Ballina Arti Fjala e panjohur e Enver Hoxhës në ’78-ën, për raportet me Jugosllavinë...

Fjala e panjohur e Enver Hoxhës në ’78-ën, për raportet me Jugosllavinë e Greqinë: Këta palo udhëheqës të Kosovës na thonë ne, ‘mos e shani Titon se…’

56
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -
Memorie.al publikon një dokument arkivor me siglën “Tepër sekret” të nxjerrë nga Arkivi Qendror i Shtetit (fondi i ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së), që i përket shtatorit të vitit 1987, ku ndodhet diskutimi i Enver Hoxhës i mbajtur në mbledhjen e sekretariatit të Komitetit Qendror, ku ai ka folur gjatë lidhur me raportet dhe marrdhëniet e Shqipërisë me dy fqinjët e saj, Jugosllavinë dhe Greqinë. E gjithë fjala e udhëheqësit komunist të Shqipërisë, ku, pasi foli lidhur me detyrat që u dilnin reparteve ushtarake të kufirit me këto dy shtete fqinje si dhe Sigurimit të Shtetit për surveimin e kosovarëve që vinin si vizitorë tek njerëzit e tyre në Shqipëri, pasi ata mund të ishin edhe agjent të UDB-së,  ai u ndal gjatë në trajtimin që i bëhej popullsisë shqiptare në viset e saj amtare në Maqedoni, Mal të Zi dhe Kosovë, nga ana e regjimit titist të Beogradit, te roli i udhëheqjes së Krahinës Autonome të Kosovës në raportet zyrtare të Shqipërisë me Jugosllavinë, e deri tek marrdhëniet me Greqinë, të cilat po përmirësoheshin nga dita në ditë!

Nga Dashnor Kaloçi

“Si me popujt e Jugosllavisë, edhe me popullin grek ne duam të jetojmë në miqësi e vëllazëri. Regjimet në këto dy vende fqinje, siç dihet, janë kapitaliste. Por, pa humbur kurrë vigjilencën, ne ndjekim një politikë të drejtë, efikase dhe me rezultate të favorshme për vendin tonë. Në këto situata, që janë konjukturale për jugosllavët dhe për grekët, nga ana jonë duhet të mbahen qëndrime të menduara mirë, që të përfitojmë sa më shumë nga këto konjuktura që janë krijuar, sidomos me këto dy shtete. Në Jugosllavi dihet që ndodhet një pjesë e kombit tonë. Atje ka vështirësi të mëdha dhe shtypja është e egër, pasi revizionistët jugosllavë hiqen si marksistë- -leninistë, maskohen me këtë perde në shtypjen që u bëjnë shqiptarëve të atjeshëm, që jetojnë në një zgjedhë të dyfishtë. Udhëheqja kosovare në Jugosllavi, që është pro Titos, përhap parullën, sipas së cilës “në qoftë se ne kemi fituar disa të drejta dhe kemi arritur të realizojmë disa përmirësime, bile edhe me kushtetutë, këto i kemi bërë në sajë të Titos, prandaj ju shqiptarë, kuptojeni situatën tonë, kuptojeni situatën e vëllezërve tuaj, mos e atakoni Titon, mos e sulmoni Jugosllavinë, sepse po na prishni punë. Këta palo udhëheqës, që shprehin të tilla kërkesa ndaj nesh, janë shërbëtorë të Titos.

Kështu u shpreh në mes të tjerash Enver Hoxha në fjalën e tij të mbajtur në mbledhjen e sekretariatit të Komitetit Qëndror të PPSH-së më 27 shtator të vitit 1978, ku si temë kryesore e tij ishte marrëdhënia me dy shtetet fqinje, Jugosllavinë dhe Greqinë, ku, pasi foli lidhur me detyrat që u dilnin reparteve ushtarake të kufirit me këto dy shtete fqinje si dhe Sigurimit të Shtetit për survejimin e kosovarëve që vinin si vizitorë tek njerëzit e tyre në Shqipëri, pasi ata mund të ishin edhe agjent të UDB-së,  ai u ndal gjatë në trajtimin që i bëhej popullsisë shqiptare në viset e saj amtare në Maqedoni, Mal të Zi dhe Kosovë, nga ana e regjimit titist të Beogradit, te roli i udhëheqjes së Krahinës Autonome të Kosovës në raportet zyrtare të Shqipërisë me Jugosllavinë, e deri tek marrëdhëniet me Greqinë, të cilat po përmirësoheshin nga dita në ditë! Për më shumë rreth këtij diskutimi të Enver Hoxhës në mbledhjen e sekretariatit të Komitetit Qëndror, na njeh dokumenti në fjalë që publikohet për herë të parë dhe i plotë nga Memorie.al

