Ballina Lajme Bota/Rajoni Fundi i Agimit të Artë: A na ka treguar Greqia se si...

Fundi i Agimit të Artë: A na ka treguar Greqia se si duhet vepruar me neo-nazistët?

30
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -

Nga Georgios Samaras “The Conversation”

Kur një valë e ekstremizmit të djathtë e goditi Greqinë në vitin 2012, pak njerëz do ta kishin parashikuar se Agimi i Artë, një nga grupet e përfshira në këtë lëvizje, do të rritej aq shumë sa të bëhej partia e tretë më e madhe në parlamentin grek.

Ai ishte fillimi i një periudhe të gjatë trazirash në politikën greke.Por ajo “përrallë” neofashiste përfundoi në atë që u cilësua si gjyqi më i madh nazist që nga ato të Nurembergut. Agimi i Artë, është shpallur një organizatë kriminale, dhe liderët e saj janë burgosur, për shkak të përfshirjes së tyre në aktivitete të paligjshme – përfshirë vrasjet, sulmet ndaj emigrantëve, armëmbajtje pa leje dhe mashtrime.

Gjyqi zgjati më shumë se 5 vjet për shkak të vonesave të shumta, dhe pengesave që e kthyen të gjithë procesin në një kaos të pafund. Ndërkohë, partia ishte e lirë të nxirrte pa kufizime kandidatë për zgjedhjet e përgjithshme dhe ato lokale.

Në total u dënuan 37 anëtarë të Agimit të Artë, përfshirë udhëheqësin Nikolaos Michaloliakos dhe 17 deputetë. Ioannis Lagos, anëtarit të vetëm të Agimit të Artë në Parlamentin Evropian, ka të ngjarë që t’i hiqet imuniteti parlamentar në ditët e ardhshme.

Lagos është i njohur për përdhosjen e një flamuri turk gjatë një debati.Çdo vend evropian ka grupime të tilla ekstremiste si Agimi i Artë. Ato janë shpesh pjesë e rrjeteve më të mëdha ekstremiste të krahut të djathtë, me baza të vogla mbështetësish, por që janë shumë besnike.

Agimi i Artë hyri shpejt në skenën qendrore të politikës greke pasi e shpalli fushatën e saj të parë të madhe zgjedhore. Koha ishte jetike. Destabiliteti politik në rritje në vend,bëri që në Greqi të mbaheshin 3 palë zgjedhje të përgjithshme midis viteve 2009- 2012.

Të gjitha partitë tradicionale po e humbnin mbështetjen e publikut për shkak të menaxhimit të krizës ekonomike.Për më tepër, partia e vetme aktive e ekstremit të djathtë në parlament atëherë (Tubimi Ortodoks), kishte rënë dakord të merrte pjesë në një qeveri të koalicionit të përkohshëm të organizuar nga Lucas Papademos për ta nxjerrë vendin nga kriza.

Kjo lëvizje u pa si një tradhti nga mbështetësit. Hapësira në ekstremin e djathtë dukej e zbrazët, dhe kjo i dha mundësi Agimit të Artë që të lëvizte me shpejtësi dhe ta plotësonte atë boshllëk, pa u përballur me konkurrentë.Ai lloj monopoli që krijoi i dha mundësi të veprojë në mënyrën më agresive politike.

Kjo parti promovonte pastërtinë kombëtare, anti-komunizmin dhe premtoi dëbime masive të emigrantëve. Dhe kjo retorikë dhe kriza e refugjatëve që nisi më vonë, nisi të japë frytet e veta.Thirrjet për politika më agresive ndaj emigracionit, u bënë thelbësore në fushatat e saj zgjedhore.

Studimet e fundit, kanë treguar se ekspozimi i Greqisë rurale ndaj krizës së refugjatëve, e shtoi shumë mbështetjen për Agimin e Artë. Ajo siguroi 9.4 për qind të votave në zgjedhjet për në Parlamentin Evropian të vitit 2014, ndërsa në shtatorin  e vitit 2015 arriti kulmin duke marrë 7 për qind të votave në shkallë vendi.

Gjatë viteve të para të krizës ekonomike greke, u duk sikur publiku po përpiqej që ta ndëshkonte përmes votës sistemin politik. Besohet gjerësisht se kjo epokë zemërimi, mbaroi në vitin 2017, kohë kur edhe nisi rënia e Agimit të Artë. Greqia hodhi poshtë populizmin dhe e braktisi politikën ekstremiste, duke i lejuar partitë tradicionale të ri-zënë vendin e tyre në skenën politike.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2019, Agimi i Artë i humbi të gjitha vendet që kishte në parlament, dhe iu desh të mbyllte shumicën e degëve të saj për të mbijetuar financiarisht. Gjithsesi, ajo ka ende një hije të gjatë dhe vijon të ndikojë mbi politikën greke.

Për shembull, partia në pushtet Demokracia e Re, i ka hapur dyert e saj një numri politikanësh të ekstremit të djathtë, të cilët zhvilluan fushata të suksesshme në zgjedhjet e fundit. Disa prej tyre, kishin shprehur më parë pikëpamje të forta ksenofobike dhe antisemite.

Partia ultra-nacionaliste Zgjidhja Greke e Kyriakos Velopulos, fitoi ndërkaq 10 vende në parlamentin grek pas një fushate të gjatë kundër emigrantëve.

Zëdhënësi i Agimit të Artë, Ilias Kasidiaris, ka formuar një lëvizje të re të quajtur Grekët për Atdheun – edhe pse edhe ai ndodhet momentalisht në burg. Në prag të gjyqit kundër Agimit të Artë, Kasidiaris, është përpjekur të distancohet nga ideologjia neo-naziste, por kjo mbetet ende për t’u provuar.

Të njëjtët votues, që e përqafuan dhunën dhe e legjitimuan Agimin e Artë për praktikat e saj të dhunshme, mund të mbështesnin një lëvizje të ngjashme. Ne mund të presim që ndonjë parti e tillë të jetë më pak agresive dhe neo-naziste sesa Agimi i Artë, por vlerat e saj do të jenë të ngjashme.

Greqia na ka treguar se si duhet të veprojmë me neo-nazistët. Por kur është fjala për ekstremizmin, është e rëndësishme që të njohim vitet e aktivizmit antifashist gjatë ngritjes së Agimit të Artë. Ajo ishte një luftë që nganjëherë, dukej si një kauzë e humbur.

Me ndjekjen penale dhe dënimin e kësaj organizate kriminale,demokracia ia doli të kalojë një test të rëndësishëm. Vendimi i gjykatës, ishte i mjaftueshëm për t`a zhdukur nga qarkullimi Agimin e Artë, por mbetjet fashiste janë ende atje, duke u riorganizuar dhe planifikuar lëvizjen e tyre të radhës./Përktheu: Alket Goce – ABC News

---- ----
----
-----
-----