Ballina Arti Fjala e panjohur e Mehdi Frashërit në Lidhjen e Kombeve

Fjala e panjohur e Mehdi Frashërit në Lidhjen e Kombeve

10
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -
Memorie.al publikon fjalimin e panjohur të përfaqësuesit shqiptar në Lidhjen e Kombeve, Mehdi Frashëri, të mbajtur në Gjenevë në vitin 1935, ku diplomati i shquar dha shpjegime të hollësishme mbi ankesat që kishte bërë pala greke në lidhje me trajtimin e pakicave kombëtare në Shqipëri dhe mësimin e gjuhës së tyre amtare. Si u prit fjalimi i Mehdi bej Frashërit nga Lidhja e Kombeve, dhe si u bindën delegacionet e huaja në atë mbledhje, që jo Shqipëria, por ishin shtetet e tjera ndër-ballkanike ato që nuk respektonin të drejtat e minoriteteve shqiptare?! Si i pasqyroi gazeta “BESA” e Tiranës të gjitha pretendimet e palës greke për pakicat greke në Shqipëri dhe fjalimin e Mehdi bej Frashërit në Lidhjen e Kombeve, i cili duke e trajtuar atë problem juridikisht, i’u kundërvu atyre me fakte, dokumente dhe argumenta bindëse, duke u treguar të gjithë të pranishmëve, se nuk ishte Shqipëria ajo që nuk respektonte pakicat kombëtare, por përkundrazi, shtete fqinje të saj!

Nga Dashnor Kaloçi

Afro 14 vjet të shkuara, apo më saktë më 22 maj të vitit 2007, në median bullgare ishin publikuar disa shkrime ku ndërmjet të tjerash thuhej se: në Shqipëri aktualisht ekziston një minoritet etnik bullgar prej 100.000 vetash, të cilit nuk i janë përmbushur të drejtat më elementare nga shteti dhe qeveria shqiptare, duke filluar që nga hapja e shkollave në gjuhën e tyre, etj., etj. Edhe pse keto pretendime (të cilat gjeten pasqyrim edhe në disa forume të publikuara në internet, për ekzistencën në Shqipëri të një minoriteti etnik bullgar prej 100.000 vetësh nuk ishin deklarata zyrtare të qeverisë së Sofies, por të disa qarqeve të caktuara bullgare, nuk duhet harruar se të tillë zëra, tashmë janë një avza i vjetër dhe i dalë boje, jo vetëm të atyre qarqeve bullgare që i fryjnë ato, por edhe në historinë e marrdhënieve të Shqipërisë me disa shteteve ndër-ballkanike.

Po t’i referohemi historisë së shkuar, të tilla fushata me pretendime bajate dhe pa asnjë bazë, në adresë të Shqipërisë janë bërë që nga krijimi i shtetit të saj të pavarur në nëntorin e 1912-ës, e në vazhdim, deri në ditët e sotme. Këto pretendime absurde, kanë ardhur jo vetëm nga bullgarët, por edhe nga serbët e sidomos grekët, të cilët në mesin e viteve ’30-të, çështjen e “mosrespektimit të të drejtave të minoritetit grek” në Shqipëri, e çuan deri në Lidhjen e Kombeve. Asokohe, kjo gjë erdhi pas mbylljes që i bëri qeveria shqiptare shkollave private në Shqipëri, ku si rrjedhojë u mbyllën edhe shkollat greke që ishin hapur në disa qytete dhe fshatra në jug të vendit tonë, ku ekzistonte një minoritet i vogël grek.

Për të relatuar problemin në fjalë, pra: për t’u mbrojtur ndaj akuzave të palës greke e cila akuzonte shtetin shqiptar për “mosrespektim të të drejtave të pakicave kombëtare”, qeveria shqiptare dërgoi pranë Lidhjes së Kombeve në Gjenevë, përfaqësuesin e saj të përhershëm, diplomatin dhe politikanin e famshëm, Mehdi bej Frashëri, i cili në relacionin e tij, shpjegoi me fakte dhe argumente bindëse, akuzat e delegacionit grek. Madje ai i bindi të gjithë përfaqësuesit që merrnin pjesë në atë mbledhje, se s’ishte Shqipëria ajo që nuk zbatonte dhe respektonte të drejtat e pakicave kombëtare, por pala greke dhe të tjera shtete ballkanike, nuk respektonin minoritetin shqiptar që jetonte në ato shtete.

