Ballina Lajme nacionale Fshatrat e Prishtinës rrezikojnë të ngujohen nga bora

Fshatrat e Prishtinës rrezikojnë të ngujohen nga bora

30
SHPËRNDAJE

Shumë qytete të Kosovës janë mbuluar sot nga bora.

Bora e parë e sezonit dimëror, sikur në shumë pjesë të Kosovës, ka rënë sot edhe në Prishtinë. Nëse do të vazhdon të bie borë, fshatrat e Prishtinës mund të mbesin të ngujuara.

Komunës i ka dështuar dje tenderi për mirëmbajtjen e rrugëve rurale, rrjedhimisht nuk ka asnjë kompani të kontraktuar për këtë punë.

Sikurse shumë herë të tjera edhe këtë herë, komuna i realizoi me vonesë procedurat tenderuese, pa i bërë llogaritë se mund të këtë probleme gjatë rrugës së procedurave tenderuese.

Më datë 27 nëntor, prokurimi i komunës ka shpallur fituesit e këtij tenderi për tri pjesët. Por, vetëm pas një jave u detyrua ta pezullojë procedurën. Kjo për arsyeje se, dy kompani po pretendojnë se Komuna bëri dallavere kur shpalli fituesit e tenderit, andaj kanë nisur procedurat e parapara ligjore. Derisa të përfundojnë këto procedura, Komuna nuk do të ketë një kompani për mirëmbajtje vetëm në rast se vendosë të shkel konkurrencën e lirë dhe të procedojë me tender të negociuar.

Pas shpalljeve të fituesve të tenderit, për tri pjesët, kompanitë “Milenium&Anuar” dhe “Integral” ishin ankuar në komunën e Prishtinës, si shkallë e parë duke pretenduar se është shkelur ligji kur janë rekomanduar për kontratë kompanitë “Dardania”, “Vaakal” dhe “Alko Impex”. Por, komuna ka hedhur poshtë pretendimin. Tash kompanitë kanë paralajmëruar ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit. Procedura e tenderit është pezulluar gjatë ditës së djeshme nga ana e prokurimit komunal, ndërkohë OSHP-ja mund të mos nxjerr vendim final për këtë tender edhe të paktën një muaj, edhe nëse do të vendoste pro komunës.

Milsin Aliu, pronar i kompanisë “Mileniumi” ka thënë për lajmi se do të ankohen në OSHP.

“Nuk kemi bërë ankesë akoma, por do të ankohemi brenda afatit të paraparë me ligj, pasi kem kohë 10 ditë. Do të ankohemi sepse në vlerësim janë bërë shkelej të mëdha”, tha Aliu.

Lajmi.net ka mësuar se në OSHP do të ankohet edhe kompania “Integra”.

Tenderi “Mirëmbajtja dimërore e rrugëve rurale”, është i ndarë në tri pjesë dhe thirrja është bërë për kohëzgjatjen për një vit. Vlera e parashikuar e kontratës është 300,000.00 euro. Afati i fundit për pranim të tenderëve ka qenë data 4 nëntor.

Për lot 1, komuna e kishte shpall fitues kompaninë “Dardania”, me çmim prej 51 milionë e 491 euro. Për lot 2, kompaninë “Vaakal” me çmim prej 59 mijë euro. Për lot 3 grupin e kompanive “Afrim Beka BI” & “Alko –IMPEX-General Construction” me çmim prej 46 mijë e 214 euro.

Lajmi.net ka mësuar se për këtë tender që është i ndarë në tri pjesë kanë garuar nëntë kompani.

Kompania “Milenium&Anuar” SHPK po pretendon se kompania “Dardania” e rekomanduar për lot 1, nuk posedon ngarkues të mëdhenj, të kërkuar sipas dosjes se tenderit. Po ashtu, pretendon se kompania e rekomanduar për kontratë në lot 1 ka ofertuar çmime jo-normalisht të ulëta, dhe se kjo kompani nuk ka referenca të pranueshme. Se nuk ka automjete për largimin e borës të kërkuar sipas specifikave teknike.

Po ashtu, kompania ankuese pretendon se është shkelur ligji për lot 2, kur është rekomanduar për kontratë kompania “Vaakal”, pasi sipas saj, nuk ka dorëzuar dëshmi për automjetet për largimin e borës. Ndërsa, për kompanitë për lot 3 pretendojnë se kanë ofertuar çmime jo normalisht të ulëta që bie ndesh me ligjin.

Ndërkohë, mirëmbajtjen e rrugëve brenda në zonat urbane, komuna ka planifikuar tu qaset me gjashtë kompani, pasi qytetin e ka ndarë në gjashtë zona. Kontratat janë lidhur në muajin gusht të këtij viti dhe kanë validitet 36 muaj. Vlera totale e kontratave është 1 milion e 583 mijë euro. Të gjitha këto kontrata quhen: “Mirëmbajtja dimërore e rrugëve dhe trotuareve të qytetit, debllokimi i kanalizimit atmosferik”.

Për pjesën e parë kontratë është lidhur me kompaninë “Dardania” në vlerë prej 261,722.50 euro. Për pjesën e dytë me kompaninë “El Bau”. Vlera e kontratës 245, 418.44 euro. Pjesën e tretë me kompaninë “Toifor”, në vlerë prej 409, 969.38 euro. Pjesën e katërt me grupin e kompanive “Niti-N” & Milenium Konstruction” shpk në vlerë prej 194, 391.28 euro. Pjesën e pestë kompaninë “Zahiri”, në vlerë prej 213, 680.72 euro. Pjesën e gjashtë me kompaninë “Ve Mor”, në vlerë prej 257, 543.06 euro.

Meqë nuk i kishte shkuar mirë me procedurat e prokurimit, në sezonin dimëror të kaluar, Komuna kishte përdorur procedurë të negociuar për mirëmbajtjes se rrugëve në zonat urbane.

Ndërkohë, në të kaluarën bora ka ditur ta zë në befasi Komunën e Prishtinës.

Derisa, prokurimi komunal ka zhvilluar procedurat tenderuese me vonesë, të njëjtën gjë nuk e ka bërë edhe për ndriçimin e qytetit për festat e fund vitit. Këtë tender komuna e kishte iniciuar që në shkurt të këtij viti, nga frika e vonesa në OSHP. Ndërkohë, për tenderin e mirëmbajtjes së rrugëve në zonat rurale ka proceduar në tetor, madje me procedurë të përshpejtuar, duke zvogëluar afatet.