Ballina Arti Historia tragjike e sagës Alizoti: Nga Fejziu, ministri i Zogut që u...

Historia tragjike e sagës Alizoti: Nga Fejziu, ministri i Zogut që u pushkatua me ‘Gjyqin Special’, te i biri, Rizai, i diplomuar në Oksford, që e varën në litar në Kuçovë

13
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -
Memorie.al publikon historinë e panjohur të familjes Alizoti me origjinë nga qyteti i Gjirokastrës dhe me prejardhje nga Turiqa, ku një nga pinjollët më të dëgjuar të saj, Fejzi bej Alizoti, i diplomuar për Administratë Civile në Stamboll, pasi shërbeu disa vite si Mytesarif në Liban dhe vende të tjera që ishin nën ‘hyqmin’ e Portës së Lartë, në 1905-ën u kthye në Shqipëri, ku u emërua si prefekt i Korçës dhe më krijimin e qeverisë së Vlorës në nëntorin e 1912-ës, nën kryesimin e Ismail Qemalit, ai u emërua si sekretar shteti dhe Ministër i Punëve të Brendshme në vëndin vakant të Esat Pashë Toptanit. Angazhimi i Fejzi beut në politikë duke u zgjedhur si deputet i Gjirokastrës dhe ministër i Financave në qeverinë e Iljaz Vrionit në vitin 1927, si dhe sekretar shteti e ministër i Financave në qeverinë e kryesuar nga Shefqet Vërlaci në vitin 1941, si dhe Komisar i Jashtëzakonshëm i qeverisë shqiptare në Kosovë, gjë të cilat u bënë shkak që ai të arrestohej nga komunistët në nëntorin e ’45-ës dhe të dënohej me vdekje në ‘Gjyqin Special’. Historia tragjike e familjes së Fejzi bej Alizotit që u persekutua nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, duke filluar nga i biri, Rizai, i diplomuar në Oksford, që u ekzekutua me varje në litar në mes të Kuçovës në vitin 1947, tek pasardhësit e tjerë që vuajtën në kampe dhe burgje deri në shëmbjen e regjimit komunist të Enver Hoxhës.

Nga Dashnor Kaloçi

Prejardhja e familjes Alizoti

Origjina e familjes Alizoti e cila në vitet e para të shekullit të kaluar ka qenë një nga familjet më me emër në të gjithë jugun e Shqipërisë, është nga qyteti i Gjirokastrës, ku në vitin 1910 u lind edhe Riza Alizot. Ajo familje e ka prejardhjen prej Alizot Pashait, i cili sipas dokumentave osmane, u caktua nga Porta e Lartë si Vezir (Pasha) i Janinës në vitin 1784, e qëndroi në atë ofiq deri sa u rrëzua nga Ali Pashë Tepelena, i cili i mori dhe kryesinë e pashallëkut. Babai i Rizait ishte Fejzi Alizoti, i cili ka lindur në Gjirokastër në vitin 1868 dhe që në moshë fare të vogël ai u dërgua në Stamboll, ku dhe u shkollua duke mbaruar “Mylqijen”, e cila nxirrte kuadro për administratën otomane, si jurist, financier e diplomatë, etj. Në atë shkollë, që asokohe njihej si një nga më prestigjozet e Turqisë, ishte shkolluar dhe babai i Fejziut (Hasan Alizoti), i cili ishte diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë së kryeqëndrës së Perandorisë Osmane dhe pas diplomimit, ai ushtroi profesionin e avokatit po në Stamboll. Fejziu, shkollën “Mylqije” e mbaroi me rezultate shumë të larta dhe më pas ndoqi universitetin në degën Ekonomi dhe Administratë Civile, duke u titulluar si Mytesarit (Prefekt) dhe u emërua në Liban, e në shumë shtete të tjera arabe, që asokohe bënin pjesë në Perandorinë Osmane.

