Ballina Lajme nacionale Haradinaj: Nëse Kurti e Osmani e heqin taksën, nuk ua fal kush

Haradinaj: Nëse Kurti e Osmani e heqin taksën, nuk ua fal kush

17
SHPËRNDAJE

Ramush Haradinaj ka folur për taksën ndaj Serbisë duke dërguar porosi për qeverinë e re.

Kryeministri në detyrë, në një intervistë për KosovaPress, thotë se nëse Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, e bëjnë një gabim të tillë do të ishte e pafalshme dhe se me ata do të talleshin bashkësia ndërkombëtare e Serbia, ndërsa shton se heqja e taksës është ekuivalent me Gjykatën Speciale. Haradina thotë se plot qëndrime janë mashtrim të Kurtit dhe të Vetëvendosjes. Ndërsa, në rast se dështon krijimi i institucioneve të vendit, si Aleancë do të shkojnë të vetëm në zgjedhje.

Ish-kreu i Qeverisë për KosovaPress ka folur edhe për rezultatin që Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka marrë në zgjedhjet e 6 tetorit, si do të jenë si opozitë dhe si do të veprojnë nëse vendi shkon prapë në zgjedhje.

“Mos harroni se një pjesë e këtyre mallrave është kompensuar me mallra të vendit, me prodhues, ky është një tregues i jashtëzakonshëm për ekonominë e vendit fakti që prodhuesit kanë filluar me ardhë në shprehje në treg, në ekonomi. Nëse z.Kurti dhe znj.Osmani e bëjnë këtë bëjnë gabim të jashtëzakonshëm, nuk ia fal kush. Heqja e taksës është ekuivalent me Gjykatën Speciale, i kanë bërë presion z. Thaçi dhe kolegëve të tjerë me e votua, një ditë më vonë i kanë thënë is your decision, ju e keni votuar, kur janë ankuar i kanë thënë is your decision. Heqja e taksës është njëjtë, kanë me i bë presion po e hoqën të nesërmen is your decision dhe kanë me mbet këta me gabimin e bërë, me dëmet që ia bëjnë vetës dhe me vendimin e vet. Pra, kurrkush, mos të harrojmë nuk ka me marrë ndonjë kredit, a ndonjë lavdatë, as prej Serbisë as prej bashkësisë ndërkombëtare, përkundrazi kanë me i tall dyjeja, kan me thënë budallatë e hekën, se e dinë që kush e heq është budalla taksën për Serbinë. Pra, imagjinoni çka i bënë vetës ai, çka i bënë vendit të vet, ekonomisë së vet”, thotë Haradinaj.

Haradinaj thotë se largimi i taksës është gabim kur Serbia po vazhdon që t’i përkeqësojë raportet ndaj Kosovës. Sipas tij, largimi i taksës 100 përqind ndaj produkteve të Serbisë do të ishte në dëm të prodhuesve vendor, që gjatë kësaj kohe kanë shënuar rritje në prodhim e punësim.

Sa i përket asaj që kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe pretendenti për kryeministër të vendit, Albin Kurti, kishte deklaruar se ndaj Serbisë do të vendosej masa e reciprocitetit, Haradinaj thotë se taksa dhe reciprociteti mund të funksionojnë së bashku.

“Munden me i paketua bashkë këto të dyja, me vendos reciprocitet pa e heq taksën. Taksa është masë dënuese, reciprociteti ka elemente të tjera, për shembull unë e mirëpres vendosjen e reciprocitetit duke mos heq taksën. Pra, unë kam bërë veç një kompromis, unë kam rënë dakord prej opozitës me propozimet e pozitës për masa të reciprocitetit ose për reciprocitet në cdo sferë, aq sa mbërrin me zbatua se reciprocitet ti si anëtarë i OKB-së e ki më zor me i krijua reciprocitet Serbisë në plot sfera, por jam për reciprocitet duke mos e hequr taksën. Nëse e heqim taksën reciprociteti nuk ka asnjë vlerë…Unë besoj se nuk kanë me e heq, besoj se ka mjaftë hapësirë, nëse për shembull merret koha në rivlerësim të marrëveshjeve të kaluara të dialogut në shqyrtim të krejt proceseve, atëherë kjo veç është koha që fitohet. Nuk ki nevojë menjëherë me ia heq taksën Serbisë pa i vlerësua këto marrëveshje, do t’i anal izojmë të gjitha marrëveshjet e kaluara, po mirë atëherë derisa nuk e ke kryer analizën pse e heq taksën. Ose derisa nuk e ke vendosur reciprocitetin në zbatueshmëri pse i prin me taksë, vendos njëherë reciprocitetin në plotni pastaj e analizon si me veprua më tutje”, thotë ai.

