Ballina Lajme Bota/Rajoni FOTOT: Njhuni me fshatin e të vejave

FOTOT: Njhuni me fshatin e të vejave

87
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -

Gratë në Qala-e-Biwaha, ose “fshati i të vejave”. Ato mbijetojnë me të ardhurat nga tregtia e përpunimit të leshit, ose nga donacionet nga të afërmit dhe grupet e ndihmës. Kredit … Jim Huylebroek për The New York Times

David Zucchino dhe Najim Rahim

Në rrafshnaltat djerrë  të Afganistanit perëndimor, përgjatë një rruge në jug të qytetit Herat, është një koleksion kasollesh të forta balte,  të njohura si Qala-e-Biwaha, ose “fshati i të vejave”.

Shumica e njerëzve të fshatit janë zhdukur – të vrarë ndërsa po përpiqeshin të kalonin kontrabandë opiumi në kufirin e shkretë, në Iranin fqinj. Të vejat janë lënë të mbajnë veten dhe fëmijët e tyre, disa prej të cilëve gjithashtu kanë vdekur gjatë transportimit të drogës përtej kufirit nga rrethi i thyer Adraskan,  i Provincës Herat.

Zona është aq e varfër saqë burrat që kërkojnë punë këtu kanë dy zgjedhje, tha Mohammad Ali Faqiryar, guvernatori i rrethit: “Ata mund të kontrabandojnë drogë,  ose të bashkohen me Talebanët”.

Ata që bien dakord për të kontrabanduar opium, heroinë dhe metamfetaminë në Iran mund të fitojnë 300 dollarë ose më shumë për udhëtim, një pasuri për një fshat kaq të varfër. Por ata rrezikojnë arrestimin, ndjekjen penale dhe ekzekutimin në gjykatat islamike të Iranit,  ose të  qëllohen  dhe vriten  nga rojet kufitare iraniane.

Që nga viti 2018, Afganistani ishte prodhuesi më i madh në botë i opiumit dhe lulëkuqja është e mbjella më fitimprurëse  e vendit. Fitimet ushqejnë rrjetet financiare të Talebanëve dhe për vite me radhë kanë minuar përpjekjet e rindërtimit të qëndrueshëm dhe të sigurisë nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre.

Zyrtarët afganë duken të pafuqishëm për të ndaluar tregtinë fitimprurëse; shumë janë bërë të pasur përmes bashkëpunimit të tyre,  në lehtësimin e trafikimit. Rezultati  është një cikël i qëndrueshëm i kultivimit, përpunimit dhe trafikimit të opiumit që shpesh i lë më të dobëtit në Afganistan,  të mbajnë pasojat e tmerrshme të tregtisë së paligjshme.

Z. Faqiryar tha se ai ka provuar dhe dështuar të marrë paratë e qeverisë për programe për të ndihmuar njerëzit të rritin bagëti dhe kultivojnë  grurë, oriz dhe fasule në një peizazh të thatë dhe të ashpër.

“Ne nuk marrim ndihmë nga qeveria qendrore – ata nuk kujdesen për njerëzit, edhe nëse janë të uritur”, tha ai.

Të vejat mbijetojnë me ushqime të blera me fitimet e tyre nga tregtia e përpunimit të leshit dhe me donacione nga të afërmit dhe grupet ndërkombëtare të ndihmës. Disa fëmijë ndjekin një medrese, ose shkollë islamike, të drejtuar nga një mullah në një xhami të vogël në një vendbanim aty pranë. Qendra më e afërt e popullsisë është qyteti Herat, kryeqyteti i provincës, 72 kilometra  në veri.

“Për një kohë të gjatë, jeta ishte shumë e mirë dhe tre djemtë e mi fituan shumë para duke transportuar  opium”,  tha Nek Bibi, një e ve rreth 50 vjeç. Ajo foli jashtë banesës së saj, e ngritur  nga balta e tharë, si një nip i mbërthehej  në rroba. “Pastaj të gjithë u vranë”.

Djali i saj më i madh, Ghulam Rasul, 20 vjeç, u arrestua disa vjet më parë dhe më vonë u var në Iran pasi ai u dënua për kontrabandë opiumi, tha ajo. Tre vjet më parë, shton ajo, dy djem të tjerë – Abdul Ghafoor, 15 vjeç dhe Abdel Zarif, 14 – u qëlluan për vdekje nga rojet kufitare iraniane ndërsa përpiqeshin të transportonin opium nga Afganistani.

Zonja Bibi tha se Irani kurrë nuk i ktheu trupat e djemve të saj, një ankesë e ndarë nga gratë e tjera në fshat. “Nuk e di nëse ata u varrosën në Iran apo trupat e tyre u hodhën në shkretëtirë”, tha ajo.

Burri i saj, Mohammad Sadeq, vdiq së fundmi nga sëmundja, tha zonja Bibi, duke e lënë atë të kujdeset për të vejat e djemve të saj dhe tetë nipërit e mbesat. Fitimet për jetesën i vijnë nga  përpunimi me dorë i leshit bruto në fibra,  për endjen e qilimave.

Këto ditë, fshati fshikullohet nga erërat e ftohta që mbytin blegërimat e  deleve në rrethime,  pranë kasolleve të të vejave, të cilat duket se ngrihen nga dheu me ngjyrë të murrmë, duke imituar formën dhe strukturën e kodrave përreth. Nuk ka energji elektrike ose ujë të rrjedhshëm, dhe nuk ka nxehtësi përveçse  nga shkurrja e  thatë që familjet blejnë,  ose mbledhin për të djegur. Disa të veja, si zonja Bibi, ndezin një llambë të vetme natën me energji,  të mbledhur  gjatë ditës nga panele të vegjël diellore.