Lidhur me këtë, përveç fjalimit të plotë të Mehdi Frashërit në Lidhjen e Kombeve, të cilin Memorie.al po e publikon të plotë në këtë shkrim, po japim edhe reagimin e një prej gazetave të shumta shqiptare që ngritën zërin ndaj akuzave absurde të qeverisë greke, për “mosrespektim të pakicave te saj në Shqipëri”.

Reagimi i gazetës “Besa” për ‘ankesat’ e palës greke!

Gjithë bota e di se qysh para disa muajsh më parë, pakica grekofone që ndodhet në Mbretërinë Shqiptare, ka bërë disa ankime në Lidhjen e Kombeve për sa i përket shkollave të saja, mbi të cilën deri tani në shtypin kombëtar ashtu dhe në fletoret e huaja, është bërë disa herë fjalë. Kjo çështje vet vetiu nuk lipsej të kishte ndonjë rëndësi; por, në shtetin fqinjë, me qenë se partitë politike janë ashpërsuar shumë me njëra tjetrën, prej së cilave ajo e venizalistave, që kundërshton qeverinë e z. Caldaris, me këtë pretekst deshi të nxiste një furtunë në një gotë me ujë. Është çudi që edhe qeveria greke, jo vetëm ajo e z. Caldaris, e cila relativisht është një qeveri e mençme dhe moderne, por edhe të gjitha qeveritë e mëparëshme të Greqisë, nuk kanë respektuar asnjë të drejtë të pakicave që kanë marrë përsipër kësodore. Është vendi të përsërisim se fqinjët tanë nuk shohin as një të drejtë pakice as për shqiptarët dhe as për sllavofonët, që ndodhen me qindra mijë në tokën e tyre, dhe tani kërkojnë se si e si të shtijnë qeverinë e z. Caldaris, duke përfituar nga fakti se qeveria e jonë Mbretnore mori nën drejtim direkt të saj të gjitha shkollat si të shumicës ashtu dhe të pakicës.

Për të mos u zgjatur në zhvillimin e qëllimeve për sa thamë më sipër, sot jemi në gjendje të botojmë rrjedhjet e çështjes së ankimit në fjalë, simbas dokumentave të shpallura prej Sekretarit të Përgjithshëm të Lidhjes së Kombeve, të cilat sado që flasin vetë, me gjithë këtë dëshirojmë t’u përmendim këndonjësve tanë disa pika të rëndësishme. Delegatët t’anë në vend që t’i mohojnë, drejt për së drejti, ose tërthorazi, siç kanë bërë delegatët e Greqisë në raste të tjera, përkundrazi kanë pohuar të drejtat e pakicave si një qeveri shqiptare që përfaqëson karakterin e popullit shqiptar, i cili nuk e shkel fjalën që ka dhënë. Në mbrojtjen që do të reshtojmë më poshtë do të merret vesh se shtetëzimi i shkollave që ngjau në Shtetin t’onë nuk ka qenë një vepër arbitrare ose kapriçoze. Por, siç e ka shpjeguar shumë bukur edhe delegati ynë z. Mehdi Frashëri në Këshillin e Lidhjes së Kombeve, i përgjigjet pikërisht një nevoje historike shqiptare, që ishte ndjerë prej shumë kohe më parë. Me fjalë të pakta, është zhvilluar në fjalimet e delegatit t’onë se ligja ka karakter të përgjithshëm dhe nuk është bërë me qëllim që të shkelen të drejtat e pakicave; sepse një e drejtë konsiderohet e drejtë e pakicave kur atë të drejtë ta ketë edhe shumica, pse ruajtje e një të drejte nga ana e pakicës dhe suprimimi i saj prej shumicës, formon një privilegj dhe nuk është një e drejtë.

Dhe delegati ynë, z. Mehdi Frashëri, në këtë argument delikat nuk ka përdorur ndonjë arsye krejt të re ose ndonjë armë të ç’pikur tani shpejt, por ka përdorur fjalën dhe armën e adversarit të tij (homologut të tij, shënimi ynë), delegatit grek, z.-it Denkarmis, i cili, një rast analog, këtë parim e ka zhvilluar në vitin 1912, pranë Lidhjes së Kombeve nga ana e grekofonëve, kundrejt Qeverisë Mbretnore të Shqipërisë, pikë së pari iu referuan një komiteti të posaçëm të përbërë prej delegatit të Ingliterës, z-it Mollkin, prej delegatit të Portugalisë, z-it Vaskongelo dhe prej delegatit të Meksikut. Qeveria Shqiptare, përveç shpjegimeve që dha me shkresë në Lidhjen e Kombeve, pranë Komitetit të të Treve i paraqiti Këshillit një raport, në të cilin thotë se janë shkelë të drejtat e minoriteteve, por me qenë se paragrafi i mbramë i nenit 5 të deklaratës  shqiptare përmban obligimin se Qeveria Shqiptare ndigjojë të gjitha rekomandimet që do t’i bëjë Lidhja e Kombeve, për sa i përket kësaj çështje, Këshilli në fjalë në i paftë t’arsyeshme munt t’i japi rekomandimet e duhura Qeverisë shqiptare.

