Ballina Lajme nacionale Haradinaj bie në kundërshtim me deklaratat e tij, dikur uronte për vizat...

Haradinaj bie në kundërshtim me deklaratat e tij, dikur uronte për vizat tani thotë se punë ende nuk është kryer

49
SHPËRNDAJE

Haradinaj bië ne kundërshtim me deklaratat që i ka thënë para pak muajve me ato që po i thotë tani.

“Urime liberalizimi i vizave”.

Kjo ishte deklarata e Haradinajt pas mbledhjes së Qeverisë në fillim të majit, ku ai i uronte qytetarët e Kosovës për liberalizimin e vizave.

Haradinaj e merrte si të kryer punën e vizave, teksa theksonte mbështetjen e plotë të Gjermanisë për këtë proces, shkruan lajmi.

Sa do të tingëllonin qesharake apo të çuditshme, deklaratat e tij, Haradinaj do ta përsëriste urimin e tij në njërën prej konferencave të ardhshme para mediave.

Por me të njëjtin optimizëm Haradinaj nuk foli edhe sot pas takimit me Kancelaren gjermane, Angela Merkel.

Në një paraqitje për media, Haradinaj theksoi se liberalizimi i vizave është proces mjaft i vështirë.

E në fokus ishte deklarata e tij se “puna ende nuk është kryer”, deklaratë kjo që i referohej hyrjes së Kosovës në agjendën e Këshillit të Ministrave.

Këto konstatime të Haradinajt vijnë pavarësisht urimit që ai u bëri qytetarëve të Kosovës për heqjen e vizave.

Liberalizimi i vizave pritet që edhe këtë vit të jetë temë qëndrore në vend.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi gjatë ditës së sotme para nisjes në Bratisllavë tha se duhet të marrin fund një herë e mirë padrejtësitë dhe izolimi ndaj Kosovës.

Ndryshe, Haradinaj ka dhënë dy përgjigje të ndryshme lidhur edhe me taksën, kur për këtë çështje është pyetur nga gazetarët pas takimit me Kancelaren Angela Merkel.

Fillimisht, ai ka thënë se nuk i është kërkuar heqja e taksës dhe ka vazhduar me qëndrimin e tij se ajo nuk do të hiqet, transmeton lajmi.net.

“Taksa nuk hiqet. Nuk është çështje e sotme, as e ditëve në vijim. Nuk është kërkuar heqja e taksës. Është biseduar për të në kontekstin e Dialogut, por taksa nuk hiqet”, ka thënë Haradinaj.

Më pas, Kryeministri është shprehur se në takim me Merkel është biseduar çështja e pezullimit të taksës, kur është folur në kontekst të vazhdimit të Dialogut Kosovë-Serbi.

“Kancelarja ishte e interesuar për mundësinë e vazhdimit të Dialogut, pra një Dialog konkret, dhe kornizimit të Dialogut. Në kontekst të kësaj, edhe çështja e veprimeve të ndërsjella për krijimin e besimit. Nuk jemi në atë situatë të marrjes së vendimeve për pezullim, ose për ndonjë veprim të caktuar, por është diskutuar edhe kjo çështje. Por, s’ka një epilog”, është shprehur Haradinaj në konferencën për media.

Në bazë të këtyre dy deklaratave të Haradinajt, del se Angela Merkel nuk ka kërkuar heqjen e taksës, por ka kërkuar pezullimin e saj, në mënyrë që të vazhdojë Dialogu, ashtu siç kanë kërkuar edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

-----