Kushtet ishin aq të rënda këtë vjeshtë sa shumë gra u larguan nga fshati për në shtëpitë e të afërmve,  ose për kampe me persona të dëbuar, që drejtohen nga organizatat e ndihmave. Deri vonë, fshati ishte shtëpia e 80 vejushave dhe familjeve të tyre, tha Mohammad Zaman Shakib, drejtori i zhvillimit të këshillit të rrethit. Sot, ka vetëm 30.

“I ftohti dhe uria i dëbuan”, tha Z. Shakib.

Ndërsa ai fliste, disa vejusha dhe fëmijët e tyre u ulën pranë kasolleve, duke u ngrohur në rrezet e diellit të dimrit që shfaqeshin, pas një mëngjesi dëbore. Shumica e grave kishin veshur rroba të gjata të zeza që i  fshehin të gjitha, përveç syve. Disa folën për largimin nga fshati.

“Nuk ka  mbetur asgjë për ne këtu, mund të vdesim nga uria këtë dimër”, tha Fatima, rreth 40 vjeç.

Fatima tha se burri i saj, Fazel Haq, kishte luftuar për të siguruar jetesën duke mbledhur dhe shitur shkurre për gatim dhe ngrohje. I dëshpëruar, ai pranoi një ofertë për të kontrabanduar opium për 200 dollarë për udhëtim, tha ajo.

Ai trafikoi drogë për tre vjet derisa, pesë vjet më parë, u qëllua dhe u vra nga rojet kufitare iraniane, tha Fatima. Tani ajo kujdeset për pesë djemtë e çiftit.

Numri i paktë i  burrave në fshat nuk i ka çliruar gratë nga kufijtë e ashpër të kulturës patriarkale të Afganistanit. Zona përreth Qala-e-Biwaha është shtëpia e disa burrave me mjekër të bardhë, të cilët ndërprenë disa nga të vejat dhe u folën të tjerave,  ndërsa rrëfenin mbi  vështirësitë e tyre.

Herati është një nga tre provincat perëndimore që ofrojnë një kanal të rregullt eksporti për drogë, thonë zyrtarët afganë, me Iranin një destinacion kryesor për opiumin e Afganistanit.

Z. Faqiryar, guvernatori, tha se fshati u shfaq si qendra e zonës së trafikut të drogës pasi një vendas filloi një operacion kontrabande opiumi atje,  tre dekada më parë. I njëjti njeri tani komandon një milici pro-qeveritare në Herat, tha ai.

Kontrabanda e drogës në zonë është aq e përhapur saqë Irani vendos patrulla automjetesh përgjatë kufirit të hapur me rrethin Adraskan, tha guvernatori. Megjithatë, trafikantët, të njohur si quchaqbar, janë në gjendje të transportojnë mjaftueshëm opium –  pjesën më të madhe  nga Provincat Helmand dhe Farah – drejt  Iranit  për të absorbuar humbjen e dërgesave të drogës,  të kapur  përgjatë kufirit prej  135 miljesh,  që provinca ndan me Iranin.

Jo më larg se në 2016-n, Irani ekzekutoi qindra njerëz në vit, shumica e tyre për vepra  të kontrabandës së drogës, raportoi Amnesty International. Ritmi i ekzekutimeve të krimeve të drogës është ngadalësuar që kur një ndryshim i vitit 2017,  në ligjin e Iranit për drogën,  ngriti pragun e dënimit me vdekje.

Shtetet e Bashkuara shpenzuan 8.62 miliardë dollarë në përpjekjet e dështuara kundër narkotikëve në Afganistan nga viti 2002 deri në vitin 2017, doli në përfundim Inspektori i Përgjithshëm Special për Rindërtimin e Afganistanit, në një raport të vitit 2018. E megjithatë prodhimi i opiumit u rrit nga 3,400 tonë metrikë në 2002 në 9,000 tonë metrikë në 2017.

Për fshatin e të vejave dhe vendbanimet e tjera në Provincën Herat, lufta nuk është kurrë larg. Talebanët rregullisht sulmojnë postat e qeverisë, aty pranë. Çdo ditë, patrullat e policisë pastrojnë autostradën për në qytetin Herat nga bombat anës rrugës,  të vendosura nga militantët natën, tha Z. Faqiryar.

Kohët e fundit, tha ai, një postë e  vogël kufitare u mbyll nga qeveria pasi u sulmua dhe dëmtua,  jo nga Talebanët, por nga trafikantë droge të lidhur me militantët për të hapur rrugën e trafikimit.

Kështu që të vejat durojnë, shumica e tyre fitojnë para të vogël në tregtinë e përpunimit të leshit, e cila ua lë duart  me kallo dhe të zbardhura. Ndërsa përpiqen të rrisin fëmijët, shumë kanë frikë se djemtë e tyre do të ndjekin baballarët, të vdekur në biznesin e trafikut të drogës.

“Nuk do t’i lejoj – do të vriteshin  ashtu si babai i tyre”, tha Fatima për pesë djemtë e saj. “Unë do t’i  ndaloj, edhe nëse do të thoshte se do të  vdisnim nga uria”. / The New York Times. Përktheu:Gazeta Si.

 

---- ----
----
-----
-----