Ballina Lajme nacionale HAPJA E KUSHTETUTËS: Shqiptarët të shfrytëzojnë momentin!

HAPJA E KUSHTETUTËS: Shqiptarët të shfrytëzojnë momentin!

9
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -

Kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, thekson se gjithmonë kur do të aktualizohet hapja e Kushtetutës, si parti do të ngrenë çështjen e heqjes së termeve numerike lidhur me gjuhën shqipe. Ndërkohë ishte vet lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski, i cili në një intervistë për gazetën KOHA, pati thënë se ai dhe partia e tij do të mbështesnin heqjen e referencës “20 për qind” për gjuhën shqipe nga të gjitha aktet normative të vendit. Çështja gjuhës shqipe që në Kushtetutë quhet ‘gjuha e 20 përqindëshit’ është njëra nga pikat kyçe që dëshmon se shqiptarët në RMV nuk trajtohen si palë të barabarta, thotë Remzi Memedi i ASH-së

Xhenur ISENI

Shkup, 11 mars – Kushtetuta e vitit 1991 e Republikës së Maqedonisë së Veriut shpeshherë është detektuar si gjenerator i krizave, por edhe me ndryshimet e fundit të Kushtetutës – kur u ndryshua dhe emri i shtetit, nuk u përmirësua diskriminimi kur janë në pyetje shqiptarët të cilët barazohen me etnitetet më të vogla në vend, si serbet, vllehët, turqit etj por dhe gjuha shqipe që definohet me termin e “20 për qind”. Ekspertët juridik thonë se është koha që në Maqedoninë e Veriut, nëse hapet Kushtetuta, shqiptarët të shfrytëzojnë momentin dhe të zgjidhin çështjet jetike, e që në fakt do të përcaktonte një koncept të ri të definimit të shtetit dhe barazisë së kombeve, por në të njëjtën kohë do të ishte bazament më i sigurt për zhvillimin proceseve euro-integruese, me një fjalë do ta përgatiste Maqedoninë e Veriut për të ardhmen e vet evropiane.

Hapjen e Kushtetutës e paralajmëroi dje kryeministri i vendit Zoran Zaev, me qëllim që bullgarët, por edhe bashkësi tjera etnike si torbeshët, egjiptianët, austriakët, romanët… por edhe etni tjera të jenë pjesë e aktit më të lartë juridik në vend. Zaevi madje tha se kjo është detyrim që del nga procesi i anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian. “Para se të hymë në BE, e kemi patjetër ta hapim Kushtetutën. Një nga arsyet janë edhe bashkësitë më të vogla etnike që jetojnë këtu e që duhet të përmenden. Këtë e bëri Kroacia pak para se të hynte në BE. Pra kemi vite para nesh, por vullnet të shprehur se kemi gatishmëri jo vetëm për bullgarët, kroatët, torbeshët, egjiptianët, austriakët, romët dhe gjithsecilin që e kemi në shtet. Si shoqëri e hapur, shtet evropian do ta ndjekim shembullin e vendeve evropiane, por për momentin është shumë e rëndësishme sepse konteksti i këtyre deklaratave është në vigjilje të regjistrimit, qytetarët duhet ta dinë se pyetja është se cilës bashkësi etnike i takoni”, deklaroi Zaevi.

Kur jemi te preambula aktuale e Kushtetutës së RMV-së, e ndryshuar dhe plotësuar në vitin 2019, domosdo duhet t´i nënshtrohet një procesi të rishikimit serioz kritik, sidomos në aspektin e sendërtimit të funksionit integrues të saj, meqenëse kjo preambulë e mbithekson karakterin etnik të shtetit, ku duke u nisur nga fakti se, njëri komunitet etnik (populli Maqedonas) në veçanti shquhet si etnos (komb), dhe ky fakt e dëshmon bindjen se, pjesëtarët e komuniteteve të tjera etnike janë qytetarë të rendit të dytë, thotë profesori universitar i të drejtës kushtetuese, Jeton Shasivari. Ai thotë se preambula aktuale e kushtetutës paraqet një diskriminim të hapur etnik ndaj shqiptarëve.

