Ballina Lajme nacionale Formimi i listës për deputetë sjell pakënaqësi në LDK

Formimi i listës për deputetë sjell pakënaqësi në LDK

18
SHPËRNDAJE

Duket se ka pasur pakënaqësi në LDK për formimin e listës për deputetë.

Sot, Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur mbledhjen ku është diskutuar për listën e kandidatëve për deputetë në legjislaturën e ardhshme.

Sipas burimeve të lajmi.net brenda LDK-së, në këtë takim ka pasur pakënaqësi e zhurmë për shkak të ndarjeve që janë bërë.

Dega e Ferizajit ka pasur pakënaqësi për shkak se në listën zgjedhore janë përfshirë vetëm njerëz të krahut të Muharrem Svarçës, ndërsa pjesa tjetër janë injoruar.

Gjithashtu, edhe dega e Mitrovicës ka shprehur pakënaqësitë e veta për shkak se në listën për deputetë janë përfshirë vetëm krahu i kryetarit të partisë në Mitrovicë, Safet Kamberi.

Në këto dy qytete ka pasur incidente e rrahje edhe gjatë procesit të brendshëm zgjedhor të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Madje, në Mitrovicë ku për të parin e partisë po konkurronin Safet Kamberi e Faton Peci rrahja ndodhi në prezencë të Avdullah Hotit.

“Krahu i Faton Pecit është injoruar, gjithashtu edhe dega e Ferizajit ka shprehur pakënaqësitë e veta në raport me kandidatët e zgjedhur që do të futen në listën për deputetë. Mund të them se ka pasur zhurmë, pakënaqësi dhe ende ekziston përçarje brenda LDK-së”, ka thënë ky burim për lajmi.net.

Vlen të theksohet gjithashtu se po i njëjti burim i ka thënë lajmit se kanë qenë Vjosa Osmani dhe Lutfi Haziri insistues për dizajnimin e listës në këtë formë.