Ballina Lajme nacionale Haradinaj nuk komenton paralajmërimin për padi nga Edi Rama

Haradinaj nuk komenton paralajmërimin për padi nga Edi Rama

12
SHPËRNDAJE

Haradinaj s’ka koment për kërcënimin me padi për shpifje nga Rama.

Një tjetër përplasje nga larg ka ndodhur mes kryeministrit në detyrë të Kosovës Ramush Haradinaj dhe atij të Shqipërisë, Edi Rama.

Tash, lidhur me një deklaratë të Haradinajt, i cili tha se kishte parandaluar një plan “për grabitje të 10 miliardë eurosh” për ndarje të Kosovës, mes Edi Ramës, Hashim Thaçit e Aleksandër Vuçiqit.

Rama, dje në një intervistë në “Opinion”, tha se zyra e tij po përgatitë një padi ndaj Haradinajt për shpifje. Por, nga zyra e kryeministrit në detyrë të Kosovës, për Koha.net s’kanë dhënë më shumë sqarime shtesë përveç asaj që ka deklaruar Haradinaj, sepse sipas tyre, kjo ‘është çështje e madhe’, dhe se Haradinaj një ditë do të deklarohet vetë.

“Nuk mund të themi më shumë nga ajo që ka deklaruar Haradinaj. Është çështje e madhe dhe ai do të deklarohet vetë”, është thënë shkurt në përgjigjen nga zyra e Haradinajt për Koha.net, pa dhënë sqarime shtesë se si do të vijojë çështja lidhur me padinë që po i bëhet Haradinajt.

E Rama që dikur e quajti gënjeshtar Haradinajn, tash thotë se ai po bënë shpifje, për çka edhe po e përgatitë padinë.

“Për 10 miliardëshin po përgatis, jo unë, unë kam një zyrë të posaçme të antishpifjes, dhe në Gjykatat e Kosovës, zotëria do të duhet të vijë të provojë akuzën për 10 miliardë që do të ndaheshin në tavolinë midis meje, Hashim Thaçit dhe presidentit të Serbisë. Por, një gjë di të them. Këtyre lloj politikanëve bravo ju qoftë që gjejnë dhe bëjnë. Domethënë, që t’i thuash një populli që ishin 10 miliardë në sofër dhe do ndaheshin midis këtyre të treve që ranë dakord të ndanin Kosovën, dhe të marrësh akoma vota, ata që votojnë për këtë lloj politike qofshin dhe këtyre bravo ju qoftë”, u shpreh Rama duke iu drejtuar Haradinajt.

Edi Rama paralajmëron padi për shpifje për Ramush Haradinajn
Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, që është i zëshëm kundër ndarjes së Kosovës, ditë më parë në një intervistë për OraNews tha se qe ai që parandaloi një plan kundër ndarjes së Kosovës, nga ku një shumë të majme parash do ta përfitonin Rama, Thaçi e Vuçiqi.

“Ndalova grabitjen 10 miliardë eurosh, që do të realizohej nëpërmjet planit të ndarjes së Kosovës. Ky dhe ishte pikësynimi i fshehtë ekonomik, në planin e shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Thaçi, Vuçiq dhe Rama, ishin bashkëpunëtorë në realizimin e kësaj skeme. Por unë e ndalova këtë grabitje dhe miniera e Trepçës, sot e prej dy muajsh, i përket vetëm Kosovës”, ishte shprehur Haradinaj.

Haradinaj: Parandalova planin e grabitjes së 10 miliardë eurove të Trepçës nga ideja e Thaçit, Vuçiqit e Ramës
S’është hera e parë që Haradinaj dhe Rama ballafaqohen me njëri tjetrin. Haradinaj më herët kishte thënë se kushdo që përmend korrigjimin e kufijve si mundësi, e di që ajo sjell tragjedi dhe luftëra.

Ndër tjerash, kishte përfshirë edhe Ramën, në mesin e Thaçit e Mogherinit, se ata duan ndarjen e Kosovës.

Ngjashëm, e kishte akuzuar Ramën se ai bashkë me Thaçin, i kanë bërë presion edhe ta heqë taksën ndaj mallrave serbe, çka ai s’kishte pranuar. E për këtë, kishte reaguar menjëherë Rama.

“Si rregull udhëheqësit nuk i komentojnë në publik bisedat mes tyre e sidomos ato informale, aq më tepër pa rënë dakord paraprakisht dhe lëre pastaj t’i shtrembërojnë, duke gënjyer për të dalë “burra të mirë” para popullit të tyre, si të ishin duke shitur mish në Pazar”, kishte shkruar Rama në Facebook, pas deklaratave të Haradinaj në Kosovë kur u kthye nga Samiti që u mbajt në Berlin.

Rama, ndër tjera, dje shpalosi haptas antipatinë ndaj Haradinajt.

“Ky dha dorëheqjen medemek dhe është akoma atje. Është një person për të cilin jam detyruar për herë të parë, dhe shpresoj të jetë hera e fundit, që të dal publikisht edhe pse ishte kryeministri i Kosovës, sepse gënjeu në mënyrën më të paskrupullt”, u shpreh Rama.

-----