Ballina Lajme nacionale Fondet përgjysmohen edhe për Teatrin shqiptar

Fondet përgjysmohen edhe për Teatrin shqiptar

11
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -

Ministria e Kulturës ka miratuar tre shfaqje për Teatrin Shqiptar si pjesë e Programit vjetor për projektet me interes nacional në kulturë, por buxheti i vënë në dispozicion prej tyre është thuajse dy herë më i vogël nga ai i kërkuar nga Teatri për realizmin e këtyre shfaqjeve. Drejtori Karaga pohon se për fat të keq, mjetet e aprovuara janë shumë-shumë më të vogla konform kërkesës që kanë bërë dhe nevojave për realizimin e tyre

Evis HALILI

Shkup, 18 mars – Teatri Shqiptar është një tjetër institucion nacional që do të funksionojnë me fonde të përgjysmuara këtë vit. Ministria e Kulturës ka miratuar tre shfaqje për Teatrin Shqiptar, si pjesë e Programit vjetor për projektet me interes nacional në kulturë, por buxheti i vënë në dispozicion prej tyre është thuajse dy herë më i vogël nga ai i kërkuar nga Teatri për realizmin e këtyre shfaqjeve. Bëhet fjalë për tre pjesë teatrale që do të realizohen nga regjisorët Kushtrim Bekteshi, Qëndrim Rijani e Kaltrina Tefiku. Drejtori Adem Karaga thotë se fondi i aprovuar është i vogël, por varësisht situatës – do të manovrojnë me reduktimin e ndonjë projekti në funksion të tjetrit.

“Jemi akoma në fazën kur Ministria e Kulturës na ka miratuar projektet, por ende nuk janë lidhur kontratat. Por, për fat të keq, mjetet financiare të aprovuara janë shumë-shumë më të vogla konform kërkesës që kemi bërë dhe nevojave për realizimin e tyre. Do të shohim se ç’do të bëjmë”, thotë drejtori Karaga. Ansambli i Teatrit Shqiptar prej disa muajsh është vendosur në godinën e re të rinovuar, ndërsa inaugurimi zyrtar i ambienteve të reja pritet të ndodhë në periudhën në vijim. Nuk ka një datë ekzakte, por shfaqja e parë që do të jepet për publikun është punuar prej kohësh. “Në një situatë të tillë, është e vështirë të flasësh dhe të premtosh data. Punojmë në kushte të jashtëzakonshme dhe çdo e papritur mund të anulojë një datë, një shfaqje, sidomos në rastet që lidhen me shëndetin e aktorëve dhe punonjësve të tjerë të skenës”, thotë Karaga.

Veprimtaria e Dramës renditet e treta sa i takon fondit të vënë në dispozicion nga Ministria e Kulturës për realizimin e projekteve teatrore. Si projekt më i kushtueshëm është “Kopshti i Qershive” me regji të Vladimir Millçin (2.1 milionë denarë) që do të ngjitet në skenën e Teatrit Turk, që njëherazi është edhe shuma më e lartë e aprovuar nga aplikimet e institucioneve kombëtare. Teatri Turk po ashtu numëron edhe një tjetër projekt të kushtueshëm (1.1 milionë denarë) me regji të Sinisha Eftimov. Teatrit të Tetovës i janë vënë në dispozicion fonde për realizimin e tre shfaqjeve (plus një shfaqje në gjuhën maqedonase) dhe të festivalit ndërkombëtar të teatrit. Pjesët teatrale do të jenë me regji të Alesh Kurt, Elmaze Nura dhe Gent Mehmetit. Emri i regjisorit Qëndrim Rijani spikat me më shumë projekte. Përveç shfaqjes në Teatrin Shqiptar të Shkupit – Rijani do të realizojë shfaqje në Teatrin e Kumanovës (sektori i Dramës shqipe dhe në Teatrin e Gostivarit). Në Teatrin e Gostivarit janë aprovuar tre shfaqje, me regji nga Sulejman Rushiti, Kaltrina Tefiku dhe Qëndrim Rijanit. (koha.mk)

The post Fondet përgjysmohen edhe për Teatrin shqiptar appeared first on KOHA.

---- ----
-----