Ballina Lajme Bota/Rajoni INVESTIGIMI/ Ëndrra irlandeze kthehet në “makth” për punëtorët sezonalë nga Europa Lindore

INVESTIGIMI/ Ëndrra irlandeze kthehet në “makth” për punëtorët sezonalë nga Europa Lindore

17
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -

Punëtorët e punësuar për të mbledhur fruta dhe kërpudha në Irlandë thonë se ata përballen me orë të gjata, paga të ulëta dhe marrëdhënie të vështira me mbikëqyrësit, sipas një investigimi katër-mujor nga BIRN dhe Noteworthy.

Nga Marcel Gascón Barberá, Maria Chereseva, Niall Sargent 

Për tre vjet me radhë, deri në 2019, Elena (jo emri i saj i vërtetë) shkonte nga qyteti i saj i lindjes, Sofje, në Bullgari, për në Irlandë në kohën e korrjes për të mbledhur luleshtrydhe dhe fruta të tjera të buta për Keelings, gjiganti irlandez i ushqimit në veri të Dublinit.

Ajo paguhej shumë më tepër sesa mund të priste të fitonte duke bërë të njëjtën punë në Bullgari, por puna ndonjëherë ishte një “makth”, tha ajo.

Në një intervistë për BIRN dhe Noteworthy, Elena, e cila kërkoi që emri i saj i vërtetë të mos botohej nga frika se mos kjo i dëmton shanset e saj për punësim në të ardhmen, kujtoi kabinat e tejmbushura me njerëz të parashikuara që punëtorët të bënin pushim në fushat e fermave dhe ditë të gjata të punës.

Ndonjëherë, ata punonin 13 ose 14 orë në ditë, që do të thotë se disa punëtorë ktheheshin në vendet ku ishin akomoduar në orën 21:00, duke qenë se kishte vetëm një autobus për t’i marrë dhe kthyer ata, tha ajo.

“Ata ktheheshin, hanin dhe shtriheshin të flinin”, tha Elena. “Të gjithë e bëjnë këtë për para.”

Megjithëse sektori i hortikulturës zë më pak se një për qind të tokës bujqësore irlandeze, ai është i rëndësishëm për ekonominë, vitin e kaluar 476 milionë euro, dhe punëson direkt 6,600 njerëz.

Por qeveria aktuale po bën presion që ai të rritet, duke synuar një rritje prej 60 për qind të prodhimit primar dhe krijimin e 23,000 vendeve të punës përgjatë zinxhirit të furnizimit sipas një strategjie 10-vjeçare.

Në maj 2017, ministri i atëhershëm i bujqësisë Michael Creed tha se investimet në njerëz do të ishin “thelbësore” për suksesin e strategjisë.

Por një investigim katër-mujor nga BIRN dhe Noteworthy, një platformë mediatike investigative irlandeze, tregon se disa njerëz po zhgënjehen. Ne mund të zbulojmë:

Përvojën e një numri punëtorësh nga shtetet e Europës Lindore në industrinë e kërpudhave dhe frutave të butë, të cilët folën për BIRN dhe Noteworthy.

Shqetësimet në lidhje me praktikat e punës në industrinë e kërpudhave në zonën kufitare, sipas gjetjeve të ndara me BIRN dhe Notwworthy nga një projekt ndërkufitar dy-vjeçar, anëtarët e të cilit folën për BIRN dhe Noteworthy për gjetjet e tyre.

Një sondazh i vitit 2018 nga Teagasc, Autoriteti Irlandez i Bujqësisë dhe Zhvillimit të Ushqimit, dhe i që BIRN dhe Noteworthy e siguruan përmes kërkesës për të drejtë informimi, tregon se industria e hortikulturës përballet me vështirësi për të mbajtur stafin për shkak të pagave të ulëta, kushteve të këqija të punës, akomodimit të papërshtatshëm dhe aftësive të dobëta të rekrutimit.

Një analizë e të dhënave të Komisionit për Marrëdhëniet në Punë, e siguruar përmes një kërkese për të drejtë informimi tregon se ajo zbuloi pothuajse 185,000 euro në paga të papaguara që nga viti 2017, duke prekur mbi 3,300 punonjës në sektorët e frutave të buta dhe kërpudhave.