“Preambula aktuale kushtetuese nuk siguron një funksion dhe potencial të duhur koheziv që të shërbejë si një ‘material lidhëz’ për të unifikuar qytetarët e RMV-së, sepse kjo preambulë kushtetuese vazhdon t’i ndajë qytetarët e RMV-së, në popull Maqedonas (termi Maqedonas është i shkruar me germë të madhe) dhe në qytetarë që janë pjesë e popullit shqiptarë, popullit turk, popullit serb, popullit vlleh, popullit romë, popullit boshnjak dhe të tjerët, ku edhe pse preambula aktuale i vendosë qytetarët si element konstitutiv të shtetit, megjithatë popullin maqedonas e përkufizon si etnos (komb), ndërkaq shqiptarët dhe të tjerët si pakicë nacionale – gjë që paraqet një diskriminim të hapur etnik të qytetarëve shqiptarë që juridikisht i përkasin këtij shteti dhe që edhe sot e kësaj dite janë viktimë kushtetuese…”, ka deklaruar për KOHA, profesori universitar, Jeton Shasivari.

Me Kushtetutën e vitit 1991, pozita juridike – kushtetuese e shqiptarëve u degradua, shqiptarët humbën statusin shtet-formues të cilin formalisht e gëzonin me Kushtetutën e vitit 1974. Pra shqiptarët nuk arritën të mbronin statusin kushtetues të trashëguar nga sistemi i kaluar. Republika e Maqedonisë së Veriut u definua si shtet nacional i maqedonasve, ndërsa pozita juridike kushtetuese e shqiptarëve u definua si nacionalitet, e që nënkupton pakicë kombëtare. Në preambulën e Kushtetutës përmendet “populli maqedonas, si dhe qytetarët të cilët jetojnë në kufijtë e saj që janë pjesë e popullit shqiptarë, popullit turk, popullit vlleh, popullit serb, popullit rom, popullit boshnjak dhe të tjerë”. Përkatësisht sipas preambulës aktuale thuhet se pronësia e shtetit u takon maqedonasve ndërkaq aty mund të jetojnë edhe pjesët e popujve fqinjë. Por shqiptarët refuzojnë që në Kushtetutë të identifikohen dhe me termin “20 për qind” sa i përket gjuhës. Ndoshta edhe më i rëndësishëm se aspekti juridik dhe praktik është fakti se definimi si “gjuhë e 20%” është tejet ofendues për shqiptarët. Mu për këtë shqiptarët asnjëherë nuk do të pranojnë që gjuha e tyre të mbetet e paemër dhe e definuar me përqindje.

Kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami në një pronocim për gazetën KOHA thekson se gjithmonë kur do të aktualizohet hapja e Kushtetutës, si parti do të ngrenë çështjen e heqjes së termeve numerike lidhur me gjuhën shqipe. “Gjithmonë kur do te aktualizohet çështja e hapjes së kushtetutës dhe ndryshimet e propozuara cenojnë realitetin multietnik të shtetit ne çdoherë do ngremë çështjen e heqjes të termeve numerike për sa i takon të drejtave për përdorimin e gjuhës shqipe. Ne na vjen mirë që si parti politike, Lëvizja BESA vendosi një standard të ri në artikulimin e çështjes shqiptare dhe amortizoi refuzimin e palës maqedonase që në të kaluarën ishte refuzuese ndaj kërkesave tona, ndërsa tani kanë qasje pak më liberale”, ka deklaruar për KOHA, kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami. Edhe nga Aleanca për Shqiptarët thonë se një ndër kauzat kryesore të partisë është ndryshimi i kushtetutës dhe trajtimi i gjuhës shqipe si e barabartë me atë maqedonase dhe jo gjuha që flasin 20 për qind. Nënkryetari i kësaj partie, Remzi Mehmedi shprehet se të drejtat e munguara të shqiptarëve derivojnë pikë se pari nga Kushtetuta, ligjet dhe pa dyshim zbatueshmëria e tyre.

