Ballina Sport Foto Strakosha: Shqipëria të guxojë për Botërorin

Foto Strakosha: Shqipëria të guxojë për Botërorin

11
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -

Nga babai tek i biri. Nga një ish-portier kapiten te një portier që po prek majat në Serinë A dhe po kalon ture në grupet e Champions-it.

Foto dhe Tomas Strakosha po shkruajnë historinë me Kombëtaren shqiptare në dekada të ndryshme.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, ishkapiteni kuqezi tregon emocionet e të përsëriturit të duelit për një “Strakosha” ndaj Anglisë, edhe 20 vite më vonë.

Foto tregon aspektin shëndetësor të të birit që kaloi pak javë më parë Koronavirusin, konkurrencën aktuale që ka në skuadër si dhe destinin e fatit që do të ketë përballë Levandovskin mbase katër herë: dy herë me Lacion në Champions dhe dy herë me Kombëtaren.

Në analizën e tij, Foto Strakosha deklaron se dëshira dhe ambiciet e Shqipërisë duhet të jenë të mëdha, për të synuar, pse jo, edhe një rikualifikim të madh, këtë herë në Botëror. Mirëpo, në fjalën e tij ai shpreh edhe objektiva realë dhe që janë, si të thuash, “detyra e shtëpisë” për Kombëtaren.

Strakosha, si ju duket shorti i Shqipërisë, çfarë na pret me ata kundërshtarë?

Mendoj se është normale që në shortin e eliminatoreve të Kampionatit Botëror të bien ekipe të forta, ekipe të cilat janë në baraspeshë me ne, por gjithashtu edhe ekipe më të dobëta se ne. Unë e shoh grupin ashtu siç edhe mund ta prisnim, nisur nga vazoja ku ndodheshim.

Që do të thotë… çfarë mendoni se duhet të bëjë Shqipëria?

Unë mendoj se me ekipet e forta vjen vetvetiu, te të gjithë, edhe te futbollistët, edhe përqendrimi, edhe angazhimi, edhe dëshira për t’u paraqitur sa më mirë. Sipas meje, detyra kryesore është që me ekipet të cilat janë pothuajse në baraspeshë me ty dhe me ekipet më të dobëta, duhet të jetë përqendrimi dhe angazhimi më maksimal i mundshëm. Atje duhet të synojmë që të marrim ato pikë që janë në pjesën teorike si të padiskutueshme.

Sipas jush, cili është objektivi i saj real dhe synimi që duhet të ketë Kombëtarja në këtë fazë kualifikuesesh?

Dëshira është e madhe dhe, përse jo, të mos përsëritet edhe një herë kualifikimi që u arrit për “Euro 2016”, që të arrihet edhe për Botërorin. Mirëpo, për të qenë realist, ajo që unë mendoj dhe që kam dëshirë, është që ky grup të përmirësohet dhe patjetër duhet parë që në çdo raund kualifikueses ne të ngrihemi një vazo më lart. Ky ekip kombëtar duhet, dhe unë kam besim, se do të ketë rritje. Ky është për mua objektivi real. Duhet të rritemi dhe, pse jo, që në kualifikueset e tjera të jemi në një vazo më sipër.

Keni qenë në fushë ndaj Anglisë. Çfarë kujtoni në përballjet me “Tre Luanët”?

Për të thënë të vërtetën, ajo na ka mbetur tani, që të rrimë dhe të kujtojmë me nostalgji dhe me dëshirë të gjitha momentet e ekipit kombëtar, duke filluar nga ato të vështirat, të këqijat, por edhe momentet e bukura dhe të mira. Për sa i përket ndeshjes me Anglinë, çfarë mund të sjell në kujtesë është që në atë ndeshje, fatkeqësisht, jemi ndëshkuar në të dyja pjesët në momentet e fundit. Me sa mbaj mend, ka qenë në pjesën e parë një gol me penallti, mos gaboj në minutën e 44-t dhe në pjesën e dytë në minutën e 88-të (Angli-Shqipëri, 2-0 e luajtur më 5 shtator 2001 në “St.Xhejms Park” me 51 mijë e 46 spektatorë të pranishëm). Anglia atëherë kishte në përbërje goxha emra të mëdhenj të futbollit europian dhe botëror. Ajo që më ka bërë përshtypje, ishte se në Angli, gjatë gjithë pjesës së parë ku ata nuk na ushtruan shumë presion për të thënë të drejtën, por më ka mbetur në mendje që gjatë gjithë kohës publiku anglez duartrokiste ekipin e tyre. Pra, edhe në qarkullimin e topit mbrapa, ata përkrahnin dhe brohorisnin skuadrën e tyre. Faktikisht, ishin shume herë më lart se ne, por gjithsesi të mbetet shija e keqe e humbjes, aq më tepër kur vjen në minutat e fundit.

---- ----
----
----- ----
-----