Ballina Arti FOTOT/ Hyjnesha në Fron: Kur trojet shqiptare i faleshin matriarkatit

FOTOT/ Hyjnesha në Fron: Kur trojet shqiptare i faleshin matriarkatit

25
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -

Ishte kryeadministratori i Kosovës, Michael Steiner që e ktheu figurinën e terakotës, të epokës së neolitit në vendin e saj, pasi më 1998-s, gjatë Luftës ishte transferuar në Beograd, me të gjithë thesarin arkeologjik.

Figurina e vogël, rreth 18 centimetra e lartë përfaqëson një hyjni femër, si reflektim i kultit të idhullit të madh të nënës e që ruhet në Muzeun e Prishtinës, si një nga artefaktet më të ccmuara arkeologjike të vendit.

Hyjnesha në Fron, e gjetur në Tjerrtoren pranë Prishtinës është sot embleme e qytetit dhe dokumentuese e kulturës së Vinçës, e periudhës 5700-4500 para Krishtit, e punuar me argjilë të kuqe.  Hyjnesha,  e veshur më një fustan më mëngë të gjata dhe e stolisur me një qafore me medaljon, duket sikur pozon e ulur në një fron më katër këmbë, qëndrim të drejtë, barkë pakëz të rrumbullakosur  duar të kthyera në bërryl e të vendosura në bel. Arkeologu Haxhi Mehmetaj e përshkruan figurinën me kokë në formë pentagonale, hundë të gjatë, fytyrë me mollëza të theksuara, sy bademi dhe mjekër trekëndore. Në majë të kokës ndodhet diadema me katër vrima. Në të dyja anët e ballit është dhënë frizura në formë të spiraleve. Imtësitë e fytyrës, qerpikët e syrit, mollëzat e faqeve, veshja, këmbët e fronit, varësisht prej efektit që do të arrihej, janë theksuar me vija të drejta horizontale, më vija drejta vertikale apo me vija të pjerrëta, ndërsa anash këmbeve të fronit janë paraqitur dy zbukurime të rrumbullakëta plastike.

Sipas arkeologut, simbolet në formë vijash në  bark e shpinë  paraqesin parashkrimin më të vjetër në Europë, mesazhet e të cilave mbase nuk do t’i kuptojmë asnjëherë. Sipas Mehmetaj, i cili ka shërbyer për një kohë edhe si drejtori i Institutit të Monumenteve dhe Muzeut Rajonal të Prishtinës, kjo figurinë me gjasë paraqet Nenën e Madhe të Hyjnive si shtytëse e krijimit të racës njerëzore. Gjykuar sipas numrit të madh të këtij tipi të shtatoreve, siç duket çdo shtëpi a faltore kulti e neolitit ka qenë e stolisur së paku më nga një “ikonë” të këtillë. Ekzemplar të këtyre figurave janë gjetur edhe në Vojvodinë,si dëshmi që fama e tyre ka tejkaluar kufijtë e Dardanisë.

Në mesin e këtij arti parahistorik, janë gjetur më shumë se 200 përfaqësime të grave, të përshkruara si  “figurat e Venusit”. Të gjetura kryesisht në Europë dhe që datojnë në përgjithësi, që nga epoka e Paleolitit, rreth 40.000 vjet më parë, dr. Simon Batler thotë se ato “janë interpretuar ndryshe, si simbolet e pjellorisë, hajmalive të fatit, imazheve të perëndeshave, priftërinjve, adhuruesve, paraardhësve ose sundimtaret matriarkale”.

Fare pak dihet për origjinën e figurave të Venusit, të mbijetuarat nga Europa Paleolitike. Qëllimi i gdhendjeve ka qenë subjekt i shumë spekulimeve.

Catherine Mccoid dhe  LeRoy McDermott hedhin hipoteza se figurinat mund të jetë krijuar si autoportrete nga vetë gratë. Kjo teori rrjedh nga korrelacioni i përmasave të statujave me ato sesi do të dukeshin trupat e grave nëse shihnin veten nga poshtë , që mund të ishte e vetmja mënyrë për të parë trupat e tyre, gjatë asaj periudhe. Ata spekulojnë se mungesa e plotë e tipareve të fytyrës mund të llogaritet nga fakti se gdhendësit nuk kishin pasqyra. Por ky arsyetim është kritikuar nga Michael S. Bisson, i cili vëren se pellgjet e ujit mund të shërbenin si pasqyra natyrale për njerëzit e paleolitit.

