Ballina Sport Inter rinis përgatitjet të martën, zbulohet strategjia e merkatos së zikaltërve

Inter rinis përgatitjet të martën, zbulohet strategjia e merkatos së zikaltërve

16
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -

Pasi e mbyllën vitin me 7 fitore radhazi në kampionat, që e katapultuan në vendi ne dytë me vetëm një pikë më pak se Milani kryesues, futbollistët e Interit po vijojnë të shijojnë disa ditë pushime dhe do të rinisin stërvitjen vetëm ditën e martë.

Kështu më datën 29 në “Appiano Gentile” do të paraqiten të gjithë, futbollistë, staf teknik e drejtues, teksa fillimisht do të kryhen tamponët e më pas do të verifikohet gjendja e të dëmtuarve si Sanchez, Pinamonti e Vecino.

Ndërkohë po të martën pritet të mbahet edhe takimi mes Contes dhe drejtuesve zikaltër për të diskutuar për merkaton, pasi vetë tekniku i Interit e kishte paralajmëruar një diskutim të tillë për të përcaktuar strategjinë.

Burime pranë klubit milanez bëjnë me dije se presidenti Zhang ua ka barë të qartë drejtuesve dhe trajnerit Conte se nuk do të ketë buxhet ekstra për merkaton dhe se për të afruar lojtarë të rinj, duhet më parë të largohen të tjerë nga organika aktuale.

Emri i parë me valixhet gati është danezi Christian Eriksen, që me uljen e Maurizio Pocchetinos në pankinën e PSG-së, duket se do t’u bashkohet kampionëve të Francës, por pikërisht formula e transferimit do të vendosë shumë edhe për merkaton e zikaltërve.

Leonardo kishte propozuar më herët një shkëmbim kokë më kokë me mesfushorin argjentinas Paredes, emër që kishte gjetur edhe miratimin e Contes, por duket se Pocchettino dëshiron ta mbajë dhe ka udhëzuar drejtuesit të blejnë me para kesh kartonin e Eriksen.

Thënë ndryshe, nëse nuk do të realizohet shkëmbimi Eriksen-Paredes dhe danezi do të shitet me para kesh, shifra e arkëtuar do të përdoret për një tjetër mesfushor dhe në këtë rast i përzgjedhuri i Antonio Contes është argjentinasi tjetër Rodrigo De Paul.

Për të Udinese kërkon minimalisht 35 milionë euro, por marrëveshja mund të arrihet edhe për një shifër prej 25 milionë eurosh, plus kartonin e ndonjë futbollisti zikaltër që nuk bën pjesë në planet e Contes, por kujdes, pasi për De Paul së fundi është futur në garë edhe Juventusi.

Sa i përket sulmit, është tashmë e qartë që Conte nuk beson te Andrea Pinamonti dhe ka kërkuar një tjetër futbollist për atë repart, ndërsa emri më i lakuar së fundi është ai i sulmuesit nga Begu i Fildishtë, Gervinho.

Ky i fundit luan me Parmën dhe është një njohës mjaft i mirë i kampionatit italian, pasi më herët ka veshur edhe fanellën e Romës, ndërsa pavarësisht 33 viteve mbi supe, mund të luajë fare mirë si në krah të Lukakut, ashtu edhe në vend të belgut, me Lautaro Martinezin partner.

Marotta dhe Ausilio kanë nisur negociatat me Parmën, të cilës janë gati t’i ofrojnë një shkëmbim huazimesh mes Pinamontit e Gervinhos, ndërsa vetë sulmuesi ka shtuar presionin ndaj emilianëve, duke ua bërë të qartë dëshirën për të kaluar në Milano.

Antonio Conte kërkon edhe një anësor të majtë, pasi aktualisht ka në dispozicion vetëm anglezin Ashley Young, ndërsa drejtuesit e Interit shpresojnë të arrijnë të marrin në huazim spanjollin e Chelsea-t, Marcos Alonso, i cili nuk bën pjesë në planet e Lampard dhe stërvitet i veçuar prej dy muajsh.

Ndërkohë vlen të theksohet se dy objektivat madhorë të merkatos së zikaltërve janë pikërisht Papu Gomez dhe Arkadiuz Milik, dy futbollistë që kanë probleme me klubet përkatëse dhe janë me valixhet gati, por për të parin duhen rreth 10 milionë euro dhe për polakun rreth 18 të tilla.

Për të synuar blerjen e kartonëve të tyre, te Interi duhet që fillimisht të shesin dhe emra si Nainggolan, Vecino e Perisic, vështirë se mund të sjellin para mjaftueshëm për të sponsorizuar blerjen e tyre, ndaj momentalisht Gomez dhe Milik mbeten vetëm dëshira.

---- ----
----
-----
-----