Raporti i Komitetit të të Tretëve ju përcuall Këshillit të Lidhjes së Kombeve, dhe ky e kishte shënuar në rendin e ditës më datë 14 Kallnuer (janar), të këtij viti, për të cilën dhe Qeveria jonë Mbretnore dërgoi përsëri në Gjenevë z. Mehdi Frashëri, si delegat i jashtëzakonshëm që do të ishte gati në atë mbledhje. Këtë here reporteri i kësaj çështje ishte zgjedhur delegati i Spanjës z. Madariaga, i cili kishte përgatitur një raport, ku, pasi reshtonte përmbajtjet e akteve, të shpjegimeve dhe mendimin e Komitetit të të Treve, përfundonte përsëri jo në shkeljen e të drejtave të pakicave nga ana e Qeverisë Mbretnore të Shqipërisë, por çfaqte mendimin që kësaj Qeveria Këshilli t’i bënte rekomandimet e duhura. Pasi u mbloth Këshilli dhe relatori këndoj raportin e tij, Kryetari i Këshillit i dha fjalën delegatit t’onë z. Mehdi Frashërit, i cili në një mbledhje, ku kishin marrë pjesë edhe një shumicë e madhe prej përfaqësuesëve të shtypit të përbotshëm, mbajti fjalimin që shënojmë këtu më poshtë, i cili u ndëgjua me vëmendje të madhe nga të gjithë ata që u ndodhën.

Fjalimi i Mehdi bej Frashërit, në Lidhjen e Kombeve

Zoti kryetar, zotërinj

Prej ditës që Shqipëria u pranua në Lidhjen e Kombeve, gjithë delegatët e Qeverisë Shqiptare u ç’faqën gjithnjë, sa herë që u paraqit rasti, në favor të mbrojtjes së pakicave, pse pakicat prej racës dhe gjuhës në Shqipni janë shumë të pakta, kurse pakicat shqiptare në Shtetet fqinjë, janë me qindra mijra; pse Shqipëria para se të pranohej në Lidhjen e Kombeve, që me ç’palljen e indipendencës së saj më 28 Nandor 1912, vet vetiu njohu të drejtat e pakicave që ndodheshin në tokat e saj kombëtare; pse qeveria do që të nderojë pengimet e marra drejt Lidhjes së Kombevet; më në funt Qeveria Shqiptare është plotësisht e bindur se nderimi i të drejtave të pakicave i përgjigjet një parimi drejtësie. Pra ankimet që i janë drejtuar Lidhjes së Kombevet nga ana e pakicave grekofone në Shqipëri, ka për pretekst ndryshimin e artikujve 206 e 207 të statutit që merren me arsimin në mbretëri. Qeveria shqiptare i pëlqen të besojë se ka plotësisht të drejtë duke ushtruar të drejtën e sovranitetit në formën e duhur në këtë çështje. Po të sqarohet çështja, do të shihet se ndryshimet për të cilat bëhet fjalë nuk i cënojnë të drejtat e pakicave që janë njohur në Shqipëri. Le të jepet leje zoti kryetar, t’ju shpjegoj origjinën e çështjes dhe shkaqet që e shtynë popullin dhe Qeverinë Shqiptare të votojë këto dispozita konstitucionale.

Siç e dini Z. Kryetar, populli shqiptar, në krahasim me popujt fqinj të tjerë, qe afro një shekull më pas në rrugën e fitimit të indipendencës kombëtare. Kjo vonesë e keqe u vërtetua pse popullit shqiptar i qe prerë e drejta kulturore në gjuhën e vet kombëtare në kohën e regjimit të kaluar. Nga ky shkak, pra, gjer më 1912, arsimi në Shqipëri bëhej sipas feve; muslimanët vinin në shkollat osmane, orthodhoksët vinin në shkollat greke, dhe në distriktet afër Sllavëvet në shkollat serbe ose bullgare, katolikët vinin në shkollat italiane ose austriake; kleri i naltë i feve të ndryshme që funksiononte në Shqipëri ishte krejt prej kombësie të huaj. Nga ky shkak kleri mbronte arsimin në gjuhë të huaj që ishte i vetja. Një anomali e tillë nuk mund të duronte në shekullin e 19-të dhe të 20-të, të cilësuar “shekujt e dritës”.

