Ballina Teknologji I riu rumun shpik softuerin për menaxhimin e COVID-19: Ambulanca vonohej tri...

I riu rumun shpik softuerin për menaxhimin e COVID-19: Ambulanca vonohej tri ditë!

69
SHPËRNDAJE

Andrei Patrasku është një sipërmarrës i ri rumun të cilit, bashkë me miqtë e tij programues kompjuterash, i lindi ideja e një programi revolucionar për menaxhimin e rasteve me koronavirus dhe ngadalësimin e pandemive, shkruan faqja e njohur thetrustword.com.

Më shumë se kaq, ata thonë se ky program do të jetë në gjendje të menaxhojë edhe informacionin për çdo sëmundje ,me ndihmën e bazës së të dhënave të përparuara.

TTW: Si ju erdhi ideja e softuerit “PANDEMICS”? Çfarë bën ky program?

Andrei P: Ideja erdhi nga një përvojë e hidhur pas një telefonate të dështuar në numrin 112. Pse dështoi? Sepse gjatë kësaj telefonate na u tha se ambulanca do të vinte pas tri ditësh! Ishte një kohë kur e kuptuam se shtetet mund të kolapsohen shumë lehtë nga situata në kushtet ekstreme të një krize dhe filluam të mendonim se si mund ta ndihmonim shtetin tonë dhe popullin rumun për të kapërcyer këtë situatë vërtet të jashtëzakonshme.

Dhe për shkak se miqtë e mi kanë përvojë të madhe si programues, krijimi i një programi mjekësor ishte hapi për të cilin menduam menjëherë. Softueri ynë është krijuar si një integrues i të dhënave duke bërë një lidhje të menjëhershme dhe të vazhdueshme midis pacientëve, sistemit mjekësor dhe autoriteteve shtetërore.

Programi ndihmon shumë në krijimin e momentit të çastit, gjenerimin e komunikimit të drejtpërdrejtë midis tre faktorëve të rëndësishëm (pacienti-mjek-autoritet shtetëror) dhe verifikimin e menjëhershëm të çdo pacienti. Pra, përdorimi i aplikacionit përmirëson kohën e përgjigjes dhe bën të mundur propozimin për masat e duhura – izolimin ose trajtimin e bazuar në një histori të detajuar, dhe rezultati është kufizimi i përhapjes së faktorëve ngjitës në komunitet. Programi ynë është i gjithanshëm sepse ai mund të dizajnohet për të gjurmuar çdo sëmundje.

TTW: Kjo gjë tingëllon shumë komplekse. A e keni ju përvojën e nevojshme profesionale për zbatimin e një projekti të tillë?

Andrei P: Po, ekipi ynë teknik ka përvojën e duhur për aplikimin e këtij softueri. Për më tepër, ne jemi të hapur për të punuar me përfituesit e tij për të rregulluar programin që do të përmbushë nevojat e çdo sistemi mjekësor. Ne kemi një programim të gjerë në internet dhe përvojë në zhvillimin e internetit, të provuar me kontrata të shumta dhe me punë me banka, dyqane të mëdha me pakicë dhe, kryesisht, në të gjitha fushat tregtare. 15 vjet zbatim zgjidhjesh teknike komplekse, ndërthurje përvojash në harduer dhe softuer, na kanë sjellë në këtë çast kur ne po përdorim përvojën tonë për një softuer që mund të dëshmohet i paepur në luftimin e përhapjes Covid-19.

TTW: Cilat janë gjërat më të rëndësishme që softueri PANDEMICS mund të bëjë?

Andrei P: Zgjidhja jonë teknike krijon një bazë të dhënash me njerëzit që kanë simptoma specifike për virusin Covid-19. Aplikacioni (baza e të dhënave) mund të konfigurohet edhe për llojet e tjera infeksionesh si fruthi, variçela, gripi i rëndë e tjerë. Pacienti do të japë me hollësi simptomat e tij bazuar në një formë të paracaktuar dhe duke shtuar detaje në lidhje me udhëtimet jashtë vendit ose takimin e personave të tjerë, ndoshta të infektuar.

Në varësi të simptomave ose hollësive të paraqitura, mund të njoftohen institucionet përgjegjëse për administrimin e situatave emergjente. Një aspekt shumë i rëndësishëm është që zgjidhja jonë teknike do të jetë në gjendje të integrohet me zgjidhje të tjera teknike të zhvilluara më parë për menaxhimin e situatave emergjente nën administrimin e autoriteteve si Ministria e Brendshme, Ministria e Shëndetësisë, autoritetet e shëndetësisë locale, spitalet e tjerë.

