Ballina Lajme nacionale Haradinaj dha dorëheqje, por a mund ta kthejë prapa këtë vendim?

Haradinaj dha dorëheqje, por a mund ta kthejë prapa këtë vendim?

12
SHPËRNDAJE

Të premten, Haradinaj dha dorëheqje nga posti i kryeministrit.

Vendimi i ish-kryeministrit erdhi si rrjedhojë e ftesës që atij i erdhi nga Specialja për intervistim në cilësinë e të dyshuarit.

Ndonëse ai të hënën dorëzoi dorëheqjen e tij tek presidenti i vendit, Hashim Thaçi, Haradinaj po vazhdon të kryejë punë si kryeministër i Kosovës.

Madje Haradinaj po planifikon të mbajë mbledhje antikushtetuese të Qeverisë të cilën ai e rrëzoi vetë.

E Haradinaj ligjërisht nuk mund ta kthejë prapa vendimin e marrë të premten.

Njohësi i Kushtetutës, Riza Smaka për lajmi.net thotë se ligjërisht nuk është e përcaktuar nëse presidenti mund ta refuzojë dorëheqjen e Haradinajt.

Megjithatë, ai thekson se në praktikat parlamentare nuk ka raste kur është refuzuar dorëheqja.

Kjo ngase, sipas tij, dorëheqja është akt politik dhe juridik.

“Nuk është përcaktuar as në kushtetutë se presidenti mund ta refuzojë dorëheqjen. Akti i dorëheqjes siç është përcaktuar në kushtetutë është akt politik mirëpo edhe akt juridik, pra kryetari i Qeverisë mund të japë dorëheqje dhe në praktikat parlamentare nuk ka raste kur është i është refuzuar dorëeheqja”, thekson Smaka.

Smaka thotë se në këtë rast, ose duhet të bie Qeveria, ose nëse koalicioni qeveritar ka fuqi politike, të propozojë kandidatin e ri për kryeministër dhe i njëjti të aprovohet nga presidenti dhe Kuvendi.

Siç shprehet ai, presidenti nuk ka fuqi absolute në këtë çështje, dhe është vetëm një hallkë në të gjithë procesin.

“Në praktika nuk ka ndodhë, dhe nuk është përcaktuar shprehimisht. Pra nuk është fuqi absolute e presidentit në këtë çështje, presidenti është një hallkë në këtë çështje dhe nuk është autoriteti përfundimtar”, ka thënë në fund Smaka.

Haradinaj dha të premten dorëheqje të parevokueshme nga pozita e kryeministrit të Kosovës.

Ai dje u intervistua nga prokurorët e Hagës në cilësinë e të dyshuarit, teksa u shpreh optimist se nuk do të përballet me aktakuzë.

-----