“De Rada në Itali, shkëndia e parë e shkrimit shqip”

Lëvizja e parë u dha prej shqiptarëve të Italisë më 1848. Në këtë kohë profesor De Rada shkroi dhe botoi poemat e tij patriotike në gjuhën shqipe; në Francë, La Martini, të cilit profesor De Rada i dërgoi disa copë të poemëve të tij të përkthyer në italisht, ishte akoma gjallë. Një shumicë poetësh dhe shkrimtarësh shqiptarë të Italisë vinin pas profesorit De Rada nën emrat e Kamarada, Varibob, Marqino e të tjerë. Gjithë këta italo-shqiptarë n’atdheun e tyre adoptim luftonin për bashkimin e popullit italian kundër Borbonëve të Napolit dhe në botimet e tyre në gjuhën shqipe punonin për rilindjen e atdheut të tyre t’origjinës; fshatarët grumbull vinin pas Garibaldit për të realizuar bashkimin e Italis, me premtimin se ky në rast fitimi do të punonte për indipendencën shqiptare. Giuzepe Garibaldi duke folur për këtë, thoshte: “Shqiptarët e mij trima” dhe “çështja shqiptare është e imja”. Këto botime të përtej detit ftonin shqiptarët të luftonin për lirin e tyre dhe të mësonin në gjuhën e tyre, po nuk dinin ndalimet morale kundra të cilave përpiqej vendi rreth kësaj çështje. Me gjithë këtë botimet e lartpërmendura pak e nga pak hynin në Shqipëri dhe bënin efektet e tyre. Kjo gjë zgjati gjer më 1878, data e Kongresit të Berlinit, që me dispozitat e tij cenonte copëtimin pjesëtar të Shqipërisë, veri dhe në jugë. Kjo ngjarje e  madhe qe shenje e një zgjimi në favor të indipendencës dhe të kulturës shqiptare.

“Përpjekja e shqiptarëve të Stambollit për shkrimin shqip”

Një grup letrarësh shqiptarë në Stamboll nisi punën dhe caktoi shkronjat në gjuhën shqipe, po lëvizja u shtyp menjëherë nga Porta e Naltë për të vazhduar fshehurazi në Shqipëri dhe jashtë në Rumani, Bullgari, Misir, Shtete të Bashkuara të Amerikës. Kjo literaturë e fshehur që zgjonte ndjenjën kombëtare shqiptare, luftonte njëkohësisht kundër autoriteteve eklesiastike të të gjithë konfesioneve që ekzistonin në Shqipëri e ashtu edhe kundër propagandës së autoriteteve  të huaja që kërkonin të mbillnin përçarjen me anën e fes dhe të arsimit respektiv. Shkurt, gjithë literatura shqiptare që parakaloj indipendencën kombëtare, prekonizonte me një energji laicitetin e shtetit dhe t’arsimit botori edhe kombësimin e të gjithë instituteve shtetnore, qeveritare dhe kulturave. Në një kohë me indipendencën kombëtare u ç’pall laiciteti i Shtetit pa fe zyrtare.

Po vetëm kjo dispozitë konstitucionale nuk mund të siguronte idealin e bashkimit moral, i cili ishte shkatërruar nga ndryshimi kultural që kish mbretëruar në shekuj në mes shqiptarëve; pra duhej zbatuar parimi në gjithë degët e aktivitetit politik e shoqëror. Më 1929 u botua ligja që i përkiste komuniteteve në bazë të së cilës u nda arsimi civil nga arsimi fetar; iu ndalua klerit të konfensioneve (feve), të ndryshme e drejta e arsimit për civilat, por iu dha liri e plotë për sa i përket arsimit fetar të ulët e të epërm, domethënë katekizma për të rinjtë dhe arsimi theologjik në seminare për katolikët dhe ortodhoksët dhe Medreseja për muslimanët.

