Ballina Sport Gjimshiti shkruan historinë me Atalantën, dikur ishte pa kontratë dhe askush nuk...

Gjimshiti shkruan historinë me Atalantën, dikur ishte pa kontratë dhe askush nuk besonte (FOTO)

43
SHPËRNDAJE

Atalanta është duke shkruar historinë në Ligën e Kampionëve, teksa pasi u kualifikuan për herë të parë në këtë kompeticion ku kaluan edhe fazën e grupeve, tani janë shumë afër çerekfinales, pasi mposhtën me rezultatin 4-1 Valencian në ndeshjen e parë të zhvilluar në Itali.

Pjesë e zikaltërve është edhe mbrojtësi shqiptar Berat Gjimshiti, i cili ditën e djeshme nuk ia doli dot të luante, për shkak të një dëmtimi të pësuar pak minuta para ndeshjes. Mbrojtësi kuqezi është kthyer në një lojtar shumë të rëndësishëm në ekipin bergamask, teksa është blinduar titullar në formacionin e Atalantës.

Një shkrim të veçantë për Gjimshitin ka bërë edhe zviceriania “Blick”, e cila tregon rrugëtimin e 27-vjeçarit dhe vështirësitë që ka kaliuar deri këtu ku është tani. Në intervistën për median e njohur Gjimshiti shprehet: “Unë kurrë nuk jam stërvitur kaq fort sa këtu. Ka disa seanca stërvitore ku unë vrapoj mbi 8 km”.

Në shkrimin për shqiptarin thuhet: “Para katër vitesh ai ishte pa kontratë. Ku u paraqit te Atalanta në janar para 4 vitesh, shumë pak besonin se ai do të arrinte kaq lart. Asokohe Atalanta nuk ishte në këto nivele, teksa luftonte për të qëndruar në Serie A. Shqiptari ishte pa kontratë, pasi trajneri i skuadrës së Zyrihut që kishte në pronësi lojtarin, nuk e dëshironte në ekipin e tij.

Për këtë periudhë Gjimshiti thotë: “Asokohe isha i zgënjyer që nuk më mbajtën, por trajneri mendoi se unë nuk mund të jepja diçka për klubin tim. Ndoshta kisha disa ndeshje të dobëta, ose mbase ishte koha për të provuar diçka të re”.

Në verën e 2018-ës, aventurës së shqiptarit te Atalanta dukej se i kishte ardhur fundi. “Më është thënë që mund të largohem nga klubi. Unë atëherë vazhdoja të mendoja për një kthim te Zyrihu, ndërsa agjenti im vazhdonte negociatat me disa klube italiane. Gjithashtu një opsion tjetër ishte edhe Rusia’, shton mbrojtësi.

Megjithatë gjithçka ndryshon me një dëmtim të një mbrojtësi të Atalantës dhe Gjimshiti urdhërohet të bashkohet përsëri me ekipin. Nga ajo kohë ai ka qenë një lojtar shumë i rëndësishëm për ekipin, teksa vlera e tij në merkato është rritur me dhjetëfish, duke shkuar në 11 milionë euro.

Atalanta vazhdon surprizën në Ligën e Kampionëve dhe për këtë mbrojtësi tha: “Valencia është një ekip shumë i fortë, por shorti mund të na ketë ndihmuar deri diku”.

-----