Ballina Sport INTERVISTA/ Rrëfimi i Ilir Dajës: Nga merkato, derbi, tek titulli kampion

INTERVISTA/ Rrëfimi i Ilir Dajës: Nga merkato, derbi, tek titulli kampion

21
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -

Ilir Daja ka dhënë një intervistë të gjatë për RTSH Sport duke trajtuar shumë tema. Tekniku i Partizanit ka prekur si temën e merkatos së munguar, ashtu eedhe të grupit që ka në dispozicion, që sipas tij ka shumë vlera.

Daja ka mëshuar më shumë tek vazhdimësia e rezultateve, se sa tek fitoret e veçanta.

Trajneri kryeqytetas ndihet i vlerësuar që është i vetmi trajner që ka drejtuar të tre ekipet, Dinamon, Tiranën dhe Partizanin dhe pranon që karrierën e futbollit e ka nisur nga moshat e Tiranës.

Më poshtë, lexoni intervistën e plotë të trajnerit Ilir Daja për gazetaren e RTSH Sport, Trevisa Tufa.

Në momentin që u vendos që Partizani nuk do bënte merkato, shumë njerëz nuk kishin dyshime tek ju si trajner, por tek cilësitë e grupit që gjete. Por aktualisht jeni të parët…

Në nivel paragjykimi, unë nuk mendoj se kanë patur të drejtë. Unë një prej arsyeve që kam pranuar të jem tek Partizani, pavarësisht se është një respekt të marësh drejtimin e Partizanit, një nga ekipet më të titulluara në Shqipëri, pra një prej arsyeve ishte edhe se brenda këtij grupi kishte lojtarë cilësorë. Një trajner kur mer një ekip që ka objektiva maksimale, sigurisht që fokusohet edhe tek pjesa e lojtarëve që ka në dispozicion. Mendoj që nuk mund të bejnë pa njëri-tjetrin, si stafi pa lojtarët ashtu edhe lojtarët pa stafin. Prandaj është një binom që tek Partizani ekzistonte dhe prandaj ne besuam dhe vazhdojmë të punojmë fort me grupin për të marë maksimumin e mundësive që kemi.

Vendi i parë ndoshta është i lehtë për tu arritur, por më e vështirë është për tu mbajtur…

Kjo është shumë konkrete, sepse jemi vetëm në javën e 5-të. Mendoj që kemi bërë një start të mirë veç ndeshjes së parë. Madje edhe atë ndeshje me Kastriotin kemi patur një performancë të mirë të lojës. Por mendoj që vazhdimësia është një element shumë i rëndësishëm për të treguar se çfarë potenciali ka grupi dhe se ku duhet të arrijmë të gjithë bashkë në fundin e kampionatit.

Filozofia juaj është që edhe sulmuesit të ndihmojnë në aspektin difensiv duke ditur që nuk keni shumë alternativa në mbrojtje.

Kjo është 50% e punës.  Wshtë edhe pjesa tjetër, që nëse sulmuesit ndihmojnë në fazën e mbrojtjes, edhe mbrojtësit të ndihmojnë në fazën sulmuese. Kjo gjë u shpreh edhe ndeshjen ndaj Skënderbeut. Në këtë sens, mendoj që jemi një grup i plotë në të dy fazat e lojës dhe kjo është filozofia ime dhe e stafit, që edhe lojtarët po e përdorin shumë mirë edhe në fushë.

A do të vazhdoni të eksperimentoni në mbrojtje, me lojtarë që nuk janë të rolit, duke qënë se edhe alternativat i keni të kufizuara?

Në situatën që ndodhemi, çdo gjë është e paparashikueshme, sepse mund të kemi mungesa edhe në një moment që nuk ka dëmtime prezente. Situata e Covid-it mund të prek edhe një pjesë të lojtarëve tanë edhe pse shpresojmë shumë që kjo mos të ndodhw. Kështu që kemi disa alternativa; ose do të ndryshojmë vendosjen në mungesë të mbrojtësve, ose duhet të ndryshojmë manovrën e lojës, ose pastaj do aktivizojmë lojtarë të roleve të tjera për të mbuluar boshllëqet.

Nëse merkato nuk shbllokohet në 15 dhjetor që është edhe data e gjyqit. Sa mund të vazhdohet me këtë kontigjent lojtarësh?

Që të bësh një projekt afatgjatë në këtë lloj situate është pak e vështirë, por besoj se kontigjenti është i duhuri për të përballuar një pjesë të mirë të kampionatit, por patjetër që nëse do ishim situatë normale, nëse përforconim ekipin me role të dubluara do ta jepte një qetësi akoma më të madhe.

Nëse jepet drita jeshile për merkato, ku do të kërkoni përforcime, duke ditur që edhe janari nuk të jep shumë mundësi?