Pas një kohe të gjatë shërbimi ndaj Portës së Lartë, Fejzi Alizoti u lejua të kthehej në Shqipëri, po me detyrën e Mytesarifit, që kishte kryer në atdheun e tij në vitin 1905 dhe u caktua në qytetin e Korçës me detyrën e Prefektit, ku punoi deri në vitin 1912. Gjatë viteve që punoi si Prefekt i Korçës, Fejziu u kujdes shumë për arsimin shqip dhe arriti të rihapë një shkollë shqipe që ishte mbyllur prej turqëve. I lidhur ngushtë me shumë nga patriotët më të dëgjuar të asaj krahine, duke shfrytëzuar postin e tij, Fejziu liroi nga burgjet shumë shqiptarë që mbaheshin të izoluar nga kisha greke. Po kështu, Fejzi Alizoti ishte një nga organizatorët kryesorë të vrasjes së një prifti grek (tepër i dëgjuar në të gjithë Patriarkanën greke), i cili ushqente qëllime shovene ndaj dy qyteteve kryesore të Shqipërisë së Jugut, siç ishin Korça dhe Gjirokastra. Pas vrasjes së priftit grek, filluan dhe konfliktet e para të Fejziut me qeverinë turke.

Sekretar Shteti në qeverinë e Ismail Qemalit

Pasi shërbeu disa vite në detyrën e Prefektit të Korçës, me krijimin e qeverisë së Vlorës nga Ismail Qemali në nëntorin e vitit 1912, Fejziu caktohet në postin e sekretarit të shtetit, pasi kishte marrë pjesë në ngritjen e flamurit si delegat i Gjirokastrës. Pak kohë pas kësaj detyre, Fejzi Alizoti, do të mbante dhe për disa kohë postin e ministrit të Punëve të Brendshme në atë qeveri, në vend të Esat Pashë Toptanit. Pas rënies së Qeverisë së Vlorës dhe ardhjes së Princ Wied, Fejziu, morri pjesë në qeverinë e Durrësit, duke u emëruar si Prefekt I Shkodrës dhe më pas në postin e ministrit të Financave. Me rënien e qeverisë së Durrësit, ai u vendos në Shkodër, ku së bashku me Luigj Gurakuqin, ishte pjesë në një komision financiar në administratën e atij qyteti, ku dhe arrestohet më pas prej serbëve. Me ndërhyrjen e forcave austro- hungareze, Fejziu mundi të lirohet nga arresti i serbo-malazezëve, dhe me krijimin e qeverisë së Lushnjes në vitin 1920, ai largohet nga Shqipëria dhe vendoset në Itali.

Në vitin 1924, me rikthimin e Zogut në pushtet në postin e kryeministrit, Fejziu thërritet prej tij në atë kabinet dhe më 12 shkurt të viti 1927, merr postin e ministrit të Financave në qeverinë e kryesuar nga Iljaz Vrioni, pasi më parë ishte zgjedhur edhe si deputet i Gjirokastrës, post në të cilin qëndroi deri më 21 tetor të po atij viti, me rënien e atij kabineti. Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste në prillin e 1939-ës, Fejziu për afro dy vite u largua krejtësisht nga politika. Në vitin 1941, pas shumë ndërhyrjesh të disa miqve të tij politikanë të njohur, ai pranoi detyrën e Komisarit të Jashtëzakonshëm për Kosovën, të cilën i’a ngarkoi qeveria e Mustafa Krujës. Në këtë detyrë ai punoi për tre vite dhe me kapitullimin e Italisë, kthehet në Tiranë.

Fejziu s’pranoi të largohej nga Shqipëria dhe del në ‘Gjyqin Special’