A ishte arti i pikturave në shpella, pjesë e rendit matriarkal? Kjo mbështetet edhe nga hulumtimet që kanë sugjeruar, se gratë mund të jenë përgjegjëse për artin e lashtë të shpellës. Një studim i Dr.Din Snou, krahasoi madhësinë e duarve dhe gjatësitë e gishtërinjve  dhe hodhi poshtë supozimin tradicional, se arti i shpellës është prodhuar kryesisht, në mos ekskluzivisht nga burrat.

Në fakt, Snou zbuloi se pikturat janë prodhuar kryesisht nga femrat. Ngjashëm, edhe prodhimi i mjeteve të gurit në përgjithësi, është supozuar të jetë aktivitet, eskluzivisht mashkullor në komunitetet e lashta. Megjithatë, në fillim të vitit 1991, Dr.Joan Gero, përfundoi se gratë në parahistori “dyshohet se kanë prodhuar po aq mjete guri sa edhe burrat”.

Tacitus pohoi në librin e tij “Germania” se në “kombet e Sitones,  një grua është seksi sundues”. Kultura Cucuteni – Trypillia është diskutuar shpesh si një shoqëri matriarkale, duke përfshirë artin e perëndeshës së saj, që lidh hënën, ciklet menstruale, stinët bujqësore,  jetën dhe vdekjen.

Anne Helene Gjelstad i përshkruan gratë në ishujt estonezë Kihnu dhe Manija si “shoqëria e fundit matriarkale në Europë”, sepse “gratë e moshuara këtu kujdesen për pothuajse gjithçka në tokë,  ndërsa burrat e tyre përshkojnë detet”.

Përfaqësimin i femrave nga paleoliti në klasicizëm, me fokus Mesdheun

Përfaqësimet e grave janë ndër veprat më të admiruara të artit antik dhe janë të rëndësishme për të kuptuar gjininë dhe fenë në të kaluarën. Shembujt datojnë që nga epoka paleolitike, rreth 40,000 vjet më parë, dhe gjatë gjithë parahistorisë ata kanë një shpërndarje të përhapur në të gjithë Europën dhe Azinë. Në kohët historike, shumë dihet për  hyjni femra të tilla si Sibela, Artemisa dhe Venera, por marrëdhënia e tyre me shembujt e mëparshëm është një zonë interesante dhe shpesh e diskutueshme e debatit.

Figurinat e Venusit

Një nga shembujt më të njohur paleolitikë është e ashtuquajtura ‘Venera e Willendorf”, e gjetur në Austri dhe që daton  rreth 25,000 para Krishtit. Origjinali është aq i vogël sa të mbështillet  në dorën e dikujt, por trupi i gruas përfaqësohet si i rrumbullakosur, i bollshëmr dhe i ushqyer mirë me gjinj të ekzagjeruar, vithe dhe vulvë. Duket se artisti donte të theksonte si seksualitetin femëror ashtu edhe ushqimin e bollshëm,  brenda një objekti të vetëm. Arkeologët kanë spekuluar që figurina simbolizonte koncepte si pjelloria, riprodhimi dhe bollëku, mbase në mënyrë holistike si në natyrë ashtu edhe në bashkësi.

Emërtimi i saj si ‘Venus apo Venera’ shoqërizohet  me perëndeshën romake shumë më të  vonë, hijeshia e së cilës përfshinte seksualitetin dhe suksesin, por emërtimi i gabuar  u bë popullor dhe zakonisht shtrihet në të gjitha figurinat e vogla femërore që shfaqin tipare të ekzagjeruara në mënyrë të ngjashme. Kjo formë e ekzagjeruar e përfaqësimit të femrës duket mjaft e zakonshme që nga parahistoria deri në epokën e bronzit rreth vitit 3000 para Krishtit, por duke i etiketuar të gjithë si figurinat  e Venusir mund të vihet në dyshim,  si një kategorizim tepër i thjeshtë. Ai gjithashtu shton paragjykime për kuptimin tonë të përfaqësimit të femrës në çdo vend dhe kohë të veçantë.