Lëvizja Vetëvendosje si partia më e votuar në zgjedhjet e 6 tetorit dhe Lidhja Demokratike e Kosovës si partia e dytë, aktualisht janë duke zhvilluar takime për krijimin e qeverisë së re të Kosovës. Për këto takime, kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj, thotë se janë normale, por thotë se shihet se ka disa vështirësi në arritjen e marrëveshjes mes këtyre dy partive.

Haradinaj ka ripërsëritur qëndrimin e tij se Vetëvendosja dhe kryetari i saj Albin Kurti janë mashtrues, ku ai thotë se plot qëndrime të tij janë mashtrime siç është rasti me taksën e vendosur për produktet serbe.

Ka plot paqartësi, pozicioni i Vetëvendosjes dhe i z.Kurti ka lëvizur shumë, kanë ndodhur shumë ndryshime në qëndrimet e tij politike dhe nuk e di si do të reflektojnë këto në qeverisje. Po ashtu, LDK shihet se është në gjetje të rolit të vet në këtë koalicion deri diku jo aq edhe të lehtë për ta, pra shihet që janë disa vështirësi në këtë partneritet të ardhshëm. Ta shohim si do t’i menaxhojnë këto…Plot qëndrime janë mashtrim të z.Kurti dhe të Vetëvendosjes, nëse për shembull vetëm për taksën dhe për mallrat serbe, ju e dini si ka qenë qëndrimi i Lëvizjes Vetëvendosje, i z.Kurti për këto mallra tani ai thotë e heqim taksën i lajmë me hy mallrat serbe. Pastaj ka edhe qëndrime të tjera, po dëgjoj tani që një herë e kanë pasur në statut të partisë që kryeministri nuk bënë me qenë kryetar, tani po dëgjoj që po e ndryshojnë statutin. Ose ishte rasti i simboleve ose ka raste të tjera që çuditshëm, në se kjo është praktika kur je në vendimmarrje kjo i bie që ajo që thua sot nuk vlen nesër dhe është e ndjeshme”, deklaron ai.

Megjithatë, ai thotë se është i interesuar që rezultati i zgjedhjeve të 6 tetorit të implementohet dhe të krijohet qeveria e vendit, në mënyrë që të shihet se çfarë sinjalesh do të jap qeveria e re.

“Mendoj që është mirë ende me mbajt shpresë në implementim të rezultatit të zgjedhjeve, është herët me kalua në atë tjetrën, nëse ajo ndodh Kosovës dihet duhet me shkua në zgjedhje, po do të ishte shumë më interes që të implementohet ky rezultat, t’i jepet një shansë këtyre që e kanë marrë besimin dhe të vërtetohet a janë të mirë në qeverisje a jo. Është lehtë ndonjëherë me fol prej opozitës, është lehtë me premtua e gjëra të tjera, është lehtë me i kritikua ata që janë në punë. Unë kam bërë ditë të gjata pune dhe jam fyer e jam ofenduar në të gjitha mënyrat e mundshme, e kam bërë punë për këtë vend, i kam pasur në shpinë me Serbinë, me të huaj, me tonët, me kushedi kush. Shumicën e kohës nuk kanë pasur mirëkuptim për ato sfida që i kemi kaluar si vend, si Kosovë po flas. Unë mendoj që është mirë me ua dhënë mundësinë edhe kësaj qeverie, ta shohin këta çka është qeverisja, nuk është qeverisja vec fontanë dëshirash e diskutimeve intelektuale, por është punë serioze në zbatim dhe janë mekanizma serioz të punës”, thotë Haradinaj.

Haradinaj në intervistën për KosovaPress thotë se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të qëndrojë në opozitë në legjislaturën e shtatë të Kuvendit të Kosovës, por që thotë se do të mbështesin qeverinë e re në temat që i vlerësojnë si interes nacional.

