Ballina Sport INTERVISTA/ Kur Paolo Rossi rrëfehej: Karriera ime midis rënieve dhe ngritjeve

INTERVISTA/ Kur Paolo Rossi rrëfehej: Karriera ime midis rënieve dhe ngritjeve

34
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -

Pas Diego Armando Maradonës, bota e futbollit ka pësuar një tjetër humbje. Paolo Rossi, heroi i Italisë në Botërorin e vitit 1982 në Spanjë ka ndërruar jetë, si pasojë e një sëmundje të pashërueshme.

Rosi do të mbahet mend gjatë për Botërorin e Spanjës në vitin 1982, teksa ia doli të udhëhiqte Italinë drejt suksesit duke i shënuar një tregolësh Brazilit dhe më pas Gjermanisë në finale. Rosi ishte protagonist dhe arkitekt i atij udhëtimi të shkëlqyeshëm, duke u shpallur golashënuesi më i mirë i turneut dhe në të njëjtin vit ai fitoi Topin e Artë.

Ndërkohë në një intervistë dhënë më parë në media,Paolo Rossi përshkruan karrierën e tij nga fillimet me të rinjtë e Juventusit deri tek bastet e paligjshme dhe tek konsakrimi i Botërorit 1982 në Spanjë.

Intervista:

Të flasësh për karrierën e një kampioni të jashtëzakonshëm si Paolo Rossi nuk është ndërmarrje e lehtë pasi për ta bërë duhen marrë parasysh implikacionet dhe planet e shumta që ajo paraqet: një fat i përbërë nga kërcime lart, rënie dhe ringjitje siç u jepet në dhunti vetëm të mëdhenjve dhe që e ka shoqëruar besnikërisht duke e ngritur nga pluhuri i dyshimit në lavdinë më të madhe në harkun e një sekonde.

Metaforë e jetës dhe e hakmarrjes së fatit për disa ose ndoshta, në mënyrë shumë më prozaike, fryt i një pune të rëndë dhe i dëshirës për të mos hequr dorë edhe në momentet më të vështira, karriera e Paolo Rossi fillon tek të rinjtë e Juventusit midis dëmtimeve të ndryshme pavarësisht moshës së re dhe vazhdon me një huazim tek Como (1975) pa shumë gjurmë. Kthesa është pranë dhe konkretizohet vetëm një vit më vonë (1976) me kalimin tek Lanerossi Vicenza; është këtu që fillon përralla e Paolo Rossi dhe është këti që nis ngjitja drejt lavdisë që do ta ketë kulmin e saj në vitin 1982, pas parantezës së trishtuar të basteve të paligjshme, kur do të shfaqet përpara syve të të gjithë botës duke u bërë Pablito Mundial. Dhe është pikërisht nga Vicenza që duam të nisemi për ta rrëfyer këtë histori:

Zoti Paolo Rossi, le të fillojmë nga periudha tek L.R. Vicenza, nga 1976 deri më  1979, e cila qe për ju shumë e rëndësishme. Çfarë kujtimesh keni për këtë periudhë? Po për të madhin Giovan Battista Fabbri që ju stërviti në ato vite?

Tri vitet tek L.R. Vicenza kanë qenë vitet më të bukur të karrierës time. Aty kam shpërthyer dhe jam afirmuar si futbollist me staturës kombëtare dhe ndërkombëtare. Jam krenar për faktin që nga një shoqëri e vogël province kam arritur rezultate të paimagjinueshme si grumbullimi, debutimi në kombëtaren e madhe në vitin 1977 në Liezh dhe në Botërorin e radhës të Argjentinës në vitin 1978. Giovan Battista Fabbri ka qenë për mua si një baba i vërtetë, më ka rritur, stërvitur dhe këshilluar. Ia detyroj atij ndryshimin e rolit, nga sulmues i djathtë që isha më ka vendosur si qendërsulmues, intuita e tij rezultoi i jashtëzakonshme. Ka qenë një trajner i madh që adhuronte futbollin e bukur, në disa aspekte i ka paraprirë kohës, për të të gjithë duhej të ishin njëkohësisht mbrojtës dhe sulmues, mbrohet me 11 dhe sulmohet me 11, na thoshte gjithmonë. Sipas kredos së tij, të gjithë duhej të merrnin pjesë në mënyrë korale në lojë”.

Tri sezone të shkëlqyera tek Vicenza, pastaj, pas një traktateve me Napoli, ju refuzuat skuadrën kaltëroshe dhe shkuat tek Perugia (vera e vitit 1979). Refuzimi i Napoli u motivua nga presionet e tepruara: si ndodhi kjo zgjedhje? Dhe cilave presione u referoheshit?