Venusi i Hohle Fels

Venusi i Hohle Fels është një figurinë e Venusit Paleolitik të Epërm e bërë nga fildishi i mamuthit që u zbulua më 2008-n  në Hohle Fels, një shpellë afër Schelklingen, Gjermani. Ajo datohet në mes 40,000 dhe 35,000 vjet më parë, në fillim të Paleolitit të Epërm. Kjo figurinë i zbuluar më vonë se ajo e Wilendorfit,  është shembulli më i vjetër i padiskutueshëm i një përshkrimi të një qenie njerëzore. Figurina e Venusit është vendosur në Muzeun Prehistorik të Blaubeuren. Zbuluesi i saj , antropologu Nicholas Conard, do tw thoshte se “ka të bëjë me seksin, riprodhimin … një përshkrim jashtëzakonisht i fuqishëm i thelbit të të qenit femër”. Antropologu, Paul Mellars i Universitetit të Kembrixhit ka sugjeruar që – sipas standardeve moderne – figurina “mund të shihej si në kufi me pornografinë”.

Gruaja e Ulur e Çatalhöyük

Është  një figurë  femërore  nudo me argjilë të pjekur. Në përgjithësi mendohet se përshkruan një Hyjneshë Nënë korpulente dhe pjellore , e në procesin e lindjes ndërsa ishte ulur në fronin e saj, e cila ka dy mbështetëse me formwë të  kokave  tw  maceve (luanesha, leopardi, ose pantera). 0 Është një skulpturë neolitike e qw daton afwrsisht nga  6000 para Krishtit.  Ajo u zbulua nga arkeologu James Mellaart, më 1961-shin  në Çatalhöyük, Turqi. Kur u gjet, pjesa tjetër e kokës dhe dorës nga ana e djathtë mungonte. Koka aktuale dhe pjesa tjetër e dorës janë zëvendësime moderne. Skulptura është në Muzeun e Qytetërimeve Anatoliane në Ankara, Turqi.

Zonjat e shëndosha të Maltës

Ishulli i vogël mesdhetar i Maltës prodhoi një lulëzim të jashtëzakonshëm të kulturës neolitike rreth vitit 3000 para Krishtit. Repertori artistik përmbante figurina dhe statuja femërore të shëndosha, megjithëse, në fakt, gjinia e tyre nuk është gjithmonë e qartë. Ato shoqërohen me struktura megalitike që zakonisht shihen si qendra adhurimi, duke nxitur kështu lidhjet fetare.Disa arkeologë kanë argumentuar se Malta Neolitike ishte një qendër e rëndësishme ndërkombëtare për kultin e Nënës Hyjlindëse.

Figurinat e Lindjes së Qipros

Rreth vitit 3800 para Krishtit, kultura qipriote lulëzoi me përdorimin e parë të burimeve vendase të bakrit, një material i vlefshëm me të cilin ishulli u bë sinonim. Në të njëjtën kohë, lindi një traditë skulpturore qipriote shumë e veçantë që ka  përfaqësime njerëzore në qeramikë dhe gur. Disa figura të veçanta janë shtatzëna ose duke lindur dhe mund të argumentohet se të gjitha fillimisht lidhnin pjellorinë me lindjen e fëmijëve. Ato mund të jenë përdorur si varëse ose ndihmëse nga gratë për t’i ndihmuar ato të kalojnë  shtatzëninë dhe lindjen e fëmijëve, dhe gjithashtu mund të kenë një vlerë më të  përgjithshme simbolike që lidhet me mbijetesën dhe vazhdimësinë e  komunitetit. Kategorizimi i tyre si “figurina Venus” ndihet veçanërisht tërheqës në Qipro, që kur ishulli u bë qendra kryesore e kultit dhe vendlindja mitologjike e Afërditës / Venusit.