Keelings mbrojti kushtet e punës dhe të jetesës me të cilat përballen punëtorët sezonalë që merren me mbledhjen e frutave. Drejtoresha ekzekutive Caroline Keeling tha për BIRN / Noteworthy se kompania kishte rritur numrin e kabinave për pushimet e stafit në përgjigje të pandemisë COVID-19 dhe se punëtorët, para se të vinin në Irlandë, ishin informuar plotësisht për “orët mbi mesataren javore” për t’u siguruar që disa të korra të veçanta të mblidhen gjatë pikut të sezonit të korrjeve.

Pas parave

Bullgaria nuk është vetëm vendi më i varfër në Bashkimin Europian, por gjithashtu ka një nga popullatat që po zvogëlohet më shpejtë në botë, parashikuar të tkurret me pak më pak se një të katërtën midis 2019 dhe 2050.

Rënia e popullsisë nuk është vetëm rezultat i niveleve të ulëta të lindshmërisë, tipike në të gjithë kontinentin europian, por edhe i një shkalle të lartë vdekshmërie dhe emigracioni masiv.

Analisti i të dhënave Boyan Yurukov dhe ekonomisti Georgi Angelov i Institutit të Ekonomisë së Tregut me qendër në Sofje vlerësojnë se rreth 1.3 milionë bullgarë jetojnë jashtë, kryesisht në Europë. Bullgaria ka një popullsi prej shtatë milion banorësh.

Afërsisht 30 për qind e atyre që punojnë në Europë janë punëtorë sezonal në sektorin e bujqësisë, sipas një vlerësimi të vitit 2018 nga Federata Bullgare e Sindikatave të Pavarura të Bujqësisë.

Dhe ata janë një shtyllë kryesore e ekonomisë bullgare, me remitancat – rreth 920 milionë euro në nëntë muajt e parë të 2019 – që tejkalojnë investimet e huaja direkte në vitet e fundit.

Po kështu, me 3.3 për qind të prodhimit ekonomik, Rumania fqinje u rendit e treta krahas Letonisë midis shteteve të BE-së në 2019 për sa i përket mbështetjes te remitancat, pas Kroacisë (6.6 për qind e PBB-së) që renditet në vendin e parë dhe Bullgarisë (3.4 për qind) në të dytin.

Nuk është për t’u habitur që kaq shumë njerëz kërkojnë punë në fushat bujqësore të Europës Perëndimore, me punëtorë bullgarë që thonë se fitojnë mesatarisht 1,200 euro në muaj në sektorin irlandez të hortikulturës krahasuar me një mesatare preh rreth 900 leva, ose 450 euro, që mund të marrin në sektorin bujqësor bullgar.

E njëjta histori është edhe në Rumani, që ka shkaktuar mungesa të mëdha të fuqisë punëtore në sektorin e brendshëm bujqësor.

“Unë mund t’ju them se tani në fshatrat rumun është më e vështirë të gjesh një punëtor ditor në bujqësi sesa një drejtor ekzekutiv për një kompani shumëkombëshe”, tha Florin Constantin, themeluesi i AGXternal, i cili specializohet në rekrutimin dhe trajnimin në agrobiznes.

Madlen Nikolova, një student doktorature në Universitetin Sheffield në Mbretërinë e Bashkuar, tha se Mbretëria e Bashkuar dhe Irlanda janë destinacionet e preferuara të punëtorëve bullgarë, në vend të Greqisë, Spanjës dhe Italisë ku kushtet mund të jenë shumë më keq.

“Shumë nga këta njerëz në të vërtetë janë të punësuar në Bullgari, por pagat janë aq të ulëta, saqë, për shembull, nëpër rrobaqepësi njerëzit marrin leje të papaguar për të punuar shtesë në fushat e Greqisë, Spanjës ose Mbretërisë së Bashkuar në mënyrë që të jenë në gjendje të paguajnë ngrohjen për një sezon”, tha Nikolova, i cili ka analizuar shfrytëzimin e punës në sektorët e veshjeve, sigurisë dhe call center-ave në Bullgari.

Të lodhur nga puna dhe kushtet e jetesës

Por edhe jashtë vendit ka shfrytëzim.

Një investigim pan-europian i Europolit në vitin 2020 identifikoi 44 persona të dyshuar për përfshirje në trafikimin njerëzor për shfrytëzim pune dhe mbi 300 viktima, shumë nga Bullgaria, Polonia dhe Rumania.

Në tetor 2016, shtetasi rumun Ioan Lacatus u dënua me 30 muaj burg për trafikimin e njerëzve për punë të palicencuar në fermat e frutave në kontenë Armagh, Irlandë e Veriut, duke i detyruar viktimat e tij të punonin 70 orë në javë dhe duke akomoduar 15 vetë në një shtëpi me një tualet, një dush dhe ushqim të kufizuar të ftohtë.

