Ballina Lajme Bota/Rajoni Franca mund të mësojë nga Shqipëria

Franca mund të mësojë nga Shqipëria

36
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -

Ndërmjet islamizmit terrorist dhe «Unë jam Charlie» gjëndet edhe një rrugë e tretë. Shqiptarët e kanë zgjidhur këtë «hall» të francezëve që përpara 200 vjetësh.

Megjithëse kanë kaluar më shumë se dy javë qê kur një terrorist islamist vrau një mësues dhe një tjetër therri 3 besimtarë në një kishë në jug të Francës debatet se si duhet të sillet Franca dhe francezët ndaj akteve të tilla kriminale gjallon edhe sot e kësaj dite në vendin e  Liberté-s, Egalité-s dhe Fraternité-s.

Njëlloj si edhe në vendet myslimane ku nuk rreshtin protestat ndaj deklaratave të presidentit fracez Macron, që i doli në mbrojtje publikimit të karikaturave mbi profetin e myslimanëve.

Intelektualë tê njohur, politikanê të klasit të parë, burra shteti dhe fillozofë të shquar janë përfshirë në këtë vorbull të rrezikshme.

Me argumenta të forta pro dhe kundër. Fryma mbizotëruese mbështet qëndrimin e presidentit francez  rreth të drejtës së pakufishme të lirisë së shprehjes ndaj kujdo dhe gjithçkaje.

Por pasi kaloi vala e parë e indinjatës dhe revoltës ndaj veprimeve makabre dhe antihumane të terroristëve vrasës, pak nga pak filluan të dëgjohen edhe zëra kontraversë deri edhe kundërshtues ndaj këtij qëndrimi dhe kësaj politike.

I pari  që duke dashur t’i hidhte ujë zjarrit i hodhi padashur benzinë ishte kryeministri kanadez Trudeau (Trydo).

Pasi dënoi me gjithë shpirt veprimet terroriste me të cilat u ndesh Franca, ai vuri në dukje se «liria e shprehjes nuk është e pakufishme».

Ne duhet të sillemi me respekt ndaj të tjerëve dhe të punojmë që të mos fyejmë në mënyrë arbitrare dhe të panevojshme ata me të cilët ne bashkëjetojmë në një shoqëri dhe në një planet – u shpreh qeveritari kanadez gjatë një konference shtypi.

Qëndrim që shkaktoi reaksione të mprehta në botën intelektuale dhe politike franceze. Dhe sikur të mos ishte boll kaq, një qëndrim debatues mbajti para 2 ditësh edhe  kandidatja për presidente e Francës në vitin 2007, Segolen Royal.

Sipas saj karikaturat mbi Muhametin ishin fyese. Një lloj teprimi i lirisë së shprehjes.

“Këto karikatura kanë fyer me miliona veta në botë. Duhet bërë kujdes që të mos shkelim vijën e kuqe që ndan “të drejtat” nga “detyrimet” e çdo kujt. Eshtë bukur të proklamosh “Liri, barazi, vëllazëri”, por vëllazëri do të thotë pikërisht që të mos tronditësh, poshtërosh, dhe fyesh, pasi duhet të marrësh në konsideratë edhe vuajtjen apo opinionin e të tjerëve, – nënvizoi politikania e njohur franceze.

Ndërsa eseisti Filip Bilger shkon edhe më larg kur shtron i habitur pyetjen: Pse duan të na detyrojmë të zgjedhim ose ndërmjet të drejtës së pakufishme për të fyer ose ndryshe u cilësokemi si përkrahës së terroristëve islamikë?! Demokraci nuk do tê thotê të përkrahësh vetëm palën që të pëlqen ty apo që të shkon ty për shtat, – pohon ai.

Këto deklarata, që bien ndesh me frymën zyrtare të Elize-së (pallati presidencial) shkaktuan një furtunë reagimesh në opinionin vendas. Edhe e pêrditshmja e mirënjohur franceze “Le Monde” nuk mund tê mbetej jashtë këtij debati.