Diskutimi i Enver Hoxhës në Sekretariatin e Komitetit Qëndror të PPSH-së, për marrëdhëniet me Jugosllavinë dhe Greqinë

“PER RUAJTJEN E KUFIRIT DUHET PUNUAR VAZHDIMISHT ME NJEREZIT”

Diskutim në mbledhjen e Sekretariatit të K.Q. të PPSH 

27 shtator 1978

Nuk dëshiroj të zgjatem, për arsye, se si nga raportet që na u dhanë, ashtu edhe nga diskutimet që bënë shokët, me të cilët jam dakord, problemi u trajtua mirë. Unë dëshiroj të vë në dukje çështjen se përtej kufirit tonë me Jugosllavinë, në Kosovë, në Mal të Zi dhe në Maqedoni jetojnë në trojet e veta më se një milion e gjysmë vëllezër të një gjaku. Ata, siç e dimë, ushqejnë ndjenjat e një dashurie të thellë për Shqipërinë. Përveç kësaj duhet të kemi parasysh se shumë nga ata shqiptarë, që banojnë në zonat fare afër kufirit me vendin tonë, sidomos, kanë njerëz të tyre të afërt, në Shqipëri, ashtu sikurse shumë nga njerëzit tanë kanë atje farefis etj. Të dyja palët janë të interesuara të mbajnë lidhje me njëra-tjetrën.

Ky është një problem që duhet t’ju bëjë ju, shokë të komiteteve të Partisë të rretheve kufitare, të thelloheni e ta merrni në studim. Askush të mos mendojë që zgjidhja e këtij problemi me rëndësi të madhe politike është një detyrë vetëm e një ose e dy funksionarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Nga sa doli këtu kjo çështje, që ka një rëndësi të madhe politike për ne, juve, shokëve të Tropojës, nuk ju ka preokupuar aq sa duhet. Po ju, shokë të rretheve kufitare, e dini që lidhjet e tropojanëve, të kuksianëve e të dibranëve janë jashtëzakonisht të ngushta me kosovarët e me shqiptarët e Maqedonisë. E dini që njëri ka motrën andej, kosovari ose dibrani ka motrën ose vëllanë këtej, babën, farefisin e kështu me radhë, shumë njerëz të afërt të tjerë?

Prandaj komiteteve të Partisë u bie detyra ta studiojnë këtë çështje dhe të nxjerrin konkluzione nga vajtjet dhe ardhjet e shqiptarëve të përtej kufirit në rrethet e tyre dhe nga bisedat që bëjnë ata me njerëzit tanë etj. Një efekt të madh politik tek ata që vijnë te ne bën pritja e ngrohtë e vëllazërore nga ana e mikpritësve shqiptarë. Kjo ndihmon shumë që miqtë, të cilët vijnë në shtëpitë e njerëzve tanë, ta duan Shqipërinë, ashtu sikurse e duam edhe ne atë pjesë të popullit shqiptar që jeton në Kosovë, në Maqedoni e në Mal të Zi, sepse të gjithë këta janë bij të një nëne. Nga bisedat që bëhen me të ardhurit, kurdoherë në mënyrë patriotike, njerëzit tanë duhet dhe mund të mësojnë prej tyre shumë për metodat dhe prapësitë që bëjnë revizionistët jugosllavë, shovinistët serbë ose malazezë kundër gjithë shqiptarëve në të tëra ato vise që banohen nga shqiptarë.