Ndërkohë që asnjë rast i tillë nuk është regjistruar në Republikën e Irlandës, punëtorët emigrantë veçanërisht në mbledhjen e kërpudhave – industria më e madhe e hortikulturës në Irlandë – përballen me probleme të rëndësishme përsa i takon të drejtave të punës, sipas ekspertëve dhe akademikëve për të drejtat e emigrantëve.

“Disa punëtorë në industrinë ndërkufitare të kërpudhave vazhdojnë të përjetojnë kushte të këqija pune, paga të ulëta, dhe kushte joadekuate punësimi dhe më pak se praktikat optimale punësimi”, tha dr. Stephen Bloomer i Universitetit Ulster, duke iu referuar rezultateve të hulumtimit kryer mes mesit të vitit 2018 dhe fundit të vitit 2020, ku u përfshin 51 mbledhës kërpudhash nga Bullgaria, Rumania, Letonia, Ukraina dhe Lituania.

Shqetësimet për punën në këtë sektor u shfaqën për herë të parë në Irlandë në mes të viteve 2000, kur Sindikata e Shërbimeve, Industrial, Profesional dhe Teknik, SIPTU, dhe Qendra për të Drejtat e Migrantëve Irlandë, MRCI, ngritën shqetësime mbi kushtet me të cilat përballen punëtorët në këtë industri, veçanërisht me në lidhje me orët e gjata të punës dhe pagën e ulët.

MRCI krijoi një grup mbështetës në 2006 për pothuajse 450 punëtorë që merren me mbledhjen e kërpudhave, duke kryer ndërmjetësim në emër të tyre, që çoi në pagesën e rreth 250,000 eurove në paga të prapambetura nga rreth 20 ferma.

Kjo u pasua nga hulumtime akademike në vitin 2014 nga universitetet në veri për industrinë e kërpudhave në Irlandën e Veriut, duke përfshirë intervista me punëtorë, që theksuan shqetësime të ngjashme.

Kushtet e përshkruara nga mbledhësit e kërpudhave sot janë “në përputhje me hulumtimin që ne kemi bërë gjatë viteve”, tha Edel McGinley, drejtor i MRCI, i cili është i përfshirë në projektin e quajtur “Kapërcimi i Kufijve, Thyerja e Kufijve” që shqyrton kushtet e punës për punëtorët emigrantë.

Bloomer tha se ndërsa disa punëtorë marrin “paga të mira”, shumë prej tyre lihen të lodhur nga orët e gjata dhe kushtet e punës, duke përfshirë problemet e veshkave nga temperaturat e ulëta në serrat e kërpudhave dhe problemet me sytë për shkak të ndriçimit të dobët.

Dhimbja në qafë dhe shpinë, si dhe alergjitë e lëkurës dhe problemet me frymëmarrjen, janë gjithashtu të zakonshme midis punëtorëve, sipas studimit të vitit të kaluar nga Universiteti Ulster.

Polina Malcheva, një oficere ndërlidhëse bullgare në Programin Ndërkulturor të Komunitetit në Irlandën e Veriut, tha se lëndimet në vendin e punës, veçanërisht dhimbja e shpinës dhe kyçeve të duarve, janë “shumë tipike për komunitetin bullgar”.

Në 99 për qind të rasteve, tha Malcheva, punëtorët presin të kthehen në Bullgari për të marrë trajtim. “Kujdesi mjekësor është i shtrenjtë në Irlandë dhe mbi të gjitha, të duhet të përkthesh të gjitha dokumentet që ke. Kjo është e tepërt dhe kjo është arsyeja pse rastet e lëndimeve në vendin e punës shpesh kalojnë pa u marrë vesh.”

Një punëtore emigrante, e cila foli për BIRN/Noteworthy në kushte anonimiteti, përshkroi se para disa vitesh kaloi një grip të rëndë në Irlandë dhe nuk qe në gjendje të gjente një mjek lokal që mund ta merrte atë nën trajtim si një paciente e re. Ajo përfundimisht gjeti një mjek nga Europa Lindore në një qark tjetër irlandez por, me vetëm tre javë leje si e sëmurë, asaj iu desh të kthehej shpejt në punë, edhe pse nuk ndihej mirë.