Me fillimin e largimit të gjermanëve nga Tirana në vjeshtën e vitit 1944, Fejzi Alizoti, lajmërohet prej Bedri Spahiut që të largohet nga Shqipëria, se ishte në listën e njerëzve që do të pushkatoheshin. Kështu, një ditë nga fundi i tetorit të vitit 1944, përpara hotel “Dajti”-t, dy-tre miq të tij (ish-ministra në qeveritë shqiptare të periudhës së Monarkisë) e ftojnë të hipte në automjetin e tyre për t’u larguar nga Shqipëria përpara se partizanët e Enver Hoxhës të hynin në Tiranë. “Jam plak, 76 vjeç, çfarë do të më bëjnë mua komunistët, nuk kam bërë asgjë në dëm të Shqipërisë”, i’u përgjigj Fejziu miqve të tij që morën rrugën e largimit jashtë Shqipërisë. Pak ditë para çlirimit të Tiranës, edhe pse tashmë ishte në një moshë të thyer, Fejziu arrestohet prej partizanëve dhe del para ‘Gjyqit Special’ që u zhvillua në marsin e vitit 1945, ku në bankon e të akuzuarve ishin rreth 70 ish-funksionarë dhe ushtarakë të lartë të qeverive shqiptare, që nga ajo e Ismail Qemalit, e deri te ajo nën pushtimin gjerman në vjeshtën e ’44-ës. Kështu, më 3 mars të vitit 1945, gazeta “Bashkimi”, midis të tjerash shkruante:

“Sot Fejzi Beu me shokë gjendet në shportën e tradhëtisë, gjendet para gjyqit të drejtësisë, para gjyqit të popullit, i akuzuar ashtu siç është “tradhëtar e fytyrë fëlliqur”. Krokodili i paskrupullt, e i paturp, i pa “parole d’honneur”, siç është Fejzi Alizoti – sot ka rënë në usta!” Pas mbarimit të gjyqit, më 13 prill të vitit 1945, prokurori Bedri Spahiu dhe kryetari i gjyqit Koçi Xoxe, kërkuan dënimin e tij me vdekje. Kështu në listën e gjatë prej 60 personash që dolën para atij gjyqi special, Fejzi Alizoti ishte i pari në radhën e 19 personave që u dënuan me vdekje. Thuhet se në çastin e pushkatimit, ku ai ishte i veshur me një pardesy të bardhë, ishte i vetmi që nuk e kapën plumbat. Pas disa gërvishtjesh të lehta, ai i’u drejtua skuadrës së pushkatimit, duke u thënë: “E shikoni që më fali edhe plumbi, sepse jam i pafajshëm…”?! Pas fjalëve të tij, një oficer i lartë që më vonë mori gradën e gjeneralit, i’u afrua dhe e qëlloi disa herë me pistoletë në kokë.

I biri Fejziut, Riza Alizoti, diplomohet në Oksford

Riza Alizoti ishte fëmija i pestë i Fejziut nga dy djemtë e tri vajzat që kishte ai. I pari i fëmijëve ishte Hasani, që kishte mbaruar studimet e larta në Austri dhe gjatë periudhës së pushtimit (1939 – 1944), kishte punuar në administratën shtetërore dhe tre vitet e fundit të Luftës, e gjetën atë si prefekt në Berat. Pas Hasanit, vinin tri motrat: Fitreti, Ballkizja dhe Safetja, të treja kishin mbaruar në “Robert Koleji” në Stamboll. Pas tyre, i pesti vinte Rizai dhe si të gjithë paraardhësit e tij dhe ai u dërgua për t’u shkolluar në Stamboll, ku mbaroi “Robert Koleji”. Pas kësaj, në fundin e viteve 1920, Rizai kthehet në Shqipëri dhe vazhdon Shkollën Teknike Amerikane në Tiranë (e njohur si shkolla e Fultz-it), ku e kishte më të lehtë për të përfituar një bursë studimi për jashtë Shqipërisë.

Me mbarimin e kësaj shkolle me rezultate shumë të larta, ai përfiton i vetmi nga e gjithë matura e tij, një të drejtë studimi për në Universitetin e njohur të Oksfordit në Londër. Në këtë universitet, Rizai u regjistrua në degën e Inxhinierisë së Kërkimit të Naftës dhe studimet i mbaroi në vitin 1935, duke qenë ndër të vetmit shqiptarë i diplomuar në atë Universitet në atë periudhë kohe. Pas mbarimit të studimeve në Londër, Rizai i’u bë ofertë që të punonte në Angli nga dy kompani të mëdha të industrisë së naftës, por ai nuk pranoi, duke u thënë: “Atdheu im i varfër më ka paguar bursën për shtatë vjet që kam studiuar këtu dhe unë jam i detyruar të kthehem në vëndin tim”.