“RMV është shtet shumë etnik dhe çështjet e rregullimit të të drejtave të popullsisë janë të ndjeshme dhe prodhojnë kriza edhe politike edhe institucionale me çka vendi shënon ngecje në shumë drejtime. Çështja gjuhës shqipe që në Kushtetutë quhet ‘gjuha e 20 përqindëshit’ është njëra nga pikat kyçe që dëshmon se shqiptarët në RMV nuk trajtohen si palë të barabarta, prandaj ne si Aleancë për Shqiptarët prej themelimit deri ne sot njërën nga kauzat kryesore politike kemi ndryshimin e Kushtetutës dhe trajtimin e gjuhës shqipe si gjuhë shqipe e barabartë me gjuhen maqedonase dhe jo si gjuha qe e flasin 20 për qind e popullsisë. Në ndryshimet e kaluara kushtetuese me insistimin tonë arritëm që në preambulë shqiptarët të radhiten si shqiptarë menjëherë pas popullit maqedonas dhe jo si ishte deri me tash ku përmendej populli maqedonas, si dhe të tjerë. Do të vazhdojmë të jemi konzistent ashtu si edhe deri më tani që një herë e përgjithmonë Kushtetuta e RMV të jetë pasqyrë e realitetit etnik të vendit”, ka deklaruar për KOHA, Remzi Mehmedi, nënkryetarë i Aleancës për Shqiptarët. Ndërkohë, ishte vet lideri i partisë më të madhe opozitare maqedonase – VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, i cili në një intervistë për gazetën KOHA, pati thënë se ai dhe partia e tij do të mbështesnin heqjen e referencës “20 për qind” për gjuhën shqipe nga të gjitha aktet normative të vendit.

“Mua personalisht do të më pengonte të jemi numër, të jem përqindje. Shkollimin tim e kam kryer jashtë vendit, dhe atje kam qenë konkurrent edhe me gjermanët edhe me italianët, ndoshta kam qenë edhe një nga më të mirët atje. Nuk kam dashur që të më trajtojnë si numër. Edhe këtu, absolutisht pajtohem me ju se kjo përqindje duhet të zhduket! Edhe dua që kjo përqindje të hiqet. Të jemi maqedonas, shqiptarë, turq, vlleh, serb etj., qytetarë lojal të Maqedonisë. Numrat nuk na nevojiten, ato vetëm se na ndajnë, dhe e bëjnë njërën palë të privilegjuar dhe palën tjetër represive. Askush nuk duhet të kontestohet si numër dhe të trajtohet si numër dhe të jetë i frustuar si numër”, pati thënë Mickovski.

Ekspertët e të drejtës kushtetuese disa herë kanë kundërshtuar mos përfshirjen e popullit shqiptar si shtet-formues në ndryshimet e reja kushtetuese në pjesën e preambulës dhe sipas tyre Kushtetuta nga gjenerator mund të shndërrohet në akumulator krizash me mundësi shpërthimi. “Është një fakt i pamohueshëm që paralelisht me fshirjen e Autonomisë së Kosovës, agresioni kushtetues i Millosheviqit në vitin 1989 ku statusi kushtetues i shqiptarëve në Kushtetutën e ish-Maqedonisë Socialiste të vitit 1974 si subjekt konstitutiv (neni 1) u degradua me atë që me Amendamentin kushtetues 56 u fshi ky subjektivitet kushtetues i shqiptarëve si një e drejtë e fituar kolektive, edhe sot e kësaj dite, po prodhon tensione dhe mosbesueshmëri ndër-etnike, në sistemin tonë kushtetues dhe politik”, ka përfunduar Jeton Shasivari. Për ndryshim të Kushtetutës është e duhur shumicë prej 2/3 e votave në Parlament. (koha.mk)

The post HAPJA E KUSHTETUTËS: Shqiptarët të shfrytëzojnë momentin! appeared first on KOHA.

---- ----
-----