Ballina Lajme Bota/Rajoni Hije skandali: Vila luksoze shtetërore në Serbi i shitet bashkëpunëtorit të palestinezit...

Hije skandali: Vila luksoze shtetërore në Serbi i shitet bashkëpunëtorit të palestinezit të njohur

58
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -

Si këshilltar i princit të kurorës së Abu Dabit, politikani palestinez Mohammad Dahlan ka ndërmjetësuar marrëveshje biznesi me Serbinë me vlerë miliarda euro. Tani një bashkëpunëtor i ngushtë i tij zotëron vilën që Dahlan kishte marrë më parë me qira në Beograd.

Nga Sasa Dragojlo, Ivan Angelovski

BIRN ka zbuluar se një vilë luksoze në pronësi të shtetit në Beograd iu shit në vitin 2018 një bashkëpunëtori të politikanit palestinez të dëbuar dhe ndërmjetësit të marrëveshjeve të Gjirit Mohammed Dahlan.

Si këshilltar i posaçëm i Princit të Kurorës së Abu Dabit, Mohammed bin Zayed, Dahlan vlerësohet me një rol të rëndësishëm në sjelljen e miliarda eurove investime nga ana e Emirateve të Bashkuara Arabe në Serbi, gjë që bëri që ai të merrte nënshtetësinë e nderit të ish-republikës jugosllave dhe vendit kandidat për të qenë pjesë e Bashkimit Europian.

Në vitin 2015, BIRN zbuloi se Dahlan po paguante 3,600 euro në muaj për të marrë me qira një vilë në pronësi të shtetit në një lagje ekskluzive të Beogradit, që dikur përdorej si rezidenca e Boris Tadiç, presidenti i Serbisë midis vitit 2004 dhe 2012.

Me marrëveshjen e qirasë që pritej të zgjaste deri në vitin 2022, Serbia do të kishte futur në xhep rreth 380,000 euro fitimet nga qiraja. BIRN ka zbuluar, megjithatë, se shteti ia shiti vilën në nëntor 2017 një kompanie të sapoformuar të quajtur “Devilla”, në pronësi të biznesmenit serb Dejan Brankoviç.

Më pak se një vit më vonë, “Devilla” ia shiti atë bashkëpunëtorit të Dahlanit Adham Abomadalala, ambasadorit të parë palestinez në Malin e Zi fqinj dhe aktualisht Zv/Shef i Misionit në ambasadën palestineze në Beograd.

Qeveria serbe nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN në lidhje me vendimin për t’ia shitur vilën kompanisë “Devilla”, duke humbur kështu qindra mijëra euro fitime nga qiraja. Qeveria nuk e shpjegoi arsye e shitjes gjatë kohës që kontrata e qirasë ishte ende në fuqi.

Sipas Drejtorisë së Pronave të Serbisë, e cila është përgjegjëse për pasuritë shtetërore, vendimi për të shitur vilën ishte i qeverisë.

“Shitja solli të ardhura buxhetore prej 1,584,474.72 eurosh”, shkroi Drejtoria në një email.

Nemanja Nenadiç i “Transparency” Serbia, megjithatë, tha se kjo nuk e tregonte të gjithë historinë.

“Zbulimi i plotë do të nënkuptonte vendosjen e të ardhurave buxhetore në kontekstin e fitimit të humbur nga qiraja dhe të justifikonte shitjen me kushtet e tregut të pasurive të patundshme”, tha Nenadiç për BIRN.

Abomadalala konfirmoi për BIRN se ai e bleu vilën më 27 shtator 2018.

“Vilën e bleva në emrin tim në mënyrë që të jem plotësisht transparent”, tha ai. “Vila nuk është blerë për një palë të tretë ose në emër të një pale të tretë.”

As Dahlan dhe as Brankoviç, pronari i kompanisë që bleu fillimish vilën, nuk iu përgjigjën kërkesave për komente mbi këtë histori.

Njeriu i Abu Dabit në Ballkan

Si këshilltar i posaçëm i princit të kurorës të Abu Dabit, Dahlan konsiderohet si një prej burrave më të fuqishëm në botën arabe.

Por ai është një figurë kontroverse, emri i të cilit doli përsëri në lajme në gusht kur Turqia i kërkoi Interpolit arrestimin e tij. Interpoli e refuzoi një kërkesë të tillë duke përmendur arsye politike për urdhrin. Ankaraja e akuzon Dahlanin për përfshirje në një grusht shteti të dështuar të vitit 2016 dhe ka ofruar një shpërblim prej 1,1 milionë eurosh për arrestimin e tij.