Frikë të ngrenë zërin

Pavarësisht vështirësive, shqetësimet e punëtorëve shpesh nuk raportohen, thonë ekspertët, për shkak të frikës nga pasojat që mund të kenë nga mbikëqyrësit të cilët shpesh janë nga i njëjti vend që vjen dhe forca punëtore ose të paktën flasin një gjuhë të përbashkët, siç është rusishtja.

Kur iu kërkua nga BIRN/Noteworthy të përmendte ndonjë problem të ngritur nga anëtarët në lidhje me problemet midis mbikëqyrësve dhe punëtorëve, Prodhuesit e Kërpudhave Tregtare, CMP, një organ i industrisë që përfaqëson 90 për qind të prodhimit të kërpudhave irlandeze dhe kultivuesve të tyre, nuk ofroi një përgjigje specifike. CMP tha se anëtarët e saj “operojnë sipas standardeve më të larta” dhe kontrollohen në mënyrë të pavarur nga Bord Bia dhe Sedex.

“Anëtarët tanë janë në përputhje me Sedex Members Ethical Trade Audit”, që është një nga auditete më të përdorura në botë”, tha ajo.

Por McGinley i MCRI tha se, për shumë punëtorë emigrantë, puna sezonale në Irlandë është “një litar shpëtimi për familjet e tyre në shtëpi”.

“Nëse doni të siguroni ushqim për fëmijët dhe familjet tuaja, frika e humbjes së punës nënkupton se shpesh njerëzit mendojnë se duhet të durojnë edhe kushte të këqija punësimi”, tha McGinley për BIRN/Noteworthy. “Njerëzit nuk duan ta humbin këtë mundësi.”

Sipas një anketimi të kryer nga organi irlandez i agro-hulumtimit Teagasc në vitin 2018, sektori më i gjerë i hortikulturës ka raportuar vështirësi në rekrutimin e stafit për shkak të “niveleve të ulëta të pagave, kushteve të këqija të punës dhe mungesës së akomodimit të përshtatshëm për stafin.”

Sipas raportit – bazuar në përgjigjet nga 20 kompani, përfshirë disa në sektorët e kërpudhave dhe frutave të buta – shumë prodhues thanë se ata nuk ishin në gjendje të rrisnin pagat dhe të përmirësonin kushtet e punës që do t’u mundësonte atyre të tërhiqnin më shumë staf.

“Kjo situatë përkeqësohet më tej nga praktikat joadekuate të rekrutimit, mungesa e akomodimit të përshtatshëm për stafin e ri dhe një nevojë e përgjithshme për të përmirësuar profesionalizmin në lidhje me menaxhimin e burimeve njerëzore”, tha raporti.

Inspektimet nga Komisioni për Marrëdhëniet në Vendin e Punës, WRC, një organ i pavarur që monitoron pajtueshmërinë me legjislacionin për të drejtat e punësimit, sugjerojnë gjithashtu që problemet nuk janë vetëm në sektorin e kërpudhave.

Në disa raste, problemi nuk është vetëm paga e ulët, por një mungesë totale pagese.

Të dhënat nga inspektimet e kryera në sektorët e frutave të butë dhe kërpudhave që nga viti 2017 tregojnë se WRC zbuloi 184,466 euro në paga të papaguara duke prekur mbi 3,300 punonjës.

Një raport i lëshuar për BIRN/Noteworthy nga një inspektim i WRC në 2019 në një fermë kërpudhash në Cavan zbuloi se disa punonjës “lejoheshin të punonin më shumë se një mesatare prej 48 orësh në shtatë ditë” në kundërshtim me Nenin për Organizimin e Orëve të Punës. Ky problem u korrigjua, sipas raportit.

Në tetor 2019, Gjykata e Punës vendosi në favor të një punëtore rumune e cila pretendoi se ajo punonte 81 orë në javë në një fermë tjetër kërpudhash në Co Tipperary.

Gjykata tha se ishte e kënaqur, në bazë të provave të paraqitura, se një javë pune prej të paktën 80 orësh ishte realiteti i rregullt për Ankimuesen dhe ajo ishte kompensuar në përputhje me rrethanat.

Katërmbëdhjetë vendime të tjera të WRC dhe Gjykatës së Punës që nga viti 2015 në lidhje me fermat e kërpudhave janë marrë plotësisht ose pjesërisht në favor të punëtorëve, sipas të dhënave në bazën e të dhënave të WRC, lidhur me shqetësimet me pagën, pagesën e orëve të tepërta dhe orëve të punës. Katër çështje u vendosën në favor të punëdhënësit gjatë kësaj periudhe.