Nê një tribunë të lirë, ku secili mund të shprehë atë që mendon, Joelle Osman pyet me një farë naiviteti: “Kemi vërtet të bëjmë me lirinë e shprehjes apo apo me një sulm të maskuar kundër myslimanëve dhe fesë sê tyre?! – duke shtuar se respekti për tjetrin ndonjëherë duhet ta kufizojë lirinë e shprehjes.

Mê tutje ajo nënvizon se karikaturat e fundit dhe agresionet terroriste që pasuan shkaktuan tronditje te myslimanêt e gjithë botês. Sepse bëhet fjalë për një profet, por edhe për një qënie njerëzore. Sepse Muhameti ka jetuar dhe vdekur mbi këtë Tokë !

Ndërsa filozofi i njohur Luc Ferry i konsideroi karikaturat e fundit qê e paraqesnin    profetin lakuriq, me organet intime të vêna mirë në dukje, ku një yll i vizatuar fshihte anusin e tij, shoqëruar me shprehjen tallêse «Një yll po lind»  si kufirin e pornografisë.

Dhe Joelle Osman vazhdon : Liria e shprehjes është njê e drejtê natyrale në vendet e Europës perëndimore, një drejtë, që fatkeqësisht mungon ndër vendet myslimane. Por a ka kufi kjo liri?!

Sepse në Francê dhe gjetiu të dënojnë me të drejtë po fyeve bashkësinë e LGBTQ-ve, po mohove ekzistencën e Shohas apo Holokaustit, po mbajtje qëndrime antisemite etj etj. Pra edhe në Republikën Franceze nuk mund të thuash ose të shkruash çfarë ta ka qefi.

A mundet, që nê emër të lirisë së shprehjes të sulmosh, të fyesh dikë, një fe ose një popull veçse për tu tallur, për të bêrê keq, për tu argëtuar, për të poshtêruar… Liria, jo vetëm qê nuk i përjashton kufijtë, por përkundrazi i imponon ato.

Ja p.sh dikush merr makinën dhe ikën ku i pëlqen. Por edhe ai është i detyruar të respektojë rregullat e qarkullimit rrugor.

Pra liria për të shkuar ku të duash ndrydhet nga detyrimi për të respektuar kodin rrugor! Me njê fjalë liria jote shkon deri aty ku ti nuk dëmton tjetrin. Liria në kêtê rast eshtë ndërthurrur edhe me barazinê, (égalité-n e famshme të francezëve): sepse meqë të tjerët kanë të njëjtat të drejta si ty, liria jote është kufizuar në respektimin e të drejtave edhe të atyre.

Nê këtë hulli debatesh të zjarrta dhe pasionante në zgjidhjen e këtij rebusi të ndërlikuar ndërmjet lirisë dhe detyrimeve, ndofta përvoja dhe shembulli i një populli të vogël në gadishullin ballkaniak  ia vlen të nxirret në pah.

Shqiptarët kanë më së paku 200 vjet që e kanë zgjidhur këtë “hall” të francezëve. Apo edhe të atyre që koka dhe mëndja u është bërë Kuran dhe Profet. Pa helm, pa gjak, pa idhni.

Suksesi e ka emrin: “tolerancë fetare”, respekt për fenë e tjetrit, por edhe vënien e kombit mbi fenë. “La Grande nation” ka vërtet për devizë « Liri, Barazi, Vëllazëri”, por shqiptarët ia kanë dalë për mbi 200 vjet t’i kalojnë këto antagonizma dhe anakronizma, që kanë shkaktuar kaq kokëçarje sot në elitën dhe politikën franceze, duke pasur për devizë shprehjen: “Feja e shqiptarit ështê Shqiptaria”.

Përgatitur për “TemA” nga Viron Gjymshana

---- ----
----
-----
-----