Aplikacioni është krijuar nga njëra anë për të gjeneruar sa më qartë dhe më shpejt që të jetë e mundur një përmbledhje kur një person është në vështirësi mjekësore dhe kërkon ndihmë. Bazuar në detajet e marra menjëherë përmes softuerit tonë, mjekët mund të identifikojnë dhe kuptojnë situatën në të cilën ndodhet një pacient i mundshëm. Kjo do të thotë që koha e përgjigjes nga mjekët dhe autoritetet do të përmirësohej në mënyrë drastike në situata krize, siç janë ato që po kalojmë tani.

Gjithashtu, autoritetet mund të ofrojnë mbështetje për një numër shumë më të madh pacientësh në një kohë shumë më të shkurtër, duke kontribuar kështu me vendosmëri në ngadalësimin ose ndërprerjen totale të përhapjes së virusit, në një mënyrë shumë efikase dhe të centralizuar. Në kohë krizash, më shumë raste mund të zgjidhen brenda një kohe shumë të shkurtër, burimet shtetërore mund të menaxhohen më mirë dhe mund të drejtohen strategjikisht, shumë më me efikasitet, në varësi të zonave të prekura. Për më tepër, softueri lejon hyrjen në të gjithë zinxhirin e personave apo institucioneve të interesuara, duke krijuar lidhjen kryesore direkte midis pacientit dhe spitalit, pa qenë e nevojshme një ndërhyrje e mjekut.

Supozoni se një person që ka aplikacionin tonë të instaluar në telefon po ndjehet i sëmurë, duke paraqitur simptomat tashmë të njohura për infeksionin koronavirus. Ai ose ajo mund të prezantojë simptomat e hollësishme në aplikacion dhe do të marrë opinionin mjekësor nga spitali më i afërt sa më shpejt që të jetë e mundur, në varësi të simptomave të përmendura.

Që nga ai moment, personi do të bëhet një pikë në një hartë të gjeneruar nga softveri dhe do të jetë në vëmendjen e autoriteteve si një rast i mundshëm Covid-19. Sistemi mund të dërgojë njoftime te mjeku apo institucioni që ka akses në të dhënat e personit që dyshohet se është infektuar me koronavirus, në rast se personi përkatës kthehet me hollësi në lidhje me situatën e tij apo të saj. Kështu, ne fakt krijojmë një regjistër mjekësor në internet, në të cilin të gjithë personat me të cilët pacienti do të bashkëveprojë do të kenë qasje, në rast se ai apo ajo duhet të shtrohet në spital.

TTW: Polonia tashmë ka një softuer të tillë. Pse mendoni se është e rëndësishme që vendet e tjera të ndjekin këtë rrugë?

Andrei P: Polonia na tregon një shembull mobilizimi në kontekstin e krizës së koronavirusit. Për më tepër, fakti që autoritetet polake janë të hapura për përdorimin e programeve inovative, që mund të ndihmojnë për të menaxhuar krizën, tregon për qeveri të orientuara drejt efikasitetit dhe, natyrisht, ndaj njerëzve të saj. Ne jemi të gatshëm të ndihmojmë në zbutjen e krizës së koronavirusit duke bërë punën tonë.

TTW: Si mund të përfitojnë vendet e tjera nga programi kompjuterik i krijuar nga ju?

Andrei P: Mjedisi online në rajonin tonë është mjaft i zhvilluar, pasi një përqindje shumë e madhe e njerëzve kanë qasje në internet, gjë që ndihmon shumë në përdorimin e softuerit PANDEMICS. Softueri mund të promovohet në internet shumë shpejt dhe ne do të përfshihemi drejtpërdrejt në të.

Por, ndihma e shtetit është thelbësore. Njerëzit mund të ndihmojnë në popullarizimin e të dhënave me softuer, duke ndihmuar kështu që institucionet të jenë në gjendje të menaxhojnë më mirë situatën aktuale të krizave. Njerëzit mund të përfitojnë nga koha e reagimit nga autoritetet (një problem shumë i madh gjatë kësaj periudhe) dhe një menaxhim shumë më i mirë i burimeve të përdorura nga to.

Në kohë krizash, koha dhe burimet materiale janë të rëndësishme dhe ndihmojnë për të shpëtuar jetën e njerëzve. Softueri ynë mund të jetë një pjesë thelbësore e këtij sistemi.

The post I riu rumun shpik softuerin për menaxhimin e COVID-19: Ambulanca vonohej tri ditë! appeared first on LajmiFundit – Lajmet e Fundit nga Shqiperia.