Ballina Lajme Bota/Rajoni Gjermania përkujton 80 mijë viktimat e Covid 19

Gjermania përkujton 80 mijë viktimat e Covid 19

13
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -

Gjermania përkujtoi  në një ceremoni kombëtare 80 mijë viktimat e COVID-19, ceremonia u zhvillua në kishën Përkujtimore Kaiser Wilhelm.

Numri i mysafirve ishte i kufizuar por udhëheqësit e 16 rajoneve të këtij shteti u kërkuan qytetarëve të bashkohen në kujtesë duke ndezur qirinj në dritaret e shtëpive të tyre.

Përkujtimi vjen ndërsa Gjermania po lufton me  valën e tretë, me infeksione dhe vdekje që kanë shënuar rritje.

“Në cilësinë e presidentit, unë besoj se është shumë e rëndësishme për ne që të ndalemi dhe t’u themi lamtumirë me dinjitet atyre që vdiqën gjatë pandemisë, përfshirë ata që nuk ranë viktima të virusit, por që për shkak të tij vdiqën të vetmuar. Pas çdo numri, ekziston një jetë” – u shpreh Presidenti gjerman, Frank Valter Shtajnmajer.

Sipas të dhënave të fundit të Universitetit Johns Hopkins, numri i vdekjeve të regjistruara nga virusi korona në botën u rrit nga dy në tre milion brenda tre muajve. Numri i infeksioneve të njohura aktualisht është rreth 730,000 në ditë.

Zhvillimet në vendet e ndryshme shfaqin dallime të konsiderueshme edhe për shkak të vaksinimeve.

Falë fushatave masive të vaksinimit Izraeli dhe Britania e Madhe e kanë tani kryesisht nën kontroll krizën shëndetësore. Edhe në Kili dhe SHBA vaksinimet tani kanë avancuar mirë, gjë që duhet ta ngadalësojë më tej pandeminë.

Kurse në rajone të tjera të botës gjendja është përkeqësuar jashtëzakonisht. Shumica e infeksioneve të reja janë raportuar kohët e fundit nga India, Brazili dhe Turqia.

Brazili tani raporton një mesatare prej rreth 3,000 vdekjesh në ditë, më shumë se dy herë më shumë se në mes të shkurtit.

Në Indi numri i vdekjeve u rrit në 1.000 në ditë, nëntë herë më shumë se në fillim të marsit. Numri i infeksioneve të reja në Turqi u rrit në më shumë se 60.000 raste në ditë këtë javë.

The post Gjermania përkujton 80 mijë viktimat e Covid 19 appeared first on KOHA.

---- ----
-----