“Në të vërtetë me Presidentin e Napoli Corrado Ferlaino u dëgjuam në telefon, ishte vitin 1979, dhe i shpjegova se nuk duhej t’i shërbeja skuadrës së tij vetëm për të bërë fushatën e abonimeve dhe asgjë më shumë. Si futbollist dhe për ambiciet e mia legjitime doja të kisha sigurinë se do të ishte në gjendje të ndërtonte një skuadër që do të mundësonte të arrija rezultate të mëdha, nuk doja të rrezikoja që të luaja për shumë vite pa fituar absolutisht asgjë. Vetëm 6 vite më vonë, me ardhjen e Maradonës, Napoli filloi që të jetë konkurrent për fitimin e kampionatit”.

Kështu kaluat tek Perugia. Vijmë në pranverën e 1980 kur shpërthen skandali i basteve: juve ju jepet një skualifikim prej 2 vjetësh. Si kini arritur ta lini prapa krahëve këtë episod? Dhe sa ka peshuar ai në jetën tuaj private dhe futbollistike?

“Episodi i basteve ka qenë shkatërrues për mua, ka qenë kryerja e një padrejtësie të madhe ndaj meje. Për një episod prej 90 sekondash kam humbur dy vite të karrierës time. Do të duhej të denoncoja një shokun tim të skuadrës që më kish prezantuar një tip i cili më tha se lojtarët e skuadrës me të cilën duhej të ndesheshim (të Avellino) qenë të prirur për barazimin dhe se do të më mundësonin që të shënoja. Përgjigja ime qe ajo që i thashë de do të duhej të dëgjonim të gjithë skuadrën, se unë i vetëm nuk mund të vendosja absolutisht asgjë dhe kështu ndodhi. Në darkë folëm dhe të gjithë e dinim, por askush nuk qe dakord në konsiderimin të mundur të një ndeshjeje të kombinuar dhe ndeshja u luajt në mënyrë shumë të rregullt. Ngushëllimi i vetëm moral qëndronte në faktin se mund të sillesha kudo me kokën lart pse nuk kisha kryer asgjë të paligjshme.

Në prill të 1982 përfundon dënimi: ju luani tri ndeshje me Juventusin, që ndërkohë ju kishte blerë, në kohë që të grumbulloheshit për botërorin në Spanjë. U la shtëpi Roberto Pruzzo, golashënuesi më i mirë në dy sezonet e mëparshme. Sipas jush, si ndodhi kjo zgjedhje? Ju të dy ishit tamam të papajtueshëm?

“Kur kam mbaruar skualifikimin, kam pasur fatin që të kthehem e të luaj me Juventusin, në pothuajse tri ndeshje kam qepur në bluze titullin tim të parë kombëtar. Kurse përsa i përket Pruzzo, besoj se nuk u grumbullua për në Spanjë pasi nuk qëndronte dukshëm në planet taktike të trajnerit Bearzot megjithëse shënonte në mënyrë të rregullt. Gjithmonë e kam çmuar Pruzzo, duhej të meritonte fat më të madh me fanellën kaltëroshe dhe jam i sigurtë se bashkë me të do të kishim mundur të bënim gjëra të mëdha”.

Botërori 1982: arritët në Spanjë midis kritikave të shumta nga shtpi italian. Pas një fillimi të vështirë, tëndin dhe të Italisë, shpërthimi në fazën e dytë: mundët Argjentinën 2 me 1 dhe Brazilin 3 me 2 me një trigolëshin tuaj. Mund të na i tregoni emocionet e kësaj ndeshjes së fundit?

“Itali – Brazil 1982 ka qenë ndeshja e jetës time. Ndoshta një prej ndeshjeve më të bukur dhe më ekzaltuese e të gjithë shekullit të kaluar. O brenda, o jashtë, në parajsë ose në ferr. Në 90 minuta kam luajtur pjesën më të madhe të reputacionit tim, kurrë nuk do ta kisha imagjinuar se do të hyja në histori për atë trigolësh magjik ndaj jeshilflorinjve. Goli i parë ka qenë goli më i rëndësishëm i karrierës time, ai që më ka mundësuar të zhbllokohesha pëerfundimisht. Është sikur të qenë hapur dyert e qiellit. Alternimi i emocioneve të kësaj ndeshjeje qe i jashtëzakonshëm, ne gjithmonë në avantazh dhe gjithmonë të arritur, brazilianët që nuk kënaqeshin me barazimin, donin të shkëlqenin, të fitonin, të paaftë për të administruar një rezultat, por ne i kemi bërë të paguajnë për mendjemadhësinë e tyre. ka qenë një fitore historike, e papërsëritshme dhe e merituar në çdo aspekt. Goli i anulluar i Antognoni, që do t’i kish mundësuar skuadrës tonë të shkonte në 4 me 2, ishte shumë i rregullt”.