Në radhë të parë ne duhet të mësojmë, nëpërmjet këtyre vizitave, për gjendjen moralo-politike që ekziston te shqiptarët e Jugosllavisë, për frymën patriotike e gjendjen arsimore e kulturore të popullsisë me kombësi shqiptare dhe për pengesat e çfardolloji që i sillen asaj popullsie në Jugosllavi, për goditjet e pengesat e çfardolloji që u bën atyre pushteti revizionist titist, për të mos ushtruar as ato pak të drejta që kanë brenda asaj farë kushtetute që është atje në fuqi. Kjo punë, shokë, i takon Partisë ta bëjë dhe është e natyrshme që këtë duhet ta bëni edhe ju në rrethin tuaj. Pastaj, në mënyrë të vazhdueshme, ju duhet të mbani në korent popullin e rrethit për këto probleme, se kështu do të ngrihet e do të mprehte vigjilenca e njerëzve tanë, ndryshe s’ka se si të kuptohen këto probleme.

Ju, krahas punës së vazhdueshme për të luftuar kundër mbeturinave mikroborgjeze që ekzistojnë akoma te njerëzit tanë, kundër të cilave ne duhet të jemi kurdoherë vigjilentë dhe të përpiqemi t’i spastrojmë, duhet njëkohësisht të keni parasysh dhe të punoni që banorët e zonave kufitare të njohin mirë edhe gjendjen e vështirë të vëllezërve tanë kosovarë, dibranë etj., pse, në fakt, ata vuajnë atje, jetojnë si në robëri. Kjo gjendje duhet t’u thuhet qartë njerëzve tanë, që jetojnë këtu të lirë e të lumtur. Nga bisedat që bëjnë me ta njerëzit tanë, në të gjitha rastet, të nxjerrim konkluzione. Që t’i arrihet këtij qëllimi, është e nevojshme që sidomos populli i zonave kufitare, si në Tropojë, Kukës, Peshkopi etj., ashtu sikurse në Jug, në zonën e ‘Partizanit’ apo në krahinat e tjera, duhet të mbahet në korent edhe për gjendjen politike në vendet fqinje.

Ashtu sikurse është e domosdoshme që, si mbarë populli ynë, punonjësit e krahinave kufitare të bëhen të qartë për çështje shumë të rëndësishme politike dhe ideologjike, siç janë ato që ngrihen në Letrën e Komitetit Qendror të Partisë dhe të Qeverisë sonë drejtuar revizionistëve kinezë, si dhe për probleme të tjera të rëndësishme të kësaj natyre, po ashtu ata duhet të vihen në dijeni edhe si është gjendja në Jugosllavi, në Greqi, në Itali etj. Kjo punë të bëhet nga Partia, dhe të bëhet mirë. Krahas kësaj, siç thashë, banorët tanë të krahinave përkatëse kufitare të Veriut duhet të jenë në dijeni të plotë për situatën në të cilën jetojnë vëllezërit shqiptarë në Jugosllavi. E theksoj këtë se kam përshtypjen që masave tona punonjëse të rretheve kufitare nuk u flitet në këtë drejtim. Kjo është vetëm një përshtypje, prandaj mund edhe të gabohem.

Çështja është se duhet t’u flitet njerëzve tanë se çfarë ndodh në Kosovë, në Dibër të Madhe, në gjithë Maqedoninë, në Mal të Zi, si veprohet nga ana e revizionistëve jugosllavë ndaj vëllezërve tanë atje etj. Në përgjithësi dihet që veprohet keq ndaj popullsisë shqiptare, po çështja është t’u flitet edhe konkretisht, me fakte e argumente të kohës. Fizikisht dhe materialisht ne nuk kemi çfarë të bëjmë për ta ndihmuar gjithë këtë masë të madhe popullsie, por me anë të propagandës duhet të ndihmojmë që të ruajnë dashurinë për Shqipërinë, të ruajnë gjuhën, zakonet, të luftojnë për të drejtat e tyre etj. Këtë punë, në përgjithësi, e bëjmë, por rezultate të mëtejshme e bindëse mund të arrihen në qoftë se e përmirësojmë më tej edhe propagandën tonë gojore, duke vënë mirë në dukje jo vetëm sukseset e vendit tonë etj., por edhe kontradiktat tona të mëdha ideologjike, politike dhe ekonomike që kemi me titistët, duke u folur edhe për ambiciet e revizionistëve të Beogradit dhe për armiqësinë e tyre kundër vendit tonë dhe kundër shqiptarëve që jetojnë në trojet e tyre në Jugosllavi.

