Ballina Lajme nacionale Gjeografia fyese do të tërhiqet

Gjeografia fyese do të tërhiqet

12
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -

Për tekstet shkollore që përmbajnë fyerje, në këtë rast ndaj popullsisë shqiptare, por edhe stereotipa, etiketime… e çdo lloj prezantimi negativ apo diskriminues – do të duhet që MASH në të ardhmen të gjejë mënyrat që të mos mundet të hyjnë në sistemin arsimor, thotë Carovska

Evis HALILI

Shkup, 10 mars – Libri i Gjeografisë do të tërhiqet. Komisioni i ngritur nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës këto ditë pritet të japë propozimin, ka deklaruar ministrja Mila Carovska. Për tekstet shkollore që përmbajnë fyerje, në këtë rast ndaj popullsisë shqiptare, por edhe stereotipa, etiketime… e çdo lloj prezantimi negativ apo diskriminues – do të duhet që MASH në të ardhmen të gjejë mënyrat që të mos mundet të hyjnë në sistemin arsimor. Kështu ka thënë ndër të tjera ministrja Caroska një intervistë për televizionin Telma e që lidhej kryesisht për reformat e pritshme në arsim. Libri i Gjeografisë për gjimnazin e reformuar, ku prezantimi i popullsisë shqiptare bëhej në formë skandaloze – do të ketë fatin e njëjtë me librin e maqedonishtes që diskriminonte gruan dhe të cilin ministrja e solli si shembull.

“Gjëja e parë që bëra kur hyra në ministri – ishte heqja, kuptohet me propozimin e Komisionit, e librit të maqedonishtes të klasës së pestë që bënte një prezantim të frikshëm të gruas. Çdo libër, i cili për çfarëdolloj arsye përmban diskriminim, stereotipa, etiketime, prezantim negativ ndaj një grupi…, nuk mund të jetë pjesë e arsimit. Edhe për librin e Gjeografisë është formuar një grup pune që këto ditë duhet të japë propozimin edhe kështu ta tërheqim atë libër. Të shohim se çfarë do të sugjerojë Komisioni dhe të krijojmë kushte që në të ardhmen informacione të tilla të tmerrshme të mos kenë mundësi të hyjnë në sistemin arsimor. Sepse është e kotë të thuhet se jemi shtet demokratik, që ratifikojmë konventa, ligje kundër diskriminimit…, gjithçka harmonizohet në drejtim të atyre vlerave, inkluzivitetit, barazisë gjinore, ndërkohë që në shkollë i mësojmë fëmijët me vlera krejtësisht të tjera. Këto dy gjëra nuk shkojnë njëra me tjetrën dhe prandaj duhet t’i ndryshojmë”, ka thënë Carovska.

Sa i takon mësimit të gjuhës shqipe dhe trajtimit të gjuhëve të nacionaliteteve në Konceptin për arsimin fillor, pas debatit të krijuar dhe kategorizimit të shqipes në grupin “gjuhë e huaj”, ajo mbetet siç ishte deri tani si lëndë zgjedhore nga klasa e gjashtë, ndërsa konform përdorimit të gjuhëve, sipas gjuhës që flitet në nivel komunal – do të bëhet edhe zgjedhja e tij për tu mësuar. Propozimi tjetër, sipas Carovkës, do të jetë që gjuha shqipe si lëndë zgjedhore po ashtu të jetë edhe nga klasa e katërt, ndërsa sa i takon paraleleve të përziera etnikisht – ato do të jenë në funksion të mësimit të gjuhëve të huaja. “Ajo që ofron Koncepti i ri për arsimin fillor është që në paralelet e përziera – të mësohet gjuha e tretë, ndërkohë që nxënësit mësojnë për kulturën e njëri-tjetrit. Për shembull, nëse një shkollë ka paralele në maqedonisht dhe shqip, futet gjermanishtja, jo për të mësuar gjuhën e njëri-tjetrit por paralelja e përzier për të mësuar gjuhën e tretë të përbashkët. Ndërsa gjuhën e bashkësisë mundet që ta mësojnë si lëndë zgjedhore tani”, ka thënë Carovska.

Sa i takon librave, Byroja për Zhvillimin e Arsimit do të jetë organi kompetent që do të japë pëlqimin për librat dhe do të propozojë tre tekste për një lëndë dhe çdo shkollë do të jetë e lirë të zgjedhë atë që dëshiron ta përdorë. Nga klasa e katërt – të drejtën autoriale për librat do ta blejë shteti dhe shkollat do të vendosin se cilat libra do të shtypin. Kështu edhe problemi me mungesën e librave nuk do të jetë më. Një pjesë e nxënësve mund të preferojnë ta mësojnë në formë digjitale ose të shtypur, por siç tha Carovska, kemi konsensus për këto çështje që kanë si qëllim të ofrojnë libra cilësore.

The post Gjeografia fyese do të tërhiqet appeared first on KOHA.

---- ----
-----