
Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi që të shfuqizojë vendimit të qeverisë së Kosovës për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve dhe automjeteve si masë për të penguar zgjerimin e koronavirusit. Vendimi i Gjykatës hyn në fuqi më 13 prill.
Qeveria tha se vendimi është në pajtim me kushtetutën e ligjet e vendit dhe në funksion të pengimit të zgjerimit të koronavirusit, raporton Zëri i Amerikës.
Një ditë më pas Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i kërkoi Gjykatës Kushtetuese interpretimin e përputhshmërisë së vendimit të qeverisë së Kosovës.
Të martën Gjykata tha se vendimi i qeverisë “nuk është në përputhshmëri me nenin 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të Kushtetutës në lidhje me nenet 35 [Liria e Lëvizjes], 36 [E drejta e Privatësisë] dhe 43 [Liria e Tubimit] dhe nenet 8 (E drejta e jetës private dhe familjare), 11 (Liria e tubimit dhe asociimit) të KEDNJ-së dhe nenin 2 (Liria e lëvizjes) të Protokollit nr. 4 të KEDNJ”.
Gjykata konstaton në vendimin e saj se “neni 56 [Të Drejtat dhe Liritë Themelore gjatë Gjendjes së Jashtëzakonshme] i Kushtetutës nuk është i aplikueshëm në rrethanat e rastit konkret sepse nuk kemi të bëjë me “shmangie” nga të drejtat dhe liritë themelore”.
Sipas Gjykatës “bazuar në nenin 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të Kushtetutës, kufizimi i të drejtave dhe lirive themelore mund të bëhet “vetëm me ligj” të Kuvendit të Republikës së Kosovës”.
Së këndejmi thuhet në vendimin e saj, Gjykata vendosi “të shpallë të pavlefshëm, në pajtim me nenin 116.3 të Kushtetutës” vendimin e qeverisë, nga dita e hyrjes në fuqi të këtij aktgjykimi.
Gjykata përcaktoi datën 13 prill 2020, si datë të hyrjes në fuqi të aktgjykimit të saj, “respektivisht shfuqizimit të vendimit të kontestuar të qeverisë”.