Në më pak se një javë, Italia mundi Argjentinën e Maradonës dhe Brazilin e Zikos. Jo keq. Sipas jush, kush ishte më i miri prej dy numrave 10 të mëdhenj?

“Nuk mund të thuhet kush ishte më miri midis Maradonës dhe Zikos, dy jashtëklasë të vërtetë, por po rrezikoj duke thënë se në botërorin spanjoll Ziko kishte një gjendje psiko –fizike më të mirë, ishte në kulmin e pjekurisë së tij, ndërsa Maradona do të shpërthente 4 vite më pas, duke fituar me Argjentinën botërorin në Meksika ’86.”

Vijmë tek finalja kundër Gjermanisë Perëndimore, e fituar 3 me 1 (ju shënuat golin e parë): kujtime dhe emocione?

“Finalja kundër Gjermanisë ka qenë epilogu i duhur i një Botërori në ngjitje, e kemi filluar ngadalë, të kontraktuar dhe të frikësuar, por e kemi përfunduar në gjendje të shkëlqyer. Përshtypja imë ishte se në atë botëror të Spanja ’82, pasi janë mundur, shpartalluar dhe mbytur të dyja koracatat Argjentinë dhe sidomos Brazili, nuk kishte më skuadër në gjendje që të na përballonte. Gjermania, e cila ishte një skuadër e shkëlqyer më individualitete të mëdha si Rummenigge, Breitner, Littbaski, nuk e kishte forcën dhe cilësinë për të përballuar një Itali e cila ecte më 300 kilometra në orë, në maksimumin e shpejtësisë dhe e pakapshme. Presidenti Pertini qe njeriu më shumë i kësaj finaleje të shkëlqyer të Madridit, një tifoz i vërtetë, një njeri që diti të na japë ngarkesën e duhur për të përballuar një garë kaq delikate dhe të famshme”.

Ndeshja më domethënëse e karrierës tuaj? Cilën zgjidhni midis Itali – Brazil dhe Itali – Gjermani Perëndimore?

“Theksoj se Itali – Brazil ka qenë nëna e të gjitha ndeshjeve, një ndeshje epike për nga emocionet e forta që ka ditur të dhurojë deri në minutën e fundit, sigurisht që jo për ata me zemër të dobët, një garë e jashtëzakonshme midis 22 lojtarëve jashtëklase”.

Midis ndeshjeve më domethënëse të karrierës tuaj është me siguri edhe ajo finale tragjike e Kupës së Kampionëve Juventus – Liverpool e vitit 1985 në stadiumin Heysel: çfarë kujtimi keni për atë mbrëmje dramatike?

“Finalja e Kupës së Kampionëve të vitit 1985 në Heysel më ka lënë natyrisht një kujtim të keq dhe mjaft të trishtuar. Sigurisht që nuk mund të humbet jeta për një ndeshje futbolli dhe 39 të vdekur italianë janë shumë, tepër, në një smbrëmje që do të duhej të ishte një natë gëzimi dhe festimi për fitoren e parë të Juventusit në Kupën e Kampionëve. Kurse ajo është transformuar në një tragjedi të paparë. Forcat e pamjaftueshme të rendit dhe mosefikasiteti i policisë në brendësi të një stadiumi të vjetër e të papërshtatshëm nuk kanë arritur që të përmbajnë furinë e huliganëve”.

Të kthehemi e të flasim për futboll: pikërisht në atë periudhë ju luani me një tjetër numër 10 shumë të madh, Michel Platini. Çfarë mund të na tregoni për të?

“Michel Platini ka qenë futbollisti më i madh me të cilin kam luajtur. Kishte cilësi të jashtëzakonshme. I pajisur me një klas kristalin gjuante me të të dyja këmbët, i fortë dhe i pastër. I gjuante goditjet e dënimit me një saktësi të frikshme, ishte i shpejtë, i fortë dhe sidomos inteligjent. Përpara se ti vinte topi e dinte gjithmonë një fraksion sekonde më përpara se ku ta luante, dukej se kishte sy edhe pas koke. Për 3 vjet radhazi ka fituar Topin e Artë duke shënuar shumë gola, ka fituar një kampionat europian me Francën e tij dhe gjithçka që mund të fitohej me Juventusin”.

