Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka deklaruar se gjendja e shqiptarëve në Serbi është alarmante – diskriminohen në baza etnike, u cungohen të drejtat, jeta dhe perspektiva e së ardhmes.
Këto komente, Ministrja Haradinaj-Stublla i bëri të martën në një konferencë për gazetarë, pas takimit që zhvilloi me kryetarin e Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi.
“Kërkesa legjitime për ndaljen e fushatës sistematike të depopullimit përmes pasivizimit të adresave në Medvegjë duhet të ngritet deri në nivelin më të lartë ndërkombëtar”, tha Kryediplomatja e Kosovës, duke shrehur kënaqësinë që sot, në vijim të takimeve të vazhdueshme me bashkëkombësit shqiptarë që jetojnë në Serbi, ka mikëpritur kryetarin e Preshevës.
“Diskutuam për modalitetet rreth angazhimeve të dy qeverive për fondin e përbashkët në mbështetje të shqiptarëve në Serbi, që do të përkrahë projekte të Këshillit Kombëtar Shqiptar dhe komunave në fushën e arsimit, aftësimit profesional, trashëgimisë kulturore dhe nxitjes shkencore, dhe funksionalizimit të Zyrës për Luginën në kuadër të Zyrës së Kryeministrit”.
Ministrja Haradinaj-Stublla, duke iu referuar gjuhës ofenduese dhe shoviniste të zyrtarëve të qeverisë së Serbisë, ka potencuar se agjenda e Kosovës dhe shqiptarëve kudo janë, nuk do të mund të pengohet nga konspiracionet apo retorika mesjetare./21Media
The post Gjendja e shqiptarëve në Serbi është alarmante appeared first on RTV21.