Ballina Lajme nacionale Haziri reagon pas dorëheqjes së Haradinajt

Haziri reagon pas dorëheqjes së Haradinajt

22
SHPËRNDAJE

Lutfi Haziri thotë se ftesa për Ramush Haradinajn, e papritur.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka folur për KTV-në pas dorëheqjes së Ramush Haradinaj nga posti i kryeministrit, i ftuar si i dyshuar nga Gjykata Speciale.

Haziri ka thënë se është e natyrshme që ka qenë e papritur ftesa për Haradinajn.

“Është rast i natyrshëm që nuk është pritur që ai të jetë i ftuar”, ka thënë Haziri, duke shtuar se edhe në herën e parë edhe të dytën ai ka dëshmuar pastërtinë e luftës.

“Nuk është pritur që ata që janë ballafaquar njëherë me drejtësinë që të jenë të ftuar. Kjo tregon që askush nuk është i përjashtuar nga ftesa e mundshme”, ka thënë Haziri, derisa nuk ka dashur që të lëshohet në emra konkretë.

“Zoti Haradinaj ka dhënë sërish një precedan që është tërhequr dhe ka lënë postin e kryeministrit. Ka qenë veprim në respekt të vendit të vet, duke e distancuar rolin e tij si kryeministër në atë si i dyshuar”, ka thënë ai.

Duke folur për situatën politike të shkaktuar nga ky rast, Haziri ka thënë se “situata dhe kërkesat e opozitës kanë qenë përtej këtij rasti, ka qenë kërkesë që vendi të shkojë në zgjedhje”.

“Por ky është momentum i ri që është krijuar, tregon qartë që vendi është para një situate të jashtëzakonshme politike, me mundësi të madhe që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme”, ka thënë Haziri.

-----