Ballina Lajme nacionale Haradinaj vlerëson bashkëpunimin Kosovë-Shqipëri

Haradinaj vlerëson bashkëpunimin Kosovë-Shqipëri

9
SHPËRNDAJE

Haradinaj thotë se bashkëpunimi Kosovë-Shqipëri i domosdoshëm.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur kryetarin e Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU), Shpëtim Idrizi, nga Shqipëria, i cili shoqërohej edhe nga anëtarët e kryesisë, Galip Taho dhe Aqif Rakipi, me të cilët ka biseduar për zhvillimet mbarëkombëtare politike dhe thellimin e bashkëpunimit mes dyja vendeve.

Sipas njoftimit për medie, Haradinaj e ka njoftuar Idrizin për prioritetet e Qeverisë veçmas në zhvillimin ekonomik, proceset eurointegruese dhe bashkëpunimin ndërfqinjësor si një parakusht për integrim të vendeve të Ballkanit Perëndimor në familjen evropiane.

Duke i falënderuar për përkrahjen e vazhdueshme që shteti shqiptar ka dhënë për Kosovën në momentet më të vështira, ai tha se edhe tani është i domosdoshëm bashkëpunimi politik institucional për rrugën eurointegruese të dy vendeve.

“Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, PDIU, në vazhdimësi ka synuar promovimin e çështjes shqiptare, si parti e kauzave kombëtare dhe mbrojtjes së diasporës. Bashkëpunimi ndërmjet spektrit politik të Kosovës me atë të Shqipërisë në të gjitha periudhat ka qenë i frytshëm dhe uroj që një rrugëtim i tillë të na përcjellë çdoherë”, tha Haradinaj.

Ndërkaq, kryetari i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU) Shpëtim Idrizi, ka falënderuar kryeministrin Haradinaj për pritje.

-----