Anëtarët e gjendjes së mëparshme goditën me anë të shtypit dispozitat e ligjës që merren me arsimin, me pretekst se kundërshtonin lirinë e arsimit të siguruar nga Kushtetuta e 1928-ës për të gjithë shtetasit e huaj. Për arsye të ndryshme të brendshme, këto dispozita mbetën letra të vdekura me shpresë se shkollat e krijuara për arsimin civil prej konfesionevet të ndryshme që mbretëronin në Shqipëri do të ndryshonin sjelljet e tyre, nën pretekstin e arsimit vazhdonin në gabimet e tyre të mëparëshme; për këtë shkak, Qeverija mendoi të sigurojë në një mënyrë definitive bashkimin moral të Kombit shqiptar në të ardhmen.

“Hapja dhe kompletimi i shkollave greke”

Ndryshimi që i’u bë artikujve 206 dhe 207 të ligjës kushtetuese, suprimon të gjitha shkollat private, kaq vendase dhe të huaja, dhe i vë nën kontrollin e drejtë të Qeverisë pa asnjë përjashtim. Si pasojë e zbatimit të parimit kushtetor të ri u ndryshua gjithë sistemi i arsimit. Siç del na sa thamë më lart, qëllimi kryesor i dispozitave të reja nuk ishin shkollat e pakicavet. Këto hynin nën qarkun e veprimit të ligjës së re nga parimi i njësis dhe gjeneralizmit. Në një periudhë tranzicjoni, ndryshimi i sistemit provokoi doemos një tronditje edhe për këtë shkak pakica grekofone kujtoi se do t’i pritej arsimi në gjuhën e saj kombëtare.

Qeverija e kuptoi menjiherë këtë gjendje edhe për të kënaqur dëshirin e popullsisë grekofone shtoi numrin e shkollave gjer në 50; zgjodhi dhe emëroi një personel mësues që kish bërë studimet në shkollat greke dhe dha instruksionet e duhura që arsimi në këto shkolla të të bëhej kryesisht në gjuhën greke’ gjuha shqipe megjithë se do të mbetej e detyruarshme do të mësohet si gjuhë zyrtare; dhe për të siguruar për kohën dhe të ardhmen një personel arsimor në shkallën e misionit të tij, Qeverija do të dërgoj çdo vit, si bursista të Shtetit në Greqi, një sasi të rinjsh të rekrutuar midis popullsisë grekofone.

“Trajtimi juridik i problemit të pakicave”

Tashti le të shqyrtojmë fazën juridike të çështjes: Paragrafi që ka të bëjë me çështjen me të cilën po merremi është i formuluar në këto terma: “Shtetasit shqiptarë do të kenë sidomos një të drejtë të barabartë të mbajnë, të drejtojnë dhe të kontrollojnë me shpenzimet e tyre ose të krijojnë në të ardhmen institute bamirale (bamirëse), fetare ose shoqërore, shkolla e godina të tjera edukasjoni me të drejtë të përdorin lirisht gjuhën e tyre, të ushtrojnë lirisht fenë e tyre”. Fjala “e drejtë e barabartë”, e përdorur në këtë dokument juridik me një karakter ndërkomëbtar nuk është e vdekur, duhet të ketë një kuptim, që në rastin konkret do të thotë e drejtë të cilën e gëzon shumica. Ndryshe nuk mund të krijojë një të drejtë të jashtëzakonëshme në favor të pakicës. Me fjalë të tjera, një e drejtë bëhet pakica e re kur e ka edhe shumica, pse përndryshe nuk është një e drejtë por formon një privilegj.

Ligja kushtetuese që ka një karakter të përgjithshëm për gjithë popullin, kur prish një të drejtë që kish shumica, kjo e drejtë nuk mund të mbesë për pakicën; pra ndryshimi i ligjës kushtetuese, nuk cenon të drejtën e pakicës. Delegati i Greqisë z. Dendramis, në mbledhjen e katërt të Komisjonit të gjashtë, të Asamblesë më 1925, u shpreh kështu: “Auktorët e traktateve nuk kanë menduar të krijojnë grupe qytetarësh që, kolektivisht, të gëzojnë të drejtën dhe privilegje të veçanta; ata kanë dashur të krijojnë midis gjithë shtetasve të një shteti një njësi përdorimi.

Po t’i jepen privilegjet pakicës së një shteti, do të krijohet një ilegalitet midis kësaj pakice dhe shumicës; kjo do të shtypej prej pakicës dhe atëhere do të vinte çështja e shumicës që do të shtrohej përpara Shoqërisë së Kombeve. Më pëlqen të besoj zoti kryetar, se Këshilli i ndershëm që kryesoni do të marrë parasysh arsyet që e shtynë Qeverinë shqiptare të vërë drejt nën kontrollin e saj shkollat laike”.

---- ----
-----