Ish-shefi i sigurisë së Autoritetit Kombëtar Palestinez, Dahlan shihej nga shumë njerëz si trashëgimtari i Yasser Arafat, por humbi para presidenti aktual palestinez Mahmoud Abbas. I dëbuar nga partia Fatah në 2011, Dahlan u akuzua për korrupsion dhe shpifje. Ai u dënua me dy vjet burg në mars 2014, por tashmë ishte larguar për në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Pasi mori shtetësinë malazeze në vitin 2010 në shenjë falënderimi për sigurimin e investimeve nga familja mbretërore e Abu Dabit, vëmendja e Dahlanit u zhvendos në Serbi, ku ai ndihmoi në krijimin e lidhjeve të reja diplomatike dhe ekonomike midis Princit të Kurorës së Abu Dabit, Sheikut Mohammed bin Zayed Al Nahyan, dhe qeverisë së udhëhequr nga Partia Progresive Serbe, e cila erdhi për herë të parë në pushtet në vitin 2012.

Nën drejtimin e Partisë Progresive Serbe dhe liderit të saj, presidentit serb Aleksandër Vuçiç, Serbia ka përfunduar një sërë marrëveshjesh investimesh me Emiratet e Bashkuara Arabe të kritikuara nga ekspertët e transparencës.

Ato përfshijnë blerjen nga “Etihad” të 49 për qind të aksioneve të linjës ajrore kombëtare të Serbisë, JAT, dhe një rikonstruktim sipas stilit të Dubait të bregut të lumit në Beograd.

Dahlanit, gruas, katër fëmijëve, një nipi dhe pesë mbështetësve kryesorë politikë të tij iu dha shtetësia serbe midis shkurtit 2013 dhe qershorit 2014, sipas dokumenteve nga Fletorja Zyrtare e shtetit të analizuara nga BIRN.

Shitja

Një nga bashkëpunëtorët e Dahlanit në rajon është Abomadalala, Këshilltar i Parë dhe Zv/Shef i Misionit në Ambasadën Palestineze në Serbi. Abomadalala është gjithashtu një ish-ambasador palestinez në Malin e Zi.

Lidhja midis të dyve konfirmohet nga dokumentet e siguruara nga BIRN, sipas të cilave Dahlan, në vitin 2007, bëri dy transaksione bankare me vlerë 2 milionë dollarë në llogarinë personale të Abomadalalas.

Transaksioni i parë, me vlerë 500,000 dollarë, ndodhi më 27 shkurt 2007, nga llogaria personale e Dahlanit në Bankën Arabe në Ramallah, në llogarinë personale të Abomadalalas në bankën Piraeus në Beograd.

Katër muaj më vonë, më 20 qershor 2007, Dahlan dërgoi 1.5 milionë dollarë nga llogaria e tij në “Cairo Amman Bank” në Ramallah në llogarinë e Abomadalalas në “Univerzal Banka” në Beograd.

Pas një emaili të nënshkruar nga Abomadalala dhe Mohammed Nabhan, ambasadori palestinez në Serbi, paratë u përdorën për të paguar “disa mallra” që Autoriteti Palestinez bleu nga Serbia në 2007.

“Ne nuk jemi në gjendje t’ju japim një shpjegim të mëtejshëm mbi realizimin e kontratës në fjalë”, shkruan ata.

Ata nuk shpjeguan pse paratë u transferuan nga llogaria personale e Dahlanit tek ajo e Abomadalalas.

Interesat e biznesit të Dahlanit dhe familjes së tij në rajon, megjithatë, datojnë që nga viti 2006.

Atë vit, vëllai i tij i madh Abdrabou dhe djemtë e tij filluan hapjen e firmave të pasurive të patundshme dhe të ndërtimit në Serbi dhe Mal të Zi. Dihet pak për aktivitetet e tyre të biznesit në Ballkan, por dokumentet e paraqitura në regjistrat e kompanive në të dy vendet, të cilat BIRN i ka mbledhur, tregojnë se ndërkohë që firmat kanë kapital të konsiderueshëm, xhiroja e tyre është minimale.

Që kur Dahlan mori me qira vilën në shkurt 2014, të paktën 50,000 euro janë shpenzuar për rinovimin e pronës dhe modernizimin e pajisjeve të sigurisë, përfshirë instalimin e kamerave për të monitoruar rrugët përreth, sipas dokumenteve të siguruara nga BIRN.

Vila është afër Ambasadës Palestineze, ku punon Abomadalala, pronari aktual. Linja telefonike në vilë ishte regjistruar në emrin e Abmadalalas, ndërsa me qira atë po e merrte Dahlani.

Sipas Drejtorisë së Pronave dhe dokumenteve të analizuara nga BIRN, në një moment në vitin 2017, qeveria serbe vendosi të shesë disa prona shtetërore, mes tyre vilën e marrë me qira nga Dahlani.

Më 2 shtator 2017, Drejtoria e Pronave nxori në një gazetë lokale lajmërimin për shitjen. Pesë ditë më vonë, kompania serbe “Energodesign” themeloi një filial të quajtur “Devilla”.

