Ballina Lajme Bota/Rajoni FBI i konfiskon telefonin celular, Burr jep dorëheqjen nga posti i rëndësishëm

FBI i konfiskon telefonin celular, Burr jep dorëheqjen nga posti i rëndësishëm

28
SHPËRNDAJE

Pasi FBI-ja i konfiskoi telefonin celular në kuadër të hetimit mbi shitjen e aksioneve pak para rënies së madhe të bursës për shkak të pamdemisë globale të koronavirusit, senatori republikan i Karolinës së Veriut, Richard Burr dha dorëheqjen nga posti i Kryetarit të Komisionit të Senatit për Zbulimin.

Udhëheqësi i shumicës në Senat, Mitch McConnell njoftoi vendimin, duke thënë se ai dhe senatori Burr kishin rënë dakord se kjo ishte në interesin më të mirë të Senatit.

Zyrtarët e FBI-së shkuan të mërkurën në shtëpinë e senatorit Burr në Uashington me një urdhër gjykate për t’i marrë telefonin, duke shënuar një përshkallëzim të rëndësishëm në hetimin e Departamentit të Drejtësisë mbi atë nëse senatori Burr shkeli ligjin me shitjen e aksioneve pak kohë para rënies së bursës. Departamenti i Drejtësisë nuk pranoi të komentonte për këtë zhvillim. Avokati i tij nuk iu përgjigj mesazheve në telefon dhe atyre me postë elektronike, por ai kishte thënë muajin e kaluar se ligji është i qartë se “çdo senator mund të marrë pjesë në shitblerjen e aksioneve bazuar në informacionin publik, siç bëri senatori Burr”.

Të dhënat e senatit tregojnë se senatori Burr dhe bashkëshortja e tij shitën 628,000 deri në 1.72 milion dollarë aksione përmes 33 transaksioneve të veçanta në fund të janarit dhe në mes të shkurtit, pak para se të fillonte rënia e bursës, kur zyrtarët qeveritarë të shëndetësisë filluan të lëshonin paralajmërime të rrepta për efektet e virusit.

Një ditë para se senatori Burr t’i shiste aksionet më 13 shkurt, Dow Jones u mbyll me një rekord të lartë 29.551.42. Më 20 shkurt, çmimet e aksioneve filluan të shënonin rënie nga shqetësimi se pandemia e koronavirusit do të dobësonte rëndë ekonominë globale.

Tregjet e aksioneve ranë pasi senatori Burr mori pjesë në një seancë informimi për koronavirusin si kryetar i Komisioni të Senatit për Zbulimin. Gazeta Washington Post raportoi se senatori Burr kishte qasje në raportet sekrete të agjencive të zbulimit që paralajmëruan për pasoja katastrofike nga pandemia.

ProPublica raportoi javën e kaluar se kunati i senatorit Burr, Gerald Fauth, i cili u emërua në Bordin Kombëtar të Ndërmjetësimit nga Presidenti Donald Trump, gjithashtu shiti aksione më 13 shkurt me vlerë mes 97,000 dhe 280,000 dollarë.

Senatori Burr ka thënë se ai nuk ka vepruar në bazë të informacionit që ka marrë si senator. Avokatja e tij, Alice Fisher, tha se klienti i saj “mori pjesë në tregun e aksioneve bazuar në informacionin publik dhe ai nuk e koordinoi vendimin e tij për shitblerjen e aksioneve më 13 shkurt me zotin Fauth”.

Ligji federal për shitblerjen e aksioneve, i quajtur STOCK Akt (Akti i Bursës) u ndalon ligjvënësve të veprojnë në informacione jopublike që marrin si zyrtarë publik që personalisht të përfitojnë nga transaksionet e aksioneve.

Presidenti i atëhershëm Barack Obama e nënshkroi atë në ligj në vitin 2012, pasi Senati e miratoi me një votim 93-3.

Senatori Burr ishte në mesin e tre senatorëve që votuan kundër masës.

-----