Kjo nuk është aspak ndërhyrje në punët e brendshme të Jugosllavisë. Mysafirëve që vijnë prej andej ne nuk u themi asgjë -si të luftojnë, as u diktojmë çfarë të bëjnë, se ata i dinë vetë situatat. Ne u flasim për t’u forcuar atyre moralin dhe patriotizmin, u flasim për unitetin e mbarë kombit shqiptar, për ruajtjen e gjuhës, të traditave, për unitetin ndërmjet tyre etj. Ja, për shembull, kur dikujt i vjen këtu vëllai nga Kosova dhe ky i tregon, fjala vjen, se shqiptarët në Jugosllavi nuk guxojnë të flasin, mbasi në çdo qoshe ka njerëz të UDB-së që i përgjojnë, atij i duhet bërë e qartë se këto vështirësi ekzistojnë, por duhet punuar e luftuar për t’i kapërcyer. Të mos guxosh të flasësh kundër padrejtësive, pavarësisht nga vështirësitë që ekzistojnë atje, është një politikë disfatiste, një politikë tmerri e frike që me qëllim e përhap UDB-ja për të ulur frymën patriotike dhe rezistencën e shqiptarëve për të drejtat e tyre.

Sidomos kundër elementëve shqiptarë të shitur, që vihen në shërbim të UDB-së, nuk duhet heshtur, por disa njerëz të guximshëm nga populli t’u dalin përpara, t’i demaskojnë mirë e mirë përpara syve të të gjithëve dhe, si t’u japin një dush të mirë, t’u bëjnë thirrje të mos bëhen vegla të verbra, të mos bëjnë të këqija kundër shqiptarëve. Ky do të jetë një shembull për të gjithë ata që janë vënë verbërisht në shërbim të regjimit të Titos. Natyrisht, kjo punë kërkon të marrësh parasysh çdo sakrificë, pse ata që do të veprojnë kështu, mund të futen edhe në burg, por një gjë e tillë do të bëjë bujë në popullsinë shqiptare, do të ushtrojë një influencë jashtëzakonisht të madhe edhe në vetë qeverinë jugosllave që të mos i shtojë masat represive kundër patriotëve shqiptarë, të cilët janë në të drejtën e tyre. Pra nuk duhet qëndruar pasivë kundër spiunëve që kërkojnë t’ju bëjnë të këqija. Dihet se situatat për shqiptarët e Jugosllavisë janë të rënda, mbasi kundër tyre ushtrohet një terror i egër.

Është e vërtetë që nuk është e lehtë të veprosh në këto situata të rënda, por edhe guxim duhet të ketë më shumë nga ana e popullsisë shqiptare në Jugosllavi. Dhe këtë guxim, jam i bindur, që shqiptarët nuk e kanë humbur, por ata duhet të veprojnë me zgjuarsi dhe të dinë se kur dhe në ç’rast duhet ta tregojnë guximin e tyre. Ne duhet ta mendojmë më mirë e më thellë këtë problem. T’i shikojmë mirë njerëzit që na vijnë nga përtej kufirit, të përpiqemi të futemi në botën e tyre të brendshme, të njohim shpirtin e ndjenjat e tyre, pse kjo punë është me vlerë të madhe për ne. Ne e dimë se kush vjen nga Kosova dhe te kush shkon për vizitë, prandaj posaçërisht me pritësit duhet të bëhet një punë e menduar mirë që më parë nga ana jonë, duke i sqaruar ata për shumë probleme që mund t’u dalin e duke u dhënë edhe orientimet e nevojshme për punën propagandistike që duhet të bëjnë me vizitorët. Kështu, mendoj unë, forcohet edhe vija e kufiri te ne.

