Ballina Lajme nacionale Humbin dy miliardë euro kontribute pensionale për shkak të papërgjegjësisë së institucioneve...

Humbin dy miliardë euro kontribute pensionale për shkak të papërgjegjësisë së institucioneve të Kosovës

12
SHPËRNDAJE

Dy miliardë euro kontribute pensionale humbin për shkak të papërgjegjësisë së institucioneve të Kosovës.

Mungesa e reagimeve institucionale nga ana e shtetit të Kosovës ka bërë që çështja e kthimit të pensioneve nga ana e Serbisë për rreth 60 mijë pensionistë kosovarë të konsiderohet e mbyllur.

Opinionet e vazhdueshme që ka dërguar shteti i Serbisë për zbatimin, sipas tyre, të vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ), i njohur si rasti Grudiç, i cili obligonte Serbinë që të paguante pensionet e ndalura në vitin 1999 për të gjithë pensionistët, si dhe mungesa e një opinioni të vetëm të dërguar nga shteti i Kosovës, kanë bërë që Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës, që është përgjegjës për mbikëqyrjen e zbatimit të vendimeve të GJEDNJ-së ta mbyllë këtë çështje në dhjetor të vitit 2017. Vlera e kontributeve që Serbia obligohej t’ua kthente pensionistëve është afro 2 miliardë euro.

I vetmi opinion që ishte dërguar në këtë komitet nga Kosova, ka qenë ai i Institucionit të Avokatit të Popullit, në vitin 2016, i cili, sipas Avokatit Hilmi Jashari, ndonëse ka sqaruar shumë mirë problemin, nuk është marrë parasysh, pasi që po ai është dërguar kur procesi ka qenë në hapin e fundit, shkruan sot Koha Ditore.

As Qeveria, e as Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale nuk kanë kthyer përgjigje, lidhur me atë se cilat kanë qenë veprimet që kanë ndërmarrë në të kaluarën lidhur me pensionet e ndalura nga Serbia, si dhe mosekzekutimin e vendimit të Gjykatës në rastin Grudiç nga ana e Serbisë, si dhe pse nuk e kanë dërguar asnjë opinion në Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës, lidhur me këtë rast, ashtu siç ka vepruar Serbia, apo nëse konsiderojnë se ka ndonjë formë që pensionet e kosovarëve të ndalura nga Serbia të paguhen ndonjëherë.

Në vendimin e Gjykatës së Strasburgut të datës 17 prill 2012 u ishte dhënë e drejta për kthim të pensioneve të ndërprera në vitin 1999 dy pensionistëve nga Mitrovica me mbiemrin Grudiç, të cilët për t’u ankuar në Strasburg ishin shpërngulur në Novi-Pazar, pasi që kjo Gjykatë nuk shqyrton ankesat e banorëve të shteteve që nuk janë anëtare të Këshillit të Evropës. Me këtë aktgjykim, sipas opinionit të Avokatit të Popullit, u është njohur e drejta edhe të gjithë paditësve potencialë, për marrjen e mjeteve nga Fondi për Sigurim Pensional dhe Invalidor (SPDIF).

-----