Në përgjithësi, nga një analizë e 77 rasteve të lidhura me kompani hortikulture në bazën e të dhënave online të WRC nga viti 1988 deri më tani, rreth 30 raste u vendosën qartë në favor të punëdhënësit.

Në shumë raste, punëtorët kishin pohuar se ishin pushuar nga puna në mënyrë të padrejtë. Shqetësime të tjera të ngritura kishin lidhje me pretendimet për diskriminim, mosmarrëveshje mbi pagesat, normat e pagës, kohën e pushimit dhe pagat e papaguara.

Mungesë qasje në sindikatë

Ekspertët pajtohen se mungesa e përfaqësimit sindikal për punëtorët sezonalë është një pengesë e madhe.

Mick Brown, organizator për sektorin e bujqësisë, përbërësve, ushqimit dhe pijeve i SIPTU tha se sindikata kishte hasur vështirësi të mëdha në kontaktimin e punëtorëve emigrantë, të cilët “kanë frikë të flasin me këdo që do të vërë në rrezik të ardhurat e tyre”.

“Ata janë të frikësuar të flasin me ju, e jo më të përpiqen të bashkohen bashkë”, tha Brown.

Rhona McCord, koordinatore e komunitetit në Unite, sindikata më e madhe tregtare në Mbretërinë e Bashkuar, përshkroi takimin me punëtorët bullgarë në dhomën e pasme të një pubi, larg nga vendi i tyre i akomodimit, sepse kishin frikë se mbikëqyrësit e tyre do ta zbulonin këtë.

“Ata janë këtu për arsye ekonomik. Kanë absolutisht nevojë të mbijetojnë dhe kanë frikë se mos humbasin vendin e punës”, tha McCord.

“Nuk ka sistem mbështetjeje. Mund të mos kesh të drejtë për ndihmë sociale. Ndoshta nuk ke as familjen këtu. Pra, nëse humb vendin e punës, kjo mund të jetë shkatërruese për ty. Kështu që njerëzit janë të detyruar të durojnë akoma më shumë presion.”

Alexander Homits, një aktivist për të drejtat e punëtorëve që flet rusisht, shoqëroi përfaqësuesit e Unite dhe aktivistët bullgarë që të flisnin me punëtorët në vendet e akomodimit në Dublin dhe Louth për Keelings këtë verë, ku, ai na tha, ata patën një pritje armiqësore.

“Mbikëqyrësit rrinin te dyert e akomodimit dhe ndërsa punëtorët hynin brenda, ata i udhëzonin që të mos merreshin me ne. Ne kishim thjesht një broshurë në dorë me një përshkrim themelor të të drejtave të punëtorëve”, tha Homits.

Në një deklaratë, Caroline Keeling, drejtoreshë ekzekutive e Keelings, i tha BIRN/Noteworthy se ajo “respekton të drejtën kushtetuese të të gjithë punonjësve për t’u bashkuar me një sindikatë që ata dëshirojnë”, ndërsa stafi mund të përfitojë nga shërbimet e një menaxheri bullgar dhe një linje telefonike konfidenciale 24/7.

Ajo shtoi se gjatë periudhës në fjalë, rregulloret e COVID-19 ndaluan “vizitorët në çdo qendër akomodimi dhe të gjithë punëtorët sezonalë ishin shumë të vetëdijshëm për këtë”.

Elena, gruaja bullgare që përshkroi kushtet në Keelings dhe bashkatdhetari i saj Milko Pagurov, nga Plovdiv, i cili gjithashtu punoi për Keelings në 2018, të dy ishin përgjithësisht të kënaqur me përvojën e tyre me kompaninë irlandeze.

Megjithatë, ata ngritën shqetësime në lidhje me mbikëqyrësit, duke thënë se favorizonin disa punëtorë.

Pagurov, 37 vjeç, tha se ai dhe e dashura e tij ishin pushuar të dy nga puna në fund të muajit të dytë të kontratave tre-mujore, por se nuk kishin marrë asnjë mbështetje kur kishin shkuar te mbikëqyrësit e tyre për të pyetur përse dhe se cilat ishin të drejtat e tyre.

“Në vend që të të ndihmojnë, ata të pengojnë”, tha Pagurov. “Dhe unë nuk doja asgjë tjetër prej tyre, përveçse që ata të bënin punën e tyre. U ndjemë të përdorur.”

Si ai ashtu edhe Elena përmendën edhe raste të tjera të tjera pushimi të parakohshëm të punëtorëve.

