Ballina Sport Hysaj titullar, Napoli shkatërron Fiorentinën

Hysaj titullar, Napoli shkatërron Fiorentinën

11
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -

Napoli merr fitoren e dytë radhazi në kampionat, këtë herë me rezultatin e thellë 6-0 ndaj Fiorentinës në stadiumin “Diego Armando maradona” dhe ngjitet përkohësisht në vendin e tretë, me 34 pikë të grumbulluara.

Skuadra e Gattusos e nisi vrullshëm ndeshjen dhe gjeti golin e avantazhit që në minutën e 5-të, kur pas një kombinimi të mirë mes Lozanos, Petagnas dhe Insignes, ishte pikërisht kapiteni napolitan që dërgoi topin në rrjetën e portës së Dragowskit.

Goli i Napolit zgjon Fiorentinën, që me kalimin e minutave fiton terren dhe shkon disa herë rrezikshëm në portën e vendasve, por dy herë portieri kolumbian Ospina me pritjet e tij dhe një herë traversa, i mohojnë skuadrës vjollcë golin e barazimit.

Në momentin më të mirë të Fiorentinës, Napoli zbriti në një kundërsulm të shpejtë dhe ishte mesfushori Diego Demme, që u shërbye saktë në qendër të zonës nga Andrea Petagna dhe shënoi golin e dytë.

Vetëm dy minuta më vonë ishte Insigne që pasi “vallëzoi” mes futbollistëve kundërshtarë, shërbeu saktësisht për Lozanon në zonë dhe sulmuesi meksikan nuk e pati të vështirë të shtyjë topin në rrjetë, ndërsa pak para fundit të pjesës së parë ishte polaku Zielinski që çoi shifrat në 4-0, me një goditje nga distanca.

Pjesa e dytë u luajt nën reshjet e një shiu të dendur që binte në Napoli dhe Fiorentina provoi të rihapë ndeshjen por nuk ia doli, ndërsa në minutën e 72’të Insigne shënoi edhe golin e 5-të për vendasit, pasi ekzekutoi saktë një penallti.

Goleadën e napolitanëve e kompletoi ish sulmuesi i Interit, Matteo Politano, i cili pasi mori një top në krah, depërtoi bukur drejt qendrës dhe lëshoi një goditje të saktë nga jashtë zonës së 16-metrave, duke e dërguar sferën në rrjetë.

Me shifrat 6-0 dhe me rikuperimin e emrave si Koulibaly, Manolas e Dries Mertens, Napoli i çon një sinjal Juventusit në prag të Superkupës së Italisë, në plan për të mërkurën, ndërsa Fiorentina vijon “të notojë në ujëra të turbullta”.

---- ----
----
----- ----
-----