Ballina Lajme nacionale Grabitja e pronave të ushtrisë- Si u ndërtua godina private në bazën...

Grabitja e pronave të ushtrisë- Si u ndërtua godina private në bazën e Shëngjinit

19
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -
133 hektarë tokë baza ushtarake, janë privatizuar në kundërshtim të plotë me ligjet e shtetit shqiptar. Ish-zv/komandant i flotës detare Artur Meçollari denoncon drejtuesit e lartë të ushtrisë dhe ministrisë së mbrojtjes për skandalin e grabitjes së pronave të ushtrisë në vijën bregdetare.

Ai tregon se sesi ministrat e mbrojtjes në dy qeverisjet, PS dhe PD kanë hequr nga administrimi i ushtrisë sipërfaqet të mëdha toke bazë ushtarake dhe i janë kaluar kompanive të ndryshme private për resorte turistike.

Një rast është baza e Shëngjinit në Lezhë. Prona me Nr. 1311 në Shëngjin, është e rëndësishme për operacionalitetin e Forcës Detare. Kjo pjesë e sipërfaqes së bazës ushtarake u përjashtua nga plani i përhapjes në vitin 2016, me qëllim që prona të humbiste statusin e “interesit publik”.

Nga 6.6 hektarë që ishte baza ushtarake, kanë mbetur vetëm 2,6 hektarë në pronësi të ministrisë së Mbrojtjes. Pjesa tjetër i është dhënë kompanive private, të cilat kanë ndërtuar godina rezidenciale brenda bazës ushtarake.

Kjo godinë katërkatëshe që po ndërtohet rishtas ndodhet në brendësi të perimetrit të bazës. Aktualisht është pezulluar ndërtimi pas denoncimit të rastit nga Meçollari.

“Në Shëngjin, një privat në 2011 ka marrë certifikatë pronësie brenda territorit të forcës detare. Në vitin 2011, e gjithë sipërfaqja e bazës ka qenë në planin e përhapjes por nuk ka qenë me sipërfaqe pronësie sepse Kadastra e Lezhës, nuk i jepte forcës detare certifikatë pronësie sepse ishte në konflikt interesi me disa pronarë, kurse pronarët që ishin në konflikt interesi me forcën detare u jepte certifikatë, këtu fillon problemi.”

Meçollari tregon me dokumente, se prej vitit 2016 deri tani janë hequr nga plani i përhapjes 133 hektarë tokë që administronte forca detare duke ia kaluar kompanive private. E gjithë procedura është në kundërshtim të plotë me ligjin, pasi në asnjë rast nuk është miratuar nga presidenti i republikës, i cili është drejtuesi i forcave të armatosura.

“Në vitin 2016 ndodh një fenoment tjetër. Me urdhër të shefit të shtabit të përgjithshëm ngrihet një komision i kryesuar nga ish-drejtori i operacioneve në atë kohë, i cili sot është gjeneral brigade, komandat i forcave detare. Dhe, vendosi që të ndajnë katër prona të forcës detare, në katër bazat kryesore. Në Shëngjin, në Kep të Palit, në Pashaliman dhe në Palermo duke u shkëptur bazave kryesore, nga 200 hektarë, në 133 hektarë. Duke i shkëputur, menduan se i nxorrën nga plani i përhapjes…Presidenti nuk ka dijeni qe kjo pronë ka dalë nga plani i përhapjes dhe nuk e ka miratuar nxjerrjen e saj.”

Pas shkarkimit, Meçollari i ka shkruar kryeministrit një letër prej 21 faqesh, për dijeni edhe ambasadores amerikane Yuri Kim, rreth asaj që po ndodhet me pronat e flotës detare.

Ai beson se beteja për të mbrojtur pronat e ushtrisë ishte shkaku i vetëm për largimin e tij nga radhët e ushtrisë. E vetmja shkelje e tij ishte se lejoi një dasmë në bordin e anijes LISSUS, por ai tregon se ceremoni të tilla janë zhvilluar edhe herë të tjera dhe vetë ministrja Xhaçka i ka publikuar edhe në rrjetet e saj sociale. Madje, në anijet e Flotës Detare janë regjistruar video-klipe këngësh apo sekeunca të filmave të ndryshëm.

Stafi i kryeministrit i ka ofruar një detyrë të re, ndoshta me qëllim që të mbyllet debati për privatizimin e pronave të ushtrisë, por Meçollari e ka refuzuar.

“Më ka thirrur përsëri zoti Agaçi e më kërkoi që të pranoja detyrën e këshilltarit detyrën e këshilltarit të kryeministrit për çështjen e marrëveshjes detare me Greqinë…E kam pranuar si ofertë, por i kam thënë që unë i shërbej kryeministrit vetëm si ushtarak, jo civil. Pas kësaj, më ka thirrur pas tre ditësh ministri i Mbrojtjes, dhe më ka thënë që do ta revokojë urdhrin në mënyrë administrative. E prita pas gati dy javësh, i dergova mesazh, nuk më ktheu përgjigje, dhe nuk i rashë më nga mbrapa.”

Për shkak të shkeljeve flagrante në procedurat e shkarkimit, Meçollari ka fituar gjyqin dhe gjykata adminsitrative ka vendosur ta rikthejë në detyrë, por vendimi ende nuk është zbatuar nga drejtuesit e ministrisë së Mbrojtjes. /abcnews.al/

The post Grabitja e pronave të ushtrisë- Si u ndërtua godina private në bazën e Shëngjinit appeared first on Abc News.

---- ----
-----