Sipas agjencisë polake të rekrutimit të përdorur nga Keelings dhe e cila ka një degë në Bullgari, një situatë e tillë është e rrallë. Punonjësve zakonisht u ofrohet punë alternative në fushën e hortikulturës, me të njëjtën pagesë si çdo punonjës tjetër në Mbretërinë e Bashkuar, tha ajo.

Pagurov konfirmoi se atij dhe të dashurës së tij iu ofruan punë në një fermë tjetër në Skoci, por se ata refuzuan pasi do të duhej të shpenzonin më shumë para për të lëvizur dhe nuk e dinin se si do të ishin kushtet atje.

Keeling tha se “ekziston një periudhë standarde tetë javore për të mbrojtur të drejtat e punëdhënësit dhe të punësuarit” dhe se 95 për qind e të gjithë punëtorëve sezonalë i përfunduan kontratat e tyre në periudhën tre-vjeçare 2017-2019.

“Tarifa e agjencisë” paguhet me para të thata

Pagurov dhe Elena thanë se secili i kishte paguar nga 250 deri në 530 leva, afërsisht 125-270 euro, agjentit që i mori ata në punë në Bullgari, pavarësisht nga fakti se me ligj çdo kosto duhet të mbulohet nga punëdhënësi.

Elena tha se ajo pagoi 530 leva në 2017, dhe nga 470 leva për secilin nga dy vitet e ardhshme të punës.

Pagurov tha se, ndërsa agjencia kishte qenë e hapur për kushtet e punës, ati i dukej e çuditshme që duhet të paguante një tarifë agjencie prej 250 levash në dorë.

Sipas agjencisë polake të rekrutimit, pagesa ishte në fakt një tarifë opsionale për shërbimet e përkthimit.

“Tarifa sa vjen e po ulet çdo vit dhe nga 2021 Keelings do të mbulojë pjesën më të madhe të saj, tha pronari i agjencisë, Richard Sobiechowski, në një email. “Në vitin 2021 punëtorët do të paguajnë vetëm një tarifë totale prej 85 eurosh që mbulon shërbimet e përkthimit.”

Sipas Sobiechowski, punëtorët informohen para nisjes për kushtet që i presin.

“Punëtorët duhet të mos harrojnë që kjo është një punë në bujqësi pa asnjë garanci për numrin e orëve javore dhe se datat e punësimit mund të ndryshojnë gjatë kontratës së tyre për shkak të kushteve të këqija të motit ose dështimit të të korrave”, shkroi Sobiechowski.

Keeling tha se Keelings punëson punëtorë sezonalë duke përdorur “agjenci rekrutimi me reputacion” të cilat reklamojnë, intervistojnë dhe menaxhojnë procesin e rekrutimit dhe kërkesat e administratës.

Para nisjes nga Bullgaria, tha ajo për BIRN/Noteworthy, punëtorët sezonalë të rekrutuar kanë mundësinë e shërbimeve të caktuara që përfshijnë tarifa administrimi në lidhje me shërbimet e përkthimit të dokumenteve, si dhe shërbimet e transportit për fluturimet nga Bullgaria në Dublin.

“Në çdo kohë, punëtorët sezonalë janë të informuar në detaje në lidhje me shërbimet, qëllimin e këtyre shërbimeve, tarifat e tyre dhe faktin se ata janë të lirë t’i organizojnë dhe t’i paguajnë vetë këto shërbime”, tha Keeling.

Pavarësisht nga përvojat e tyre, Elena dhe Pagurov ende janë të etur për Irlandën.

Një muaj pasi u pushuan nga Keelings në 2018, Pagurov dhe e dashura e tij shkuan përsëri në Irlandën pasi gjetën punë të reja në turizëm përmes një grupi në Facebook për komunitetin bullgar në Dublin.

Në kohën e publikimit, Elena jetonte dhe punonte në Bullgari, por ëndërronte të kthehej në Irlandë me dy fëmijët e saj.

“Dëshiroj vërtet shumë të kthehem në Irlandë, tha ajo. “Atje është qetësi, shumë qetësi.”

Realizimi i këtij investigimi u mbështet nga një grant për fondin IJ4EU. Instituti Ndërkombëtar i Shtypit (IPI), Qendra Europiane për Gazetari (EJC) dhe çdo partner tjetër në fondin IJ4EU nuk janë përgjegjës për përmbajtjen e publikuar dhe çdo përdorim tjetër të këtij investigimi.

---- ----
----
-----
-----