“Nuk mendoj që është koha me fol për to, por kemi thënë që në tema, nëse një temë qeveria e ardhshme ka të drejtë do t’ia japim të drejtën pa asnjë hezitim, nuk kemi asnjë kompleks kush është kush, kur ka të drejtë PDK-ja ia japim PDK-së të drejtën ose z.Veseli. Kushdo që ka të drejtë do të jem me të, po në atë që besojmë që kemi të drejtë e nëse të tjerët janë kundër do t’i kundërshtojmë, pra kanë pozicione të gabuara. Pra, Aleanca nuk do të jetë opozitë veç në bazë të detyrës, jemi opozitarë dhe veç do të kundërshtojmë, do të bëjmë probleme, jo nuk do të jemi ashtu, do të jemi serioz, po jemi serioz realisht kemi një grup parlamentar të njerëzve të zot, të qëndrueshëm, po do të jemi të vendosur, pra nuk do të jemi hajgaregji as në Kuvend as në politikbërje, do të jemi kredibil në vendimet tona si rasti i taksës”, shprehet ai.

Në rast se dështon krijimi i institucioneve të vendit, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, thotë se do të shkojnë të vetëm në zgjedhje. Ai ka mohuar edhe mundësinë që në rast të mbajtjes së zgjedhjeve do të bëjë një koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës dhe Nismën Socialdemokrate, siç kishte bërë në vitin 2017.

“Jo nuk besoj se do t’i kthehem asaj praktike ose asaj tradite, duam me shkuar vet në zgjedhje, nëse vjen prapë shkojmë vet, do të provojmë me e shpjeguar se çka nuk kemi ditur me shpjeguar herën e para kësaj, por do të shkojmë vet në zgjedhje besoj”, thotë ai.

Kryeministri në detyrë, njëherësh kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, nuk do të jetë pjesë e legjislaturës së shtatë të Kuvendit të Kosovës, pasi që ka hequr dorë nga pozita e deputetit. Këtë vendim ai thotë se e ka marrë për shkak se do të angazhohet më shumë me partinë që e udhëheq.

Ai thotë se përgjatë kohës sa ka qeverisur me vendin ka munguar në punët e partisë dhe tash sipas tij është koha që të kthehet në terren dhe të merret me degët dhe strukturat e Aleancës.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në zgjedhjet e 6 tetorit ka dal si partia e katërt, ku në këtë rezultat Haradinaj thotë se ka ndikuar pozita kundërshtuese që Aleanca dhe ai e kishin marrë në shumë tema.

Haradinaj ka mohuar se në këtë rezultat ka ndikuar koalicioni që kishin bërë me Partinë Socialdemokrate.

“Rezultati zgjedhor sipas nesh është i lidhur me pozitën e vështirë që kish marrë Aleanca, që kisha marrë unë kundërshtuese në rastin konkret te palët vendore e ndërkombëtare. Pra, një situatë po e quaj ashtu më e vështira e mundshme dhe një pamundësi që me i kthye në votë të gjitha ato punë të qeverisë së vendit. Ne megjithatë kemi ndërmarrë një proces të brendshëm reflektues dhe jemi në proces të reflektimit të thellë po e quaj, në Aleancë do të ndodhin disa zhvillime që nuk kanë ndodhur më herët… Nuk besoj, nuk është një element aq madhor ky koalicion që të dobësojë pozicionin e Aleancës në zgjedhje. Mendoj se ka aspekte të tjera që e kanë krijuar këtë, pra pozita kundërshtuese ose sfiduese që kemi pasur, ajo është reflektuar dhe një pjesë e madhe e qytetarëve të vendit e kanë mirëpritur kontributin tonë si për ushtrinë, si për Trepçën, si për taksën, mbrojtjen e territorit, mirëpo megjit hatë e kanë pasur edhe shpresën për ndryshime, për zhvillim dhe kjo është reflektuar me votë”, thotë ai.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në zgjedhjet e 6 tetorit ka marrë 96.883 vota apo 11.48 përqind. Kujtojmë se vendi kishte shkuar në zgjedhje të parakohshme, pasi që kryeministri Ramush Haradinaj kishte dhënë dorëheqje pasi ishte ftuar nga Gjykata Speciale për intervistim.

-----