Pronari përfundimtar i “Devilla”-s është Dejan Brankoviç, i cili gjithashtu zotëron një kompani të quajtur “Energogroup”.

Duke përdorur paratë e siguruara nga dy kompani të tjera të Brankoviçit, “Devilla” dorëzoi një ofertë në Drejtorinë e Pronave për të blerë vilën që kishte marrë më parë me qira Dahlani.

“Devilla” ofroi rreth 1.58 milion euro, ofertë të cilën Drejtoria e pranoi.

“Devilla” gjithashtu bleu pronën ngjitur me të, e cila ishte gjithashtu një vilë shtetërore.

Shitja u krye më 16 nëntor 2017, “sipas kushteve të tregut”, tha Drejtoria në përgjigjet me shkrim për BIRN.

“Procedura e hapjes së ofertave të mbyllura me shkrim u zhvillua publikisht nga Drejtoria, brenda fushës dhe kompetencave të përcaktuara me ligj”, tha ajo.

Më pak se një vit më vonë, “Devilla” e rishiti pronën pas një restaurimi për të cilin autoritetet lëshuan një leje me vlerë 150,000 euro.

Pasqyrat financiare të “Devilla”-s sugjerojnë që vila është shitur me afërsisht të njëjtin çmim që u ble. “Devilla”, në pasqyrat e saj financiare, thotë se pati një fitim prej rreth 28,500 eurosh.

Disa muaj më vonë, Abomadalala u regjistrua zyrtarisht në regjistrat kadastralë serbë si pronari i ri i vilës.

Problemet me pasuritë e patundshme luksoze në pronësi të shtetit nuk janë diçka e re në Serbi. Pas raportimit të BIRN për marrjen me qira të vilës nga Dahlani, Këshilli Anti-Korrupsion i Serbisë shqyrtoi çështjen në vitin 2015 dhe identifikoi një numër të konsiderueshëm problemesh në mënyrën se si shteti e trajton pronën e tij dhe kujt ia jep atë me qira.

Këshilli përcaktoi se, përveç Dahlanit, shteti i ka dhënë me qira prona të paluajtshme një tregtari armësh dhe disa personave të afërt me zyrtarë qeveritarë.

“Pasuritë e paluajtshme jepen me qira pa marrë parasysh rregulloret”, përfundoi Këshilli. “Vetëm individë të privilegjuar informohen në lidhje me pasuritë e patundshme në dispozicion dhe mundësinë e marrjes së tyre me qira, dhe shuma e qirasë nuk është gjithmonë në përputhje me çmimet e tregut.”

BIRN kontaktoi anëtarët e Këshillit, por ata nuk ishin në dispozicion për të komentuar mbi këtë çështje.

Brankoviç nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN në lidhje me çmimin dhe as nëse ai e njeh Abomadalalan apo Dahlanin.

Brankoviç po bën gjithashtu biznes me investitorë izraelitë të pasurive të patundshme në Serbi, me kompaninë e tij që po zhvillojnë projektin luksoz “Kneza Milosa Residence” në vendin e ish-ambasadës amerikane në Beograd.

Sipas raporteve të medias, Inspektorati Serb i Punës akuzoi “Energogroup”-in dhe Brankoviçin për mosmarrje të masave të mjaftueshme të sigurisë në punë, pasi një punëtor mbeti i vrarë në një aksident ndërtimi në ish-ambasadën e SHBA-së në vitin 2018.

Zyra e Prokurorit Publik në Beograd i tha BIRN në një deklaratë me shkrim se ajo i rrëzoi akuzat penale kundër Brankoviçit në prill të vitit të kaluar në përputhje me dispozitën për shtyrjen e ndjekjes penale.

Sipas rregullores, kjo vihet në zbatim kur një person i akuzuar për një krim bie dakord të kompensojë dëmin e shkaktuar ose të paguajë një shumë të caktuar parash që do të përdoret në kauza humanitare ose kauza të tjera publike.

Media njoftoi se Brankoviç pagoi një gjobë prej rreth 2,100 eurosh.

As qeveria serbe dhe as Drejtoria e Pronave nuk iu përgjigjën një kërkese për të drejtë informimi, bazuar në të cilën u kërkua dokumentacion në lidhje me shitjen e vilës.

Autoriteti Gjeodezik i Republikës, i cili është përgjegjës për regjistrat kadastralë të Serbisë, kërkoi informacione shtesë para se të përgjigjej.

“Pas inspektimit të dokumenteve të kërkuara, u përcaktua se ato i referohen Adham Abo Madalalas nga Beogradi, […] dhe Mohammed Yousef Dahlanit nga Beogradi […] Është e nevojshme që ju të paraqisni pëlqimin e këtyre personave që ne të mund të lëshojmë dokumentet e kërkuara”, shkroi Autoriteti në një email.

 

 

 

---- ----
----
----- ----
-----