Ballina Lajme nacionale Haradinaj: I strehuam mijëra familje nga Shqipëria

Haradinaj: I strehuam mijëra familje nga Shqipëria

6
SHPËRNDAJE

Haradinaj thotë se mijëra persona kanë ardhur nga Shqipëria, po i strehojmë.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj ka shkruar se në Kosovë pas tragjedisë në Shqipëri kanë ardhur mijëra persona, shkruan Gazeta Express.

Hardinaj përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se të gjitha veprimet ndër-institucionale që Kosova ka ndërmarrë pas tërmetit me pasoja tragjike në Shqipëri, kanë qenë të koordinuara dhe në bashkëveprim me të gjitha palët.

“Në këto momente, në Kosovë kanë arritur mijëra persona nga Shqipëria, të cilët po evidentohen dhe po strehohen qoftë në baza individuale, qoftë në mënyrë të organizuar institucionale. Përkitazi për këtë, ne kemi mobilizuar të gjitha mekanizmat e nevojshëm për të menaxhuar situata të kësaj natyre”, ka deklaruar Haradinaj.

“Tashmë Kampi Inovativ Trajnues Kosovaro – Gjerman në Prizren është mbushur në të gjitha kapacitetet që ka dhe jemi duke u angazhuar në evidentimin e personave dhe ofrimin e strehimit”, shtoi ai.

Haradinaj ka bërë thirrje që të gjitha ndihmat dhe materialet e nevojshme t’i dërgojnë në kazermën e FSK-së në Prizren.

“Andaj, për t’i evituar të gjitha konfuzionet për këtë mobilizim qytetar të ofrimit të ndihmës dhe grumbullimin e ushqimeve, ju bëjë apel të gjithëve që ushqimin dhe materialet e tjera të nevojshme, t’i dërgojnë në Kazermën e FSK-së në Prizren dhe pastaj ato do të delegohen në mënyrë të kujdesshme dhe të kontrolluara në vendet ku ka nevojë. Edhe njëherë, angazhimi ynë që nga dita e parë pas kësaj fatkeqësie ka qenë institucional dhe i koordinuar dhe kësisoj duhet t’i menaxhojmë edhe veprimet vullnetmira të qytetarëve tanë!”, deklaroi kryeministri në detyrë.