Ballina LifeBizare Ilaçi i ri për Alzheimer përplas shkencëtarët

Ilaçi i ri për Alzheimer përplas shkencëtarët

13
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -

Shkencëtarët po debatojnë mbi vendimin e rregullatorit amerikan të ilaçeve për miratimin e një ilaçi të ri për trajtimin e Alzheimerit, i pari në njëzet vjet. Miratimi nga Administrata e Ushqimit dhe Ilaçeve nuk mori parasysh paralajmërimet nga ekspertët e saj të pavarur se trajtimi nuk ka treguar një ngadalësim të sëmundjes që dobëson funksionimin e trurit, por tani autoritetet e tjera rregullatore në të gjithë botën mund të rishikojnë studimet e debatueshme të këtij ilaçi.

Administrata e Ushqimit dhe Barnave tha se ka miratuar përdorimin e ilaçit ‘aducanumab’ të kompanisë Biogen bazuar në rezultatet që tregonin “shanse të arsyeshme” se mund të sillte përfitime për shëndetin e pacientëve me Alzheimer.

Ky është ilaçi i vetëm që rregullatorët amerikanë thonë se ka gjasa të trajtojë shkaqet e sëmundjes, e jo thjesht të menaxhojë simptomat si ankthi dhe pagjumësia.

Vendimi, që mund të ketë ndikim tek miliona amerikanë të moshuar dhe familjet e tyre, pritet të shkaktojë mosmarrëveshje midis mjekëve, studiuesve dhe grupeve të pacientëve.

Ai gjithashtu ka pasoja të gjera mbi standardet e përdorura për të vlerësuar terapitë eksperimentale, përfshirë ato që tregojnë vetëm përfitime të vogla.

Profesori i Neurologjisë në Kolegjin e Londrës, Jonathan Schott nuk pret që ky të jetë ilaçi më i rëndësishëm për trajtimin e alcajmerit. Por, Dr. Schott, i cili gjithashtu është një nga studiuesit kryesor në organizatën e Studimit të Alcajmerit në Britani, beson se ilaçi i ri do të jetë një hap i rëndësishëm që do të tërheqë investime nga kompanitë farmaceutike.

“Ilaçet e para që miratohen për përdorim nuk janë domosdoshmërisht më të mirat. Ato në fund mund të mos përdoren shumë, por ato janë një nxitje e madhe për vazhdimin e investimeve”, thotë ai.

Vendimi për miratimin e ilaçit u mirëprit edhe nga të afërmit e pacientëve me alcajmer, si Emily Allen, nëna e së cilës u diagnostikua me alcajmer 11 vjet më parë kur ajo ishte vetëm gjashtëdhjetë vjeç.

Allen thotë se pacientëve me një sëmundje kaq degjeneruese afatgjatë duhet t’u jepet mundësia të provojnë ilaçe të reja si ‘aducanumab-i’.

“Nuk ka asgjë për Alzheimerin në këtë moment, dhe ky ilaç është i dobishëm vetëm në fazat e hershme të sëmundjes, që do të thotë se tani është vonë për shumë njerëz. Unë mendoj se nuk është e drejtë të jesh kaq i përmbajtur rreth një sëmundjeje që ndikon rëndë tek e gjithë familja”, thotë ajo.

Alzheimeri shkaktohet nga ndërtimi i proteinave anormale të amiloidit dhe taut në tru. Kjo çon përfundimisht në humbjen e qelizave të trurit dhe shkakton ndryshime kimike që çojnë në simptoma të alcajmerit si humbja e kujtesës.

Ilaçi i ri, ‘aducanumab’ përqëndrohet tek amiloidi, duke krijuar një përgjigje të sistemit imunitar ndaj tij.

“Ilaçet që kemi pasur deri më sot, të licensuara gati 20 vjet më parë, rrisin kimikatet e trurit tek pacientët me alcajmer, por nuk bëjnë asgjë për të trajtuar proceset themelore si akumulimi i proteinave anormale. Ky ilaç, ‘aducanumabi’ u krijua për të pastruar proteinat amiloide nga truri. Dhe ne mendojmë se akumulimi i amiloideve fillon shumë vite para shfaqjes së simptomave”, thotë Dr. Schott.

Kërkimet si ai në Spitalin Charing Cross të Londrës kanë kontribuar në dy studime të shqyrtuara nga Administrata amerikane e Ushqimit dhe Ilaçeve.

Dr. Schott thotë se mosmarrëveshjet rreth gjetjeve përqendrohen në faktin nëse dy studimet tregojnë se ka patur përmirësime të kujtesës tek pacientët e trajtuar me ilaçin e ri.

Administrata e Ushqimit dhe Ilaçeve i pranoi “pasiguritë e mbetura” rreth ilaçit, por tha se aftësia e tij për të zvogëluar grumbujt e dëmshëm të pllakëzave në tru pritet të ndihmojë në ngadalësimin e demencës.

Ilaçi i ri i prodhuar nga kompanitë Biogen dhe Elsai.Co është miratuar për përdorim tek pacientët që janë në fazat e hershme të Alzheimerit dhe një nga sfidat më të mëdha është diagnostikimi i saktë i sëmundjes. Për zgjidhjen e këtij problemi është duke punuar një laborator në Universitetin e Lundit në Suedi, i cili po bënë studime mbi një test eksperimental gjaku për të lehtësuar diagnostikimin e sëmundjes./ VOA

The post Ilaçi i ri për Alzheimer përplas shkencëtarët appeared first on KOHA.

---- ---- ----
-----