
“Dialogu me Zlatanin vazhdon” – tha zëdhënësi i federatës suedeze, Jakob Kakembo Andersson, duke shtuar se lista për ndeshjet e ardhshme do të shpallet në 16 mars.
Ky lajm sensacional raportohet nga faqja e internetit e Footbolldirekt. Ibra, i cili me fanellën e Suedisë ka koleksionuar 116 paraqitje dhe ka shënuar 62 gola, nuk ka veshur fanellën e ekipit kombëtar që nga Euro 2016.
Afrimet e para datojnë në vjeshtën e kaluar, kur suedezi 39-vjeçar pranoi se kishte nostalgji për ekipin kombëtar. Në nëntor pati një takim në Milano, i përcaktuar si “i frytshëm”, me përzgjedhësin Janne Andersson, ndaj të cilit sulmuesi i Milanit nuk kishte kursyer disa kritika në të kaluarën.
Ibra aktualisht është ndalur për shkak të një dëmtimi të ri të muskujve dhe kthimi i tij në fushë është planifikuar të ndodhë më 21 mars, kundër Fiorentinës.
Nëse nuk do të ketë pengesa, më 16 mars ai do të jetë gjithashtu në listën e Suedisë, gati 5 vjet pas ndeshjes së fundit, që ishte kundër Belgjikës në Europian 2016.