Ballina Sport FIFA zbërthen merkaton në Shqipëri: Klubet fituan 600 mijë dollarë nga 259...

FIFA zbërthen merkaton në Shqipëri: Klubet fituan 600 mijë dollarë nga 259 transferime

10
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -

Viti 2020 ka qenë shumë i vështirë për futbollin shqiptar.

Pandemia ka ndikuar edhe në këtë sport, si në çdo fushë tjetër të jetës, me mbylljen e stadiumeve dhe zbehjen e interesit në një periudhë ku prioriteti është tërësisht tjetër.

Por kjo nuk ka ndaluar klubet shqiptare që të jenë mjaft aktive në merkaton e lojtarëve, siç e zbulon edhe raporti i fundit i FIFA-s.

Kjo e fundit, duke u bazuar te të dhënat zyrtare të sistemit të saj TMS, ku regjistrohet çdo transferim i mundshëm, ka zbërthyer edhe shifrat bazë të futbollit shqiptar sa i përket vitit kalendarik që sapo u mbyll.

Kështu, rezulton se 24 klube shqiptare të futbollit profesionist kanë regjistruar 153 futbollistë në hyrje nga jashtë kufinjve gjatë vitit të kaluar, ndërsa në total janë shpenzuar 200 mijë dollarë për ta.

Nga ana tjetër, lojtarët e larguar kanë qenë 106, nga vetëm 7 klube të përfshira në këtë eksod që duket se ka qenë masiv për ta.

Në këtë rast, ka pasur edhe fitime, pasi të dhënat e FIFA-s tregojnë se në fund rezulton se për këta transferime në dalje janë arkëtuar 800 mijë dollarë.

Me pak fjalë, për 259 transferime në total gjatë vitit 2020 në futbollin profesionist në Shqipëri, janë siguruar 600 mijë dollarë fitime.

Këto janë të ardhura minimale po të llogarisësh shifrat që qarkullojnë në futbollin botëror, por që të paktën tregon se klubet shqiptare po lëvizin edhe në këtë drejtim dhe po e shohin tregun e futbollistëve si një mënyrë për të siguruar të ardhura.

Ajo që bie në sy në raportin e FIFA-s është edhe lidhja që është krijuar mes kampionatit shqiptar dhe atij kosovar. Rezulton se transferimi i 9 futbollistëve nga Kosova drejt Shqipërisë në vitin 2020, është mes shifrave më të larta në futbollin botëror të regjisturar për kalimet nga një vend në tjetrin.

Në këtë raport ka të dhëna edhe për futbollin e femrave, ku 2 klube kanë afruar 12 futbolliste, ndërsa 2 lojtare janë larguar pas përfundimit të kontratës. Gjithashtu, në futbollin amator, në Shqipëri janë afruar 12 lojtarë nga jashtë vendit tonë, ndërsa janë larguar 75 të tillë drejt shteteve të tjera.

---- ----
----
----- ----
-----