Ballina Lajme nacionale Haxhiu i përgjigjet Osmanit: Posti i kryeministrit nuk vihet në peshore

Haxhiu i përgjigjet Osmanit: Posti i kryeministrit nuk vihet në peshore

2
SHPËRNDAJE

Albulena Haxhiu i është përgjigjur Vjosa Osmanit në lidhje me postin e kryeministrit.

Kandidatja për deputete nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), ka thënë se qasja e Vjosa Osmanit lidhur me pozitën e kryeministrit është e padrejtë, dhe se ky post nuk vihet në peshore me ministri.

Haxhiu, ka komentuar deklaratat e Vjosa Osmanit, e cila ka thënë se pozita e kryeministrit është e barasvlershme me katër ministri.

Ajo e ka quajtur të padrejtë qasjen e Osmanit, duke thënë se nuk vihen në peshore pozita e kryeministrit dhe ministritë.

“Mendoj që këto nuk janë tema të debateve televizive. Mendoj që është qasje jo e drejtë. Sa i përket kandidatit për kryeministër, tashmë ka folë qytetari i Republikës së Kosovës në zgjedhjet e 6 tetorit. Në këtë kuptim, vullnetin e qytetarëve nuk mund ta shkelë askush prej neve. Ne kemi pasë një përpjekje para zgjedhjeve që të bëhemi bashkë dhe kjo nuk ka qenë e mundur. Prandaj ata duhet ta respektojnë vullnetin e popullit dhe pozicioni i kryeministrit nuk do të vendoset në peshore”, ka thënë Haxhiu për Periskopin.

Ndërkaq ajo ka folur edhe për mospajtimet që kanë VV dhe LDK në mes vete sa i përket formimit të qeverisë së ardhshme.

“Sa i përket programit qeverisës, nuk kemi pasë çështje për të cilat nuk jemi pajtuar. Ka pasë diskutime në një çështje për drejtësinë dhe disa tema për ekonominë dhe çështje sociale, por jo mospajtime. Vetëm se kemi kërkuar sqarime më tepër dhe kemi pasë mendime të ndryshme, por që kjo nuk do të thotë që kemi mospajtime, sepse do të ulemi dhe sërish do t’i adresojmë. Për çështje tjera, nuk ka pasë diskutim. Jemi pajtuar që të kemi 12 ministri, jo më shumë se 27 ministra, bile tani jemi shumë optimist dhe shpresoj që kjo frymë pozitive të përcjellët tutje”, ka thënë Haxhiu.

Sipas raportimeve në media, javën e ardhshme pritet që VV dhe LDK të nënshkruajnë marrëveshjen e koalicionit.