Konkluzionet që do të nxjerrë komiteti i Partisë rrethit nga kjo punë duhet t’ua japë edhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, edhe Drejtorisë së Kufirit, punonjësit e të cilëve të mos i futin ato në xhep, sepse nuk janë çështje specifike si ato që ndjekin këto organe, por janë probleme propagandistike, politike dhe ideologjike. Rëndësi ka që kufitarët tanë të mësojnë për gjendjen e shqiptarëve të përtej kufirit dhe të rrisin vigjilencën. Kur ne shohim se vëllezërve tanë që jetojnë atje titistët u bëjnë gjithë ato poshtërsi për të shuar patriotizmin e tyre, për të dobësuar ndjenjat e tyre të pastra të dashurisë, dëshirën për të forcuar unitetin e kombit tonë etj., etj. atëherë ç’mund të presim nga ata, veç të këqijave kundër vendit tonë?

Prandaj, siç e theksova edhe në fillim, ta shtojmë vigjilencën, të rrimë natë e ditë me syrin pishë e me gishtin në shënjestër. Materialet e Partisë duhet të shfrytëzohen për të bërë një punë më të madhe e më të kualifikuar, politike dhe ideologjike që t’i shërbejë forcimit gjithnjë e më shumë të vigjilencës së kufitarëve tanë. Për këtë qëllim me kufitarët dhe me gjithë banorët e krahinave kufitare është e domosdoshme të bëhet vazhdimisht një punë e veçantë edukative, që ata të jenë në dijeni për gjendjen moralo-politike dhe ekonomike të të gjithë vendit, sepse mbi këtë bazë do të forcohet bindja e tyre për të kryer si duhet detyrat që kanë të bëjnë me mbrojtjen e kufirit. Çështja që të mos e zërë gjumi kufitarin është një çështje fizike, stërvitjeje, kalitjeje, por ajo është edhe çështje politike, sepse, kur kufitari ynë e shikon situatën e vendit fqinj me një frymë të vërtetë realiste, atëherë ai do të tendosë të gjitha forcat e tij mendore e fizike dhe për asnjë çast nuk do ta zërë gjumi.

Sigurisht, stërvitjet me kufitarët duhet të bëhen në mënyrë të tillë që ato të japin rezultate pozitive në punë, por, për të qëndruar kurdoherë vigjilentë, rol të madh luan, në radhë të parë, ngritja e nivelit politik të tyre. Për ruajtjen e kufirit nga armiqtë duhet punuar konkretisht dhe vazhdimisht me njerëzit, për t’i vënë ata në dijeni, në çdo kohë e në çfarëdo konjukturash, edhe për situatat sidomos në vendet fqinje. Kufitari ynë në kufi me Greqinë, për shembull, duhet të jetë i qartë dhe ta kuptojë që aktualisht marrëdhëniet e shtetit tonë me këtë vend janë përmirësuar, por kjo nuk do të thotë që atë ta zërë gjumi kur ngarkohet të bëjë detyrën e rojës. Jo, ai duhet ta kryejë shërbimin njëlloj dhe kurdoherë i mobilizuar totalisht. Ai ta dijë se në Greqi ka edhe që veprojnë kundër nesh.

Por, që kufitari ynë të mos ketë parasysh politikën që ndjek aktualisht Partia jonë me atë shtet, përsëri do të ishte gabim. Në qoftë se në ndonjë rast kufitari grek që ka përballë, i buzëqesh kufitarit tonë, ky duhet të jetë edhe vigjilent ndaj tij, edhe korrekt, se ai e bën këtë edhe sepse e di që tani ka ndryshuar politika e qeverisë greke ndaj Shqipërisë. Në kufi bëhet një politikë specifike, që është pjesë e pandarë e politikës së gjithë shtetit tonë, por aktualisht kufitarët tanë nuk mund të sillen me kufitarët grekë njëlloj si në kohën e qeverisë së Caldarisit ose të Metaksait. Tani situata është ndryshe dhe këtë kufitarët tanë duhet ta kuptojnë dhe pa bërë asnjë lëshim në kryerjen e detyrave, pa humbur vigjilencën, edhe sjellja korrekte me fqinjët luan një rol me rëndësi në punën e tyre.

 

---- ----
----
-----
-----