Lidhur me më të mëdhenjtë: kohët e fundit është ndarë nga jeta Socrates, lojtar i madh dhe personalitet i madh. Në vitet Tetëdhjetë qe e famshme “demokracia korintiase”: skuadra e Socrates në vetëmenaxhim dhe pa trajneri fitoi tri tituj. Juventusi i madh a do ta kish arritur një ndërmarrje të ngjashme? Do të ishte mundur një gjë e tillë në futbollin e sotëm?

“Shembulli i Korintiasit të Sokratesit me vetëmenaxhim pa trajner nuk mund të imitohet. Juventusi im, që ishte i stërfuqishëm, megjithatë e kishte nevojë një drejtues. Për të administruar një ekip prej 22 – 25 lojtarësh, megjithëse të zot, nevojitet një njeri me këllqe, përvojë dhe aftësie menaxhuese. Nuk besoj se tek ne do të ishte e mundur të përsëritej një përvojë e ngjashme duke pasur parasysh mentalitetin e futbollit tonë. Kush e bën formacioni, kush nxjerr në fushë futbollistët, kush i jep direktivat, përveçse një piloti që vendos se si dhe ku duhet të shkojë makina? Shoqëritë e futbollit nuk mund të administrohen në mënyrë anarkike”.

Të kthehemi në atë trigolëshin tuaj historik të 5 gushtit 1982: luhej në Barcelonë. Si do ta shikonit veten në skuadrën e Guardiolës?

“Barcelona e Guardiola është sot skuadra më e fortë e botës, po fiton gjithçka dhe kudo. Jam i bindur se me karakteristikat e mia do të kisha ecur për mrekulli me skuadrën e Pep-it. Ai parapëlqen futbollistë të shpejtë, shumë të zhdërvjellët dhe të aftë teknikisht. Filozofia e skuadrës katalanase e ka origjinën tek cantera, fëmijët stërviten me një mentalitet grupi, nuk luhet me individët, por të gjithë në shërbim të skuadrës”.

Edhe pse ka tri dekada diferencë, a mund të na bëni një krahasim midis Juventusit tuaj dhe Barcelonës së Messi?

“Nuk mund të krahasojmë skuadra që kanë bërë historinë e futbollit në epoka krejtësisht të ndryshme. Futbolli evoluon dhe atë të 30 viteve më parë nuk mund ta vëmë në krahasim me këtë të sotmin. Ai që i afrohet më shumë Barcelonës së sotme është Milani i Arrigo Sacchi, me të njëjtin personalitet dhe me të njëjtën dëshirë për të imponuar lojën e vet. Por nëqoftëse flasim për futbollistë të mëdhenj, unë besoj se nuk është një problem epokash, futbollistët e mëdhenj të dikurshëm do të ishin të mëdhenj edhe sot, Maradona, Platini, Zico dhe shumë të tjerë, sot do të bënin gjithsesi pjesën e luanëve“.

Bearzot, Liedholm dhe Trapattoni. Tri trajnerë fitimtarë që ju kanë stërvitur, tri xhentëlmenë. Çfarë kujtoni nga secili prej tyre?

“Bearzot ka qenë trajneri më i madh që unë kam pasur. Një njeri me aftësi të madhe, i vendosur, kokëfortë dhe njohës i madh i futbollit. Dinte të t’i përshkruante me pësosmëri të gjitha karakteristikat e kundërshtarëve dhe t’i përgatiste ndeshjet në mënyrë skrupuloze dhe të hollësishme. Për të gjithë lojtarët ka qenë si baba, të gjithë përpara tij qenë të barabartë dhe nuk ka përdorur kurrë favorizime në favor të askujt, i ka mbrojtur gjithmonë me forcë futbolistët e tij nga çdo sulm. Kredoja e tij ishte grupi të cilin ai, si askush tjetër, ka ditur të krijojë në brendësi të mjedisit të kombëtares, të gjithë duhej të mëshonin për një objektiv të vetëm. Kurse Trapattoni është në fakt një trajner i fortë me një karakter të hekurt, arrin të marrë gjithmonë maksimumin nga lojtarët e tij. Është një motivues i madh dhe di të menaxhojë me përsosmëri çdo situatë. Besoj se është trajneri në qarkullim që ka fituar kudo dhe më shumë se të gjithë”.

Po Liedholm?

“Kurse Liedholm ishte u kundërta e Trapattoni, gjithmonë i qetë dhe paqësor, të paktën në dukje, shumë inteligjent, dinte që t’i kapte gjithmonë lojtarët e tij duke u dhënë këshilla të çmuara. Ka qenë një profesionist i madh i vlerësuar nga të gjithë”.

