJDESSHËM

Ekspertët ndërkohë ndër vite paralajmërojnë se investimet kapitale që planifikohen nga buxhetit i shtetit po vonohen për shkak të kapaciteteve që lënë për të dëshiruar të administratës shtetërore për menaxhimin e investimeve të këtij lloji. Ekonomistët thonë se realizimi i tërësishëm i investimeve kapitale që dikton edhe dinamikën dhe lëvizjen e ekonomisë së shtetit, por edhe rritjen ekonomike, kërkon një planifikim më të kujdesshëm, si dhe kujdes më të madh për procesin e fizibilitetit apo frytshmërisë që duhet të tregojë se sa dhe si projekti është i realizueshëm brenda kostos së parashikuar dhe sa është i mundshëm apo i realizueshëm në aspekt teknik. “Të gjitha institucionet shtetërore nevojitet të ndërtojnë kapacitete për menaxhimin më të mirë të investimeve kapitale, për shkak se një është ti planifikosh ato, dhe krejt tjetër është ti realizosh të njëjtat. Në vendin tonë, çdo herë kemi pasur probleme me realizimin e tyre për shkak se nuk kemi aftësi të mjaftueshme për menaxhimin e këtij lloj investimi. Njëherësh, nevojitet që prej përpara të parashikohen më shumë gjëra lidhur me projektet që mund të zgjasin apo shtrenjtojnë investimet kapitale si dhe na nevojiten edhe studime fizibiliti më të mira”, thonë ekonomistët.

Në ndërkohë, institucionet e ndryshme ndërkombëtare financiare sugjerojnë që shtetet në zhvillim të rrisin të hollat për projekte të ndryshme infrastrukturore, dhe të ulin gradualisht të hollat për paga, pensione, mallra dhe shërbime. Sipas rekomandimeve të Bankës Botërore, shtetet në zhvillim duhet të ndajnë së paku 20 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto apo afër 1.8 miliardë euro në rastin e Maqedonisë, e cila ndante më pak se 5 për qind të PBB-së për investime kapitale. (koha.mk)

The post INVESTIMET KAPITALE: Rreth 40 institucione nuk kanë harxhuar asnjë denar! appeared first on KOHA.

---- ---- ----
-----