Inxhinier nafte në Kuçovë dhe dekorohet nga Presidenti Nishani

Në vitin 1936, Rizai kthehet në Shqipëri dhe caktohet të punojë në profesionin e tij si inxhinier në puset e kërkimit të naftës në Kuçovë, e cila asokohe ishte nën administrimin e një ndërmarrjen të përbashkët Anglo – Persiane. Pasi punoi dy vite në këtë kompani të madhe, ai dërgohet për studimet pasuniversitare në Strasburg, të cilat Rizai i përfundoi për dy vite dhe përsëri kthehet në Kuçovë, ku punon për llogari të ndërmarrjes italiane “AIPA”. Pas disa konfliktesh që ai krijoi me drejtuesit e firmës italiane në mbrojtje të të drejtave të punëtorëve shqiptarë, arrestohet nga italianët dhe dërgohet në burgun e Porto – Romanos në Durrës. Në këtë burg ai qëndron disa muaj dhe me ndërhyrjen e babait të tij Fejziut, ai mundi të lirohet prej andej. Pas lirimit nga burgu, ai nuk kthehet më të punojë në puset e naftës në Kuçovë, por fillon punë në Ministrinë e Ekonomisë në Tiranë.

Gjatë gjithë periudhës së Luftës ai qëndroi dhe punoi në Tiranë, duke mos u përzier fare në punët e politikës, duke u munduar të qëndronte neutral. Nisur edhe nga ky fakt, menjëherë pas mbarrimit të Luftës, në janarin e vitit 1945, ai caktohet përsëri për të punuar si inxhinier shpimesh e kërkimi në Kuçovë, në Ndërmarrjen Shtetërore të Naftës, tashmë nën administrimin e qeverisë komuniste të kryesuar nga gjeneral-kolonel Enver Hoxha. Gjatë gjithë asaj kohe që Rizai punoi në atë sektor, ai vuri në punë shumë puse nafte që ishin të mbyllura nga firmat italiane. Për këtë gjë Rizai asokohe u dekorua nga Presidenti i Republikës (Omer Nishani).

Dënohet me vdekje në “Gjyqin Special| dhe e varin në litar në Kuçovë

Duke parë përgatitjen e tij të lartë në fushën e naftës, shumë nga specialistët jugosllavë që asokohe punonin në Shqipëri, i propozuan atij që të shkonte dhe të punonte në Jugosllavi me një pagë shumë herë më të lartë, gjë të cilën ai e refuzoi. Në vitin 1947, në kuadrin e një lufte të ashpër që ndërmorri rregjimi komunist kundër shumë intelektualëve dhe kuadrove që kishin mbaruar shkollat në Perëndim, ai arrestohet teksa ishte me punë në Kuçovë, i akuzuar si pjesë e “Grupit të Deputetëve”. Pasi mbahet për afro një vit në hetuesi, Rizai del në gjyq dhe i jepet dënimi me vdekje, (me varje në litar), me akuza të montuara, sikur kishte bërë agjitacion e propagandë kundër regjimit komunist në fuqi dhe kishte sabotuar në puset e naftës. Rizai u dënua me të ashtuquajturin “Gjyqi i Deputetëve”, që u zhvillua me bujë të madhe në sallën e Kinema “Kosova”, në Tiranë, ku disa deputetë, si: Riza Dani, Shefqet Beja, Gjergj Kokoshi, etj., u akuzuan se kishin kërkuar lejimin e opozitës, që në zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945. Ekzekutimi i tij u bë me varje në litar, në qendër të Kuçovës, ku ai punonte si inxhinier nafte.