Kapitulli i basteve: kthehemi përsëri. Kalojnë vitet, por emri juaj dhe imazhet e asaj periudhe na përcillen në mënyrë sistematike. Nëqoftëse ka pasur ndonjë gabim, ai është paguar rëndë. Pse shtypi ju përmend gjithmonë lidhur me këtë argument? Nuk do të ishte momenti për ta mbyllur me të kaluarën?

“Çdo herë që del ndonjë episod i lidhur me botën e basteve të paligjshme, përmendet gjithmonë skandali i parë që më pa të përfshirë pavarësisht përfshirjes sime. Edhe pse kanë kaluar më shumë se 30 vjet, problemi më djeg akoma pasi më është dashur të paguaj për diçka që nuk e kam kryer asnjëherë. Provoni të imagjinonin se fillimisht përfshiheni dhe më pas dënoheni pse nuk keni bërë asgjë. Unë jam dënuar duke humbur 2 vite të karrierës time pse kanë besuar në fjalët e një sharlatani për një episod 1 minutësh. Është tronditëse dhe e çmendur, por ka shkuar pikërisht kështu”.

Ju morët dy vite skualifikim. Kurse sot, duke parë shifrat dhe interesat e mëdha në lojë, mos do të ishte rasti për t’i ashpërsuar dënimet, duke parashikuar edhe përjashtimin?

“Në futboll dhe në sport rregullat dhe këto duhet respektuar e sidomos zbatuar. Nuk më takon mua të them nëse dënimet janë të buta apo të ashpra, sigurisht që kush gabon dhe që kryen parregullsi duhet ta dijë se do të ndeshet me dënime të caktuara”.

Përtej basteve, a ekzistojnë në futboll ndeshje me rezultatin e akorduar në të cilat skuadrat bien dakord për një rezultat që u vjen për mbarë të dyjave?

“Po, ndodh, por kjo ka ekzistuar gjithmonë. Është një lloj marrëveshje e heshtur dhe zakonisht ndodh në përfundim të kampionatit. Ndodh në rastin ku të dyja skuadrat kanë nevojë për një pikë, në fund e luajnë pa energji dhe pa e dëmtuar njëra tjetrën”.

Si ka ndryshuar futbolli nga kohët tuaja në sot?

“Futbolli ndryshon me ritmin e botës në përgjithësi. Futbolli sot është më i shpejtë dhe më dinamik sesa 20 vjet më parë, luhet me një shpejtësi të ndryshme dhe nuk ka më shumë kohë për të arsyetuar. Është më instiktiv dhe më pak reflektiv. Ka një profesionalizëm më të gjithë në të gjithë specialistët e fushës dhe qarkullon shumë më tepër para respektivisht epokës time. Televizionet dhe mediat i kanë dhënë një shikueshmëri të gjithë futbollit dhe botës së sportit në përgjithësi”.

Në përfundim, le të kthehemi në atë 5 korrik të 1982: 3 gola Brazilit më të fortë të historisë. Kanë kaluar 30 vjet, por duket sikur dje. Bluza që vishnit atë ditë ku ka përfunduar?

“Bluzën e Itali – Brazil të 1982 e ruaj me xhelozi në shtëpi, është një trofe nga e cila nuk do të hiqja dorë. Ka aromën e fushës, të djersës, të golave, të një fitoreje që u ka dhënë gëzim të përjetshëm të gjithë italianëve në të gjithë botën”.

Karriera juaj është zhvilluar midis pengesash të shumta: dëmtimeve, skualifikimit, sesioneve të trazuara të merkatos. Ku do të kishte arritur Paolo Rossi me qetësi më të madhe?

“Gjëja e vetme që nuk kam në jetën time janë pikërisht brengat. Do të ribëja saktësisht gjithçka që kam bërë, nga fillimi deri në fund. Nuk mund të thuhet ajo që një njeri do të kish mundur të bënte sikur të mos kish patur dëmtimet apo kualifikimet etj., etj.. Ndoshta do të kishte marrë më pak ose ndoshta më shumë nga ajo që kam pasur nga karriera ime, por me “nëqoftëse” dhe “po sikur: nuk ndërtohet absolutisht asgjë. Gjithçka që një njeri duhet të bëjë për të kërkuar të arrijë ndonjë objektiv është ajo që të mos ia lërë asgjë rastësisë, që të provojë deri në fund me seriozitet dhe profesionalizëm. 3 golat e Brazilit janë vetëm fruti ose pasoja logjike e këmbënguljes, e vullnetit dhe e përkushtimit”.

Përgatiti ARMIN TIRANA. TemA

---- ----
----
-----
-----