Hyjnesha e Gjarprit

Është bërë një nga veprat më të famshme të artit Minoan  dhe një artefakt i rëndësishëm në studimet Minoane. Daton rreth 1600 para Krishtit,  kur kultura minoane po lulëzonte në Kretë, figurina origjinale ishte bërë me fajancë dhe qëndronte në një lartësi prej 34 cm. Ajo zakonisht interpretohet si përfaqësuese e një perëndeshë ose një priftëreshe, ose si një bukuri magjike dhe një ofertë kushtimore. Gjarpërinjtë mund të lidhen, në krahasim me besimet e lashta egjiptiane dhe greke, me fuqitë tokësore, përtëritjen dhe pjellorinë. Gjinjtë e zhveshur të figurinës gjithashtu mund ta lidhin atë me pjellorinë.

Kur u zbulua për herë të parë në 1903, teoria e ‘Nënës Hyjneshë’ ishte në modë dhe kishte filluar të frymëzonte ide rreth matriarkatit  në shoqëritë antike. Përfaqësimi i femrave në artin Minoan është ende thelbësor në diskutimet rreth roleve gjinore në të kaluarën dhe e ashtuquajtura ‘Hyjnesha e Gjarprit’ qëndron gjithashtu në pragun tonë të tanishëm të të kuptuarit midis fesë parahistorike dhe historike; domethënë midis së kaluarës së pashkruar dhe asaj të shkruar. Më shumë rreth Kretës.

Afërdita / Venusi

Në mitologjinë greke, Gaia vlerësohej si perëndesha fillestare nënë e Tokës që solli qiellin, Uranin. Së bashku ata ishin paraardhësit e panteonit grek. Rrëfimi më popullor mitologjik i lindjes së Afërditës ishte se ajo u ngrit nga shkuma e detit rreth organeve gjenitale të kastruara të Uranit për t’u bërë perëndeshë e pjelljes, seksualitetit dhe bukurisë femërore. Historianët e lashtë si Herodoti dhe Pausanius njohën një derivat të Afrikës së Afërt për Afërditën në perëndeshat e pjellorisë asiriane dhe fenikase, si Ashtart. Në panteonin greko-romak ajo fitoi fuqi dhe epitete të gjera, por është kryesisht shoqërizimi i saj me dashurinë  dhe bukurinë që ka frymëzuar artistët nga Praxiteles në Botticelli dhe e ka bërë atë nudo më të famshme në botë.

Matriarkatet

Një mbizotërim i dukshëm i përfaqësimit të femrës në artin parahistorik është barazuar nga disa studiues me dominimin ose fuqinë e femrës në shoqëri dhe me ekzistencën e shoqërive matriarkale ose matrifokale me rreze të gjerë përpara shfaqjes së patriarkateve. Megjithatë, shumë arkeologë theksojnë se të dhënat artefaktuale nuk janë të plota dhe nuk janë plotësisht përfaqësuese,  ose të kuptuara.

Në thelb, çdo status i shenjtë si perëndesha nuk nënkupton domosdo statusin e rritur shoqëror për gratë, por mendimi modern feminist është natyrshëm i etur për të eksploruar perspektiva të tilla. Mitologjia shpesh është përdorur për të mbështetur teoritë matriarkale,  duke i lexuar ato si kujtime të kohërave të hershme kur jo vetëm perëndeshat, por edhe gratë në shoqëri ishin dominuese. Miti i Amazonave, një fis luftëtarësh femra, është një shembull klasik edhe pse ekzistenca e tyre aktuale mbetet e diskutueshme.

Patriarkati, rreth 12 mijë vjet më parë?

Sipas një artikulli në “New Scientist”, shoqëritë njerëzore nuk ishin gjithmonë të dominuara nga burrat. Ndërrimi erdhi kur u bëmë fermerë.

Sipas një shkolle mendimi, gjërat ndryshuan rreth 12,000 vjet më parë. Me ardhjen e bujqësisë dhe shtëpisë, njerëzit filluan të vendoseshin. Ata fituan burime për t’u mbrojtur dhe pushteti u zhvendos te meshkujt fizikisht më të fortë. Baballarët, djemtë, xhaxhallarët dhe gjyshërit filluan të jetonin pranë njëri-tjetrit, prona u kalua në vijën e burrave dhe autonomia e grave u shkatërrua. Si rezultat, vazhdon argumenti, u shfaq patriarkalizmi.

---- ----
----
-----
-----