Tragjedia e familjes Alizoti

Pas dënimit dhe ekzekutimit me varje në litar të Rizait, ku një nga akuzat e montuara ndaj tij ishte se ai kishte qenë “spiun i anglo-amerikanëve” (për faktin që kishte punuar në shoqërinë Anglo-Persiane të Naftës), mbi familjen e tij do të fillonte një kalvar i gjatë vuajtjesh dhe persekutimi. Pak kohë pas pushkatimit të Fejzi Alizotit (babai i Rizait) me Gjyqin Special në marsin e vitit 1945, arrestohet e dënohet me dy vite burg edhe Hasani (djali i parë i familjes Alizoti), që kishte pasur detyrën e prefektit të Beratit, gjatë kohës së Luftës. Hasani u dënua vetëm me dy vite burg dhe më pas u internua, për arsye se gjatë Luftës, kishte ndihmuar shumë partizanët. Nga të tri vajzat që kishte Fejzi Alizoti (motrat e Rizait e Hasanit), e madhja Fitneti, ishte martuar që në kohën e Zogut me një djalë me shtetësi turke, që ishte familje pashallarësh, e quhej Sadi Pashallari. Sadriu ishte diplomuar për Inxhinieri Ndërtimi dhe Arkitekturë dhe gjatë gjithë kohës që kur erdhi në Shqipëri, ai punoi në Ministrinë e Punëve Botërore, të cilën e vazhdoi dhe pas mbarimit të Luftës në regjimin komuniste.

Sadiu punoi si inxhinier në ndërmarrje të ndryshme në Tiranë, ku dhe vdiq në vitin 1970. Pas ekzekutimit të Rizait, bashkëshortja e tij Vera Ypi (mbesa e Xhafer Ypit, ish-kryeministër i Shqipërisë) mbeti me tri fëmijë të vegjël, dy vajza dhe një djalë. Të tre fëmijët e Rizait, i morrën motrat e tij, ku Fitreti që e kishte burrin turk dhe ishte në një gjendje më të mirë ekonomike, u kujdes më shumë për jetimët. Vera, gruaja e Rizait, jetoi me njërin nga vëllezërit e saj dhe me nënën që ishte motra e Tajar Zavalanit, të cilët u internuan në kampin e Tepelenës. Përpara internimit, Vera me të vëllanë e saj punonin në Ndërmarrjen Industriale Shtetërore ‘Tulla’ Tiranë, kurse djali i vetëm i Fejziut, me gjyshen e tij (motrën e Tajar Zavalanit), ishin internuar më përpara në atë kamp. Dy vëllezërit e tjerë të Verës, Adnani dhe Rexhepi (Ypi) kishin mbaruar shkollat e ishin diplomuar në Itali, Adnani kishte mbaruar Akademinë Ushtarake në Modena, kurse Rexhepi ishte diplomuar në Agronomi. Të dy vëllezërit Ypi, duke parë persekutimin e egër që i’u bëhej farefisit të tyre në Shqipëri, nuk u kthyen më në atdhe dhe qëndruan në Itali, ku Adnani punoi për një kohë të gjatë në strukturat e NATO-s si ushtarak.

Nga fillimi i vitit 1950, ai pati shërbyer si instruktor në qëndrat e stërvitjes të ‘Kompanisë 4000’(në Mynih dhe Karzeslatuten të Gjermanisë Perëndimore) që ishin hapur asokohe nga zbulimet e fshehta anglo-amerikane, për përgatitjen e grupeve desantuese që do të zbarkonin në Shqipëri me misione sekrete, që kishin për qëllim njohjen e situatës dhe përgatitjen e terrenit në favor të një ndërhyrje nga jashtë për rrëzimin e regjimit komunist të Enver Hoxhës. Adnani ka ndërruar jetë në vitin 1993 në Itali, pas kishte disa vjet që kishte dalë në lirim dhe në pension si ish-ushtarak i NATO-s. Ndërsa Vera Ypi, për një kohë të gjatë i’u nënshtrua vuajtjeve dhe persekutimit në vendet e internimit ku e degdiste regjimi komunist, si në Vilë-Bashtovë të Kavajës, Shijak etj., dhe ajo mundi që të takohej me djalin e saj të vogël, Fejziun, në vitin 1963 në qytezën e Shijakut, kur ai ishte vetëm 8 vjeç. Vera Ypi ndërroi jetë në vitin 1968 në fshatin Vilë – Bashtovë të rrethit të Kavajës, ku ajo kaloi vitet e fundit të jetës në një mjerim të thellë dhe pak kohë më pas, asaj i vdiq dhe e ëma, që ishte e motra e Tajar Zavalanit

Fejziu i ri, djali i Rizait, 10 vite burg politik

Pas vdekjes së nënës (Verës) dhe gjyshes, Fejzi Alizoti (i ati i Tomorr Alizotit, që kandidon në zgjedhjet e 25 prillit me Partinë Demokratike), djali i vetëm i Rizait, ngeli pa asnjë përkrahje, pasi të dy motrat, i kishte marrë prej kohësh halla e tij (Fitreti që ishte martuar në Turqi). I ngelur në gjëndje të mjerueshme dhe i ndihmuar nga disa miq dhe të afërm të tij, Fejziu, vendoset në Manëz të Durrësit, ku fillon punën në minierën e qymyrit, pasi më parë kishte kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak në repartet e punës. Në atë minierë, Fejziu punoi nga viti 1967 deri në 1980-ën, kur do të arrestohej nga Sigurimi i Shtetit, me akuzën e “agjitacionit dhe propagandës kundër pushtetit popullor”. Në gjyqin e tij, prokurori lexoi pretencën, ku thuhej: “I pandehuri Fejzi Alizoti, djali i armikut të Partisë dhe popullit, Riza Alizoti, i dënuar me varje si agjent i anglo-amerikanëve, dhe nipi i Fejzi Alizotit, i dënuar me pushkatim, ish ministër, deputet, dhe prefekt, në qeverinë e satrapit Zog.

Dy dajat e tij u arratisën në Itali, si agjentë të zbulimeve të huaja”. Si përfundim, Fejziu u dënua me 10 vite burg, të cilin e kreu kryesisht në kampin e Spaçit dhe atë të Qafë Barit. Dënimi i tij do të përfundonte në vitin 1988, ku do të lirohej dy vite para kohe, të cilat i kishte përfituar me punë. Pa asnjë lloj përkrahje, ai do të rikthehej në minierën e Manzës, ku kishte punuar për 13 vite me rradhë deri në ditën e arrestimit. Ndërkohë që dy motrat e tij, Nezi dhe Sevimi, do të punonin punë të rënda në Ndërmarrjen e Ndërtimit “21 Dhjetori” në Tiranë. Kalvari i gjatë i vuajtjeve me burgje dhe internime për familjen Alizoti, një nga më të dëgjuarat në Shqipëri që nga viti 1784, do të përfundonte vetëm në vitin 1990, kur regjimi komunist i Tiranë i detyruar edhe nga faktori ndërkombëtar pas rënies së Murit të Berlinit dhe ngjarjeve të Rumanisë, do të bënte disa lëshime, siç ishte dhe lëshimi i pasaportave për ata që kishin njerëz jashtë vendit.

Duke përfituar nga kjo, me anë të disa miqve të tij, Fejziu mundi të sigurojë një pasaportë në qershorin e vitit 1990, për të shkuar më pas drejt Austrisë, ku kishte disa të afërm të tij. Por edhe pse i’u ofruan punë dhe kushte komode jetese, Fejziu u kthye në Shqipëri menjëherë pas zgjedhjeve të 22 marsit 1991 dhe ai u thirr të punonte si ushtarak në Drejtorinë e Përgjithshme të Kampeve dhe Burgjeve të Shqipërisë, ku ai shërbeu deri sa doli në pension në vitin 2012. Si për të mos e lënë në mes ‘rrugëtimin politik’, që kishin nisur të parët e familjes Alizoti që nga vitet e para të shekullit të kaluar, atë prej disa vitesh e vazhdon i biri i Fejziut, Tomorr Alizoti, i cili kandidon si përfaqësues i Partisë Demokratike në zgjedhjet që do mbahen më 25 prill të këtij viti.

---- ----
-----