Nëse hapet merkato, kemi një projekt që të përforcohemi për të dyja ekipet. Siç e dimë përveç Partizanit në Superiore kemi edhe skuadrën B në Kategorinë e parë.  Sigurisht fokusi do të jetë në dublimin e roleve sidomos në repartin e mbrojtjes.

Me largimin e Trashit, titular është Hakaj. Si ka qënë paraqitja e shkodranit deri tani duke qënë se më parë nuk i është dhënë shumë besim

Për të folur për cilësitë e Trashit, mund ta përmbledh vetëm në një fjali; Ishte i vetmi lojtar i kampionatit shqiptar që është pjesë e formacionit të Kombëtares. Ajo që po shikoj tek Hakaj është fakti që po përmirësohet nga ndeshja në ndeshje. Pra, ajo mungesë e aktivizimit në kampionatin e kaluar bëri që në fillim të kishte pak probleme, por që shikoj që nga ndeshja në ndeshje po pozicionohet mirë dhe po përmirësohet dhe uroj që vazhdojë në këtë nivel.

Për sezonin e ri, Melo nuk po luan regullisht dhe në të kaluarën ka luajtur edhe si mbrojtës i djathtë tek Kukësi, gjë që mund ta bëj sërish për të ndihmuar skuadrën në rast emergjence. Mos ndoshta mungesa e tij është çështje disiplinore?

Mos-prezenca e Melos në formacionin titullar, e para është për faktin që në fillimin e përgatitjeve pati një dëmtim që e la shumë kohë jashtë planit stërvitor. Ne kemi një parim që ata lojtarë që stërviten regullisht, ata do të jenë primarët për të luajtur titullarë. Ka patur një moment nga ndryshimi i stafit, apo mënyra e lojës deri sa Melo e kuptoi që duhet të jetë pjesë e manovrës. Tani besoj se gjerat janë në normalitet, dhe besoj që Melo do të na ndihmoj si në aspektin e sulmit, sepse ka një diapazon të gjerë përpara, dhe pastaj patjetër që e kemi menduar që nëse jemi në emergjencë ai mund të na shërbejë shumë mirë edhe si mbrojtës krahu.

Të premten luhet derbi i kryeqytetit. Luani kundër Tiranës, ekip që ju keni luajtur me moshat e më pas e keni trajnuar.

Unë e kam filluar futbollin me një nga emrat më të mëdhenj të të gjitha kohërave, me Skënder Halilin, me grupmoshat e Tiranës deri në 15 vjeç. Më pas kam kaluar tek Dinamo për të vazhduar gjatë gjithë kohës si futbollist me Dinamon përveç dy viteve që kam luajtur me Besën e Kavajës. Mendoj që është ndeshja më e rëndësishme e kampionatit shqiptar. Kam qënë trajner edhe tek Dinamo edhe tek Tirana dhe sot drejtoj Partizanin. Mesa di, jam i vetmi trajner që kam drejtuar tre ekipet e kryeqytetit dhe ky është një bonus shumë i madh për mua dhe vlerësim shumë I madh në karrierë. Derbi asnjëherë nuk ka favoritë. Sido që të jetë gjendja e ekipeve për momentin, derbi është specifik. Do mundohemi jo që të ulim presionin, por ta kanalizojmë në sensin pozitiv në mënyrë që të vazhdojmë ecurinë e rezultateve të deritanishme.

A do ketë skuadra ndryshime në formacionin e derbit?

Ne sot kemi seancën e parë stërvitore pas ndeshjes me Skënderbeun.

Duke qënë se derbi luhet të premten dhe është shumë afër, sot pjesa e grupit që u aktivizua nga fillimi ka stërvitje riaftësuese, ndërkohë që pjesa tjetër ka një stërvitje me drejtim të përgjithshëm. Duke filluar që nga nesër do punojmë taktikisht për derbin dhe aty do shikojmë se cilët do jetë pjesa e lojtarëve që do të na duhet më shumë në raport me lojën tonë dhe kundërshtarin.

Rruga drejt titullit është shumë e gjatë sepse jemi në javën e 5-të. Por nëse fitoni derbin, a mendoni se kjo është një rrugë e mbarë drejt këtij objektivi të madh?

Fitorja në derbi na jep një aspekt psikologjik më të mirë për vazhdimësinë, por nuk do të thotë që me një fitore në derbi mbyllet kampionati. Ashtu si vlerësohet derbi duhen vlerësuar edhe ndeshjet e tjera, sepse në fund çdo ndeshje ka 3 pikë. Prandaj mendoj që element më i rëndësishëm se derbi është vazhdimësia nëse duam që në fund të kampionatit të pozicionohemi sa më mirë, sepse ne deri tani nuk e kemi përmendur fjalën “kampion”, por që të bëjmë më të mirën e mundshme dhe pse jo të marrim maksimumin.

---- ----
----
-----
-----