Ballina Lajme nacionale Haradinaj thotë se partitë opozitare nuk janë të gatshme për zgjedhje

Haradinaj thotë se partitë opozitare nuk janë të gatshme për zgjedhje

10
SHPËRNDAJE

Partitë opozitare, po kërkojnë zgjedhje të reja.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, është i bindur që partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, nuk janë të gatshme të shkojnë në zgjedhe.

Ai thotë se i vetmi subjekt politik që është i gatshëm të shkojnë në zgjedhje është Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe se janë shumë afër për të qenë subjekti i parë politik.

Deputeti Haradinaj thotë se rezultatet e punës së Qeverisë aktuale janë të prekshme, ndërsa thotë se detyrë e opozitës është që të kritikojë.

Ai thotë se derisa opozita nuk e ka shumicën, koalicioni është stabil.

“Derisa opozita nuk e ka shumicën, koalicioni është stabil, në momentin që opozita qoftë edhe me Listën Serbe apo pa Listën Serbe, në çdo formë që i bën 61 ne jemi këtu, është proces demokratik dhe ne e respektojmë”, tha ai.

Sa i përket dialogut me shtetin serb, deputeti Haradinaj thotë se me Serbinë mund të flasin vetëm për njohje reciproke.

Sipas tij, temat e brendshme të Kosovës janë të Kosovës dhe nuk kanë çka diskutohet me shtetin serb.

“Me Serbinë mund të flasim për njohje reciproke, temat e brendshme të Kosovës janë të Kosovës dhe mendoj që kjo është një e arritur që e kemi arrit në këtë koalicion dhe këtë ekzekutiv, kur do të ndodh finalizimi, shpresoj që sa më shpejt, por edhe nëse ne nuk e arrijmë një marrëveshje me Serbinë, unë mendoj që Kosova humb, nuk e mendoj që është aq emergjencë me u pajtu me Serbinë, se edhe nëse e arrin marrëveshjen prapë se prapë rrugët i kemi të ndara. Ne jemi shtet i pavarur dhe kështu funksionojmë, ata janë shtet i pavarur le të vazhdojnë punën e vet. Por mendoj që trendët që me shku vetëm në Bruksel që me nënshkru marrëveshje të cilat lehtë nuk mund të implementohen por janë të dëmshme, si Zajednica asociacion a çka është ajo, këtë lloj dialogu ose përfundimi i këtyre lloj dialogëve mendoj që e ka mbyll kjo histori nuk përsëritet më”, deklaroi ai.

Gjykatën Speciale vazhdon ta sheh si vendim politik, ndërsa thotë se nuk ka marrë ftesë për t’u intervistuar nga kjo gjykatë.

Deputeti Haradinaj thotë se të gjithë që kanë qenë në luftë kanë kryer detyrën e shenjt për liri të vendit dhe duhet të ndjehen krenar. Ndërsa, thotë se edhe 100 gjykata po të bëhen nuk mund ta njollosin luftën që e kanë bërë për liri të vendit.

“Kushdo që ka qenë në luftë për mua e ka kryer detyrën e shenjt për liri të vendit dhe duhet me u ndje krenar. Mendoj që për mua ata janë heronj të vendit tim dhe kështu duhet të trajtohen, edhe unë nesër nëse thirrna njëjtë. Unë jam kundër asaj gjykate, kam qenë kundër, nuk më kanë dëgjuar kolegët e mi, bile në raste të caktuara edhe më kanë fyer por sot po e shohin që unë kam pasur të drejtë dhe po ndihna shumë mirë që unë kam pasur të drejtë. Kjo gjykatë ka qenë puro politike dhe puro kjo nuk kërkon drejtësi, kjo kërkon vetëm ndëshkim edhe një farë shpagimi moral për Serbinë, sepse ne e dimë shumë mirë që këtu i ki 12 mijë e 700 shqiptarë të vrarë dhe ata nuk i ka vra reja as nuk kanë vdekur në aksidente, po ata prej regjimit serb të Millosheviqit janë vrarë të gjithë. Edhe 100 gjykata le t’i bëjnë se luftën tonë nuk ka me mund askush me e njollos”, deklaroi ai.

I pyetur se a duhet të largohet nga pozita e ministrit të Mbrojtjes, Rrustem Berisha, pasi që ka aktakuzë të ngritur, Haradinaj thotë se asnjë arsye nuk e ka për t’u larguar.

“Asnjë arsye nuk e ka ai për t’u larguar, ai duhet të ndjehet shumë krenar për luftën e bërë, sukseset e Betejës së Kosharës dhe të drejtën që ua ka dhënë pjesëtarëve të Kosharës si status meritor veteran, edhe për sukseset që i ka arrit në Ministrinë e Mbrojtjes që sot e kemi, është kontribut natyrisht edhe i kryeministrit dhe koalicionit dhe të gjithëve, por edhe puna e madhe që e ka bërë zoti Berisha, që ne sot kemi ushtri”, thotë ai.

Haradinaj ka komentuar edhe përplasjen e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

“Ka pas një diskutim ku i është kërkuar heqja e taksës dhe ky i ka thënë merru me punë tua, sepse është vendim i sovranit në Kosovë, dhe shumë të drejtë ka. Ne kemi respekt për kryeministrin, sidomos unë personalisht kam shumë respekt për zotin Rama, mendoj që ai duhet shumë me u fokusuar me qeverisjen e shtetit shqiptar, kështu më shumë i bën nderë në rast se ai do të ishte një mbështetës i politikave qeverisëse në Kosovë sesa një kritikues”, u shpreh ai.

-----