Ballina Sport Historia e një talenti të djegur. Adnan Januzaj, zhgënjimi më i madh...

Historia e një talenti të djegur. Adnan Januzaj, zhgënjimi më i madh i Manchester United

13
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral - -------
5 tetor 2013, stadiumi i Sunderland. Aty lindi një yll i Manchester United. Ose kështu të gjithë besuan. Në ditën kur David Moyes bëri debutimin e tij në Premier League, atëherë 18-vjeçari Adnan Januzaj shënoi dy herë, gjë që rezultoi vendimtare për fitoren e “Djajve të Kuq”.

“Ndërsa debutimet kujtohen, unë do të befasohesha prej tij, sepse edhe lojtarët më të mëdhenj në historinë e Manchester United nuk do të tregonin kaq shumë në ndeshjen e parë, – komentoi Moyes në konferencën pas ndeshjes. – Nuk ishin vetëm dy golat, por e gjithë loja e tij e pabesueshme. Ne e dimë që është një talent shumë i veçantë, por do t’i mbajmë këmbët fort në tokë. Ai do të bëhet një lojtar i nivelit të lartë”.

Dhe nuk ishte vetëm Moyes, ai që kishte pritshmëri kaq të mëdha nga anësori kosovar, por që zgjodhi të luante me Belgjikën. Januzaj u bashkua me Manchester United nga Anderlchet më 2011, në moshën 16 vjeç. Të gjithë në klub besuan se ai kishte talent për të shkuar larg. Shumë e konsideruan në të njëjtin nivel me Ryan Giggs, Wayne Rooney apo dhe Cristiano Ronaldo, për sa i përket talentit, i aftë për të qenë ndër më të mirët për shumë vite.

Spikaste me aftësitë e tij të lindura, për kontrollin e parë të topit, potencialin balistik etj. Këto aftësi e bënë atë të dallohej Dhe pas një para-sezoni të shkëlqyeshëm me Moyes, ai kishte fituar krahasime shumë të mëdha. “Januzaj më duket i pabesueshëm, mendoj se është i ngjashëm me Cristiano Ronaldo, – tha Eric Harrison, trajneri i të rinjve të Manchester United, më 2013. – Ai di ta kapërcejë vetveten dhe mendoj se së bashku me Zaha do të ketë shumë cilësi”.

Pas para-sezonit, aksionet e Januzaj ishin ngritur në qiell. Moyes ishte gjithnjë e më i bindur për ta mbajtur djaloshin e ri në ekip, në vend që ta dërgonte në huazim. “Së bashku me Wayne Rooney, Adnan është talenti më i mirë i ri, me të cilin kam punuar ndonjëherë në karrierën time si trajner, – pranoi Moyes në vitet pas divorcit me “Djajtë e Kuq”. – Ai ishte një lojtar i mrekullueshëm, me kontroll dhe aftësi të shkëlqyera, që e lejonin të kapërcente kundërshtarin me lehtësi. Kur shoh ekuilibrin e tij me topin, Adnan më kujton karakteristikat e Johan Cruyff”.

Përkundër 35 paraqitjeve në atë që ishte sezoni i tij i parë në një nivel të lartë, kontrata e pasur 5-vjeçare, e nënshkruar gjatë sezonit, u konsiderua nga shumë si faktor që e vetëkënaqi Januzajn, duke besuar se tashmë mund të qëndronte për shumë vite në “Old Trafford”.

“Shpresoj që ai të jetë një nga ata lojtarë që e di se duhet të vazhdojë të përmirësohet dhe që nuk mendon se 10 ndeshje në Premier League janë të mjaftueshme për t’u ndjerë në majë, – tha Michael Laudrup pas një ndeshje kundër Swansea. – Në moshën 18, 19, 20 vjeç jeni ende fëmijë. Është e rëndësishme t’i mbani këmbët në tokë, por kjo varet nga njerëzit përreth jush. Është shumë e rëndësishme të jesh në klubin e duhur, me njerëzit e duhur; të keni familjen dhe miqtë për t’ju këshilluar”.

Por Januzaj nuk i dëgjoi fjalët e Laudrup dhe pas mbërritjes së Louis Van Gaal në vendin e Moyes, ndodhi një zgjim i vrazhdë për të. Edhe pse trashëgoi fanellën me numrin 11, pasi Giggs doli në “pension”, Adnan luajti më shumë me ekipin U-23 të Manchester United në Premier League 2 sesa në ekipin e parë, gjatë sezonit 2014-2015. Ai luftoi për t’i përballuar kritikat. Prandaj, dëshira për të lënë klubin, pavarësisht nga një kontratë e nënshkruar vetëm 18 muaj më parë, dhe mundësia që i ofroi (vetëm në huazim) Borussia Dortmund, në verën e vitit 2015, si destinacioni perfekt për Januzaj, u panë si shpëtim për djaloshin me origjinë nga Kosova.

Por gjërat dolën ndryshe dhe vetëm pas 12 paraqitjeve me verdhezinjtë, ai duhej të kthehej te Manchester United, duke mos lënë asnjë gjurmë në Bundesliga. “Është për të ardhur keq që ai nuk ishte në gjendje të tregonte dëshirën dhe sjelljet e nevojshme për moshën e tij, për t’u përmirësuar, – komentoi atëherë trajneri i Borussia Dortmund, Thomas Tuchel, për “Bild”, pas përfundimit të huazimit. – Ndjenja ime është se nuk ishte plotësisht me ne, se një pjesë e tij mbeti në Manchester. Ai vazhdonte të bënte krahasime midis këtu dhe te Manchester United. Ne nuk ishim në gjendje ta ndihmonim ta largonte gjithë këtë”.

Dhe dyshimet për qëndrimin e tij do të dilnin përsëri në sipërfaqe vitin e ardhshëm, kur u ribashkua me Moyes te Sunderland. Januzaj shpresonte që menaxheri i ri i Manchester United, José Mourinho, do ta rigjallëronte karrierën e tij, por ai nuk arriti ta bindte portugezin që t’i jepte një shans, duke përfunduar përsëri diku tjetër. Një kapitull tjetër zhgënjyes, me vetëm 2 gola dhe 3 asiste në 29 paraqitje dhe “bilbilat” e tifozëve ndaj tij.

“Unë i thashë Adnanit që të mos fajësonte askënd tjetër për atë që shkoi keq, – tha Moyes. – I kërkova që të shikonte veten dhe të kuptonte se duhet të ndryshojë. Nuk mund të jetë gjithmonë faji i trajnerit nëse ai nuk është rritur. Adnani duhet ta pyesë veten a është përgatitur mirë, a është vendosur në kushtet më të mira, a është stërvitur mjaft mirë. Dhe, kur kishte mundësi, a luajti mjaft mirë? Në shumë raste përgjigjja është jo”.

Ndërsa Januzaj vazhdimisht ka refuzuar kritikat për sjelljen e tij, nuk ka dyshim se shumë njerëz te Manchester United mendojnë se bënë mirë që e transferuan te Real Sociedad më 2017. “Gjëja zhgënjyese është të shohësh njerëz si Januzaj, Wilson ose Macheda të arrijnë ato nivele dhe të ndalojnë së punuari, – tha ish-trajneri i kosovarit, Joyce. – Po të mos luani ndeshje, të mos stërviteni kaq shumë, të rrini në xhakuzi dhe mos bëni të njëjtat seanca të peshave si më pare, dihet fundi. Këto janë gjërat zhgënjyese për mua, sepse mund t’i kishin shmangur”.

Por, ndërsa Januzaj pajtohet që vitet e tij te Manchester United kanë qenë zhgënjyese, nuk dëshiron të ndalet tani që është koha për të marrë hak ndaj ish-skuadrës, në 1/16 finale të Ligës së Europës. Në moshën 26 vjeç, Adnan u bë një lojtar kryesor për Real Sociedad, duke shënuar 16 gola dhe dhënë 16 asiste në 109 paraqitje për ekipin bask. Një performancë që gjithashtu e lejoi atë të fitonte përsëri ekipin kombëtar të Belgjikës, përkohësisht.

Tani do të sfidojë Manchester United, por Januzaj nuk po kërkon hakmarrje: “Unë nuk kam pse t’i tregoj askujt sa vlej, vetëm duhet të besoj në vetvete, të luaj dhe të jem i lumtur, – tha ai për ESPN, përpara se të luajë të enjten ndaj “Djajve të Kuq”, në një fushë neutrale, Torino, për shkak të kufizimeve të COVID-19. – Jam me të vërtetë i lumtur që ritakoj ekipin që dua. Por, në fushë nuk do të ketë miq, sepse padyshim që luaj për një ekip tjetër tani dhe dua të fitoj”.

Sidoqoftë, keqardhja mbetet brenda klubit për mënyrën se si shkuan gjërat. “Për mua zhgënjimi i madh i këtij klubi ishte Adnan Januzaj, – tha Nicky Butt, ish-mesfushor i Manchester United dhe kreu i akademisë më 2019. – Mendoj se nuk kam parë kurrë një lojtar kaq të fortë në moshën e tij, qysh nga Giggs. Ishte e pabesueshme, në sytë e mi do të bëhej një yll botëror. Ai është akoma profesionist dhe do të ketë një karrierë të mirë. Jam i sigurt se është një milioner dhe nuk do të duhet të shkojë në shtrat duke menduar për faturat, por mund të ishte bërë një super yll”.

Për disa arsye, Januzaj nuk është një super yll. Por, kjo nuk do të thotë që kapitulli i fundit i historisë së tij te Manchester United është shkruar tashmë. Të paktën për 10 ditët e ardhshme…(telesport)

---- ----
-----