Ballina Lajme Bota/Rajoni Gjermania s’ka mbretëreshë, por ka Angela Merkelin

Gjermania s’ka mbretëreshë, por ka Angela Merkelin

21
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -

Nga Enver Robelli

Para 15 vitesh në parlamentin gjerman dha betimin dhe mori postin e kancelares gjermane Angela Merkel. Në fillim e quajtën «vajza e Kohlit» (kancelari i bashkimit të Gjermanisë e kishte përkrahur atë për të depërtuar në nivelet e larta të politikës gjermane), pastaj e quajtën «nëna» e gjermanëve për shkak se e drejtoi vendin nëpër kriza dhe suksese, më 2019 revista amerikane «Forbes» e zgjodhi si gruan më me ndikibom në botë.

Më 22 nëntor 2005 Merkel e dha betimin para kryetarit të atëhershëm të parlamentit, Norbert Lammert, një politikani me retorikë brilante. Lammert tha: «Kësisoj, ju jeni e para kryeministre e Gjermanisë e zgjedhur në mënyrë demokratike. Ky është një sinjal i fuqishëm për shumë gra, por sigurisht edhe për disa burra». Merkel refuzon ta quajë veten feministe, ajo është kundër kuotës gjinore, por gjithsesi angazhohet për barazi mes gjinive. Me stilin e saj këmbëngulës ajo ka arritur shumë për gratë.

Merkel ia ka hapur rrugën Ursula von der Leyen që të bëhet ministre e Mbrojtjes e Gjermanisë, tani von der Leyen është kryetare e Komisionit Europian. Ministre aktuale e Mbrojtjes është Annegret Kramp-Karrenbauer, e cila falë përkrahjes së Merkel u bë edhe kryetare e partisë konservatore CDU, por dha dorëheqje për shkak të disa humbjeve në zgjedhje në nivel të landeve gjermane. Ironia e Merkel kur bëhet fjalë për barazinë e grave është e bukur: «Jo patjetër është keq kur gratë kanë diçka për të thënë».

Gjatë qeverisjes 15-vjeçare Merkel e ka ngritur shumë lart reputacionin e Gjermanisë në botë. Si kancelare ajo ka evituar falimentimin e Greqisë dhe largimin e këtij vendi nga BE, ka shmangur fundosjen e valutës së përbashkët euro, ka qëndruar stoike kundër presidentit rus Vladimir Putin (pa Merkelin BE zor se do të mbante në fuqi sanksionet kundër Rusisë për shkak të agresionit kundër Ukrainës), më 2015 ka pranuar rreth 1 milionë refugjatë nga Siria dhe vende të tjera (një vendim që ka nxitur protesta të ashpra nga qarqet e djathta në Gjermani).

Kriza e koronës do të jetë me gjasë kriza më e rëndë dhe e fundit gjatë qeverisjes 15-vjeçare të Merkelit. Ky është viti i fundit i saj si kancelare. Në zgjedhjet e ardhshme nuk do të kandidojë më. Gjatë këtyre viteve Merkel ka kundërshtuar kryesisht me sukses politikanët me probleme të ndryshme (egoizëm, narcizëm, etje për admirim nga të tjerët): të gjithë këta, pra Nicolas Sarkozy, François Hollande, Silvio Berlusconi, Alexis Tsipras, Vlladimir Putin, Jaroslaw Kaczynski, Viktor Orbán, Boris Johnson, Donald Trump e të tjerë Merkel i ka menaxhuar me stoicizmin e saj tashmë legjendar.

Sa gjatë Merkel është në pushtet, ndoshta e ilustron më së miri krahasimi me vende të tjera. Gjatë 15 viteve të fundit në Itali kanë qeverisur kryeministrat Prodi, Berlusconi, Monti, Letta, Renzi, Gentiloni, Conte. Në SHBA: Bush, Obama, Trump. Në Francë: Chirac, Sarkozy, Hollande, Macron. Në Britaninë e Madhe: Blair, Brown, Cameron, May